Buxheti 2018, si do të shpenzohen paratë e shtetit

Buxheti 2018, si do të shpenzohen paratë e shtetit
Eglantina Nasi

Janë plot 496.6 miliardë lekë... Që të gjitha, të destinuara për  t’u shpenzuar nga arka e përbashkët e buxhetit të të gjithë shqiptarëve gjatë 365 ditëve të vitit të ardhshëm. Po ku dhe si do të shpenzohen ato? Është drafti i Projekt-Buxhetit 2018, ai që ka të detajuar tashmë “çdo qindarkë” që do dalë prej tij. Konkretisht, sipas dokumentit themeltar të financave shqiptare, rezulton nga shpenzimet që qeveria do të kryejë mot, pjesën e “luanit” do ta marrë Mbrojtja Sociale, me plot 148.6 miliardë lekë. Këtu përfshihet skema e pensioneve, por edhe ajo e ndihmës ekonomike, për të cilat në total janë parashikuar 7.2 miliardë lekë më shumë se gjatë këtij viti. Kujtojmë se në total, mot janë parashikuar të përfitojnë nga skema e ndihmës ekonomike plot 79.891 familje shqiptare në rang vendi. Sikundër edhe të trajtohen me pagesa të aftësisë së kufizuar plot 164.410 invalidë. Teksa parashikohet që në të njëjtën kohë, me këto para’ të ngrihet edhe regjistri elektronik kombëtar për ndihmën ekonomike. Nga ana tjetër, qeveria ka përcaktuar edhe rreth 100 miliardë lekë si shpenzime rezervë. Këto, edhe pse jo të fiksuara kundrejt ndonjë sektori X, janë parashikuar që të mbulojnë secilin prej tyre në një moment të caktuar. Më tej, është shëndetësia ajo ku do të shkojnë paratë e buxhetit të shtetit, me plot 48.8 miliardë lekë, 3.5 miliardë lekë më shumë se vjet dhe një rritje e fondit të pagave me nivelin prej 18.8% për punonjësit e saj. Po për shëndetësinë, qeveria ka parashikuar që mot të ngrejë godinën e re të Farmacisë në QSUT, gjithashtu edhe të rikonstruktojë Dispancerinë, por edhe Godinën e Qendrës Kombëtare të Shëndetit Mendor; si edhe të mbyllë punimet në spitalin e Sarandës e të Korçës. Për t’u pasuar me çështjet ekonomike, të cilat natyrshëm që zënë një vend të rëndësishëm në programin buxhetor, me 45 miliardë lekë shpenzime rreth tyre, mes të cilave, 10 miliardë lekë më shumë sesa sivjet, u janë akorduar pikërisht investimeve. Respektivisht, për vitin 2018 është parashikuar hapja e projekteve të reja si ndërtimi i Rrugës së Arbrit, ai i rrugës Thumanë-Vorë, apo edhe Unaza e Madhe e Tiranës. Kurse sa i përket energjisë, do të financohet linja e interkonjeksionit 400kv Shqipëri-Maqedoni deri në 70 milionë euro. Sikundër, nga ana tjetër, parashikohet edhe të mbështeten me fonde shtetërore plot 115 biznese.

Por as arsimi nuk mbetet pas në këtë listë të sektorëve ku qeveria ka fokusuar të hedhë mot paratë, plot 41 miliardë të tilla. Konkretisht, një pjesë e tyre do shkojnë për tekstet falas të rreth 33 mijë nxënësve të arsimit parashkollor, nga klasa e parë deri në klasën e pestë. Por edhe për rritjen deri në

20% të shkollave të cilësuara si “Qendër Komunitare”, apo edhe për shërbimin e internetit 100% në çdo shkollë. Një synim tjetër është edhe ai për ndërtimin e 6 shkollave të reja të arsimit profesional etj. Për t’u përmbyllur me shpenzimet e përgjithshme publike që janë parashikuar të kapin një vlerë prej 36.4 miliardë lekësh. Apo edhe mbrojtja me 11.6 miliardë, me një rritje deri në nivelin prej 11%, si direktivë e NATO-s kjo. Kurse rendi dhe siguria publike do të marrin 28.8 miliardë lekë nga arka e shtetit, edhe ky një sektor me 10.4% më shumë fonde se gjatë këtij viti, kryesisht për rritje pagash apo kontributesh.

Për të përfunduar me sektorë të cilët mot do të kërkojnë më pak pará nga arka e buxhetit, të tillë si  mbrojtja e mjedisit, deri në 1.2 miliardë lekë apo argëtimi, kultura dhe çështjet fetare deri në 3.4 miliardë lekë etj. Kujtojmë sakaq, se për këtë të fundit, qeveria ka në plan që mot të rikonstruktojë Bibliotekën Kombëtare; të ngrejë Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit. Sikundër edhe në kuadrin e Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut të zhvillojë 10 aktivitete të mëdha; por edhe pesë të tjera në kuadrin e Vitit Europian të Trashëgimisë Kulturore. Për të vijuar me restaurimin dhe mirëmbajtjen e 135 monumenteve të kulturës, mes tyre, kishës së Mërisë së Leshnicë, të Shën Kollit Mesopotam; restaurimin e Qendrës Historike të Vunoit etj.

INFRASTRUKTURA

Mot do të përfundojnë dhe 10 segmente rrugore

Gjatë vitit të ardhshëm, projekt-buxheti parashikon që të përfundojnë edhe 10 segmente rrugore. Konkretisht, fjala është për lotin 2 të rrugës Kukës-Morinë, por edhe atë të segmentit Fushë Krujë-Thumanë. Sikundër, edhe loti 10 i By pass Plepa-Kavajë-Rrogozhinë pritet që të mbyllet në vitin 2018. Për të vijuar me akset e tjera, gjithashtu të parashikuara me finalizim të tyre, të tilla si ai Elbasan-Banjë, apo Këlcyrë-Përmet. Gjithashtu, do të rikonstruktohet edhe rruga  Kodër-Kamëz-Tapizë. Ndërsa parashikohet të nisë mirëmbajtja By passin e Fierit, të Vlorës, apo Tiranë-Elbasan dhe Qukës - Qafë- Plloçë.

KONCESIONET

Partneriteti Publik-Privat, 8 kontrata do jenë kryesore

Gjashtë kontrata në sektorin e transportit, një në shëndetësi dhe një tjetër në arsim parashikohet që gjatë vitit të ardhshëm të lidhen prej shtetit në bazë koncesionare, të asaj që njihet nga të gjithë si forma e Partneritetit Publik-Privat. Me një vlerë në total prej 156.7 miliardë lekë, parashikohet që zbatimi i tyre kohor të shtrihet në disa vite. Konkretisht, për arsimin është parashikuar kontrata për ndërtimin e shkollave në kryeqytet, me 6.4 miliardë lekë. Për të vijuar me kontratën koncesionare për spitalin e Fierit, apo për ndërtimin e akseve rrugore Tiranë-Thumanë-Vorë, Kardhiq-Delvinë, Kashar-Rrogozhinë, Milot-Balldren etj.

Reformat kyçe për 2018-tën, ja cilat do të realizohen me mbështetjen e buxhetit

Janë disa reforma, të cilat qeveria shqiptare i konsideron si kyçe për të dhe që do të mbështeten me fonde buxhetore prej saj gjatë vitit të ardhshëm. Konkretisht, njëra prej tyre është reforma në drejtësi, e cila parashikon krijimin i një inspektorati për të hetuar shkeljet disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, krijimin e KLP-së, funksionimin e KLGJ-së, krijimin e një strukture të specializuar anti-korrupsion në nivel kombëtar, por edhe ndërtimin e ambienteve të reja për Shkollën e Magjistraturës. Por me rëndësi konsiderohet edhe reforma administrative-territoriale, për të cilën qeveria sqaron konkretisht se “buxheti vendor i vitit 2018, do të shoqërohet me një model të ndryshimit të financimit dhe menaxhimit financiar në qeverisjen vendore, në funksion të thellimit të zbatimit të saj”. Sikundër më tej, një reformë e rëndësishme qeveritare mbetet edhe ajo në sektorin e ujit për të cilën parashikohen të shtohen rreth 200 mijë lidhje/kontrata për ujin e pijshëm, si edhe zgjatja e orarit të furnizimit me ujë nga 12 orë/ditë – 14 orë/ditë etj.

Institucionet, mot sërish pará për rregullim zyrash e makina

Presidenca do harxhojë 6 milionë lekë për zyrën e Presidentit, Kuvendi 11.5 milionë për pajisje të reja, kurse Kryeministria 110 milionë lekë për rikonstruksionin e saj

 Rreth 6 milionë lekë për rikonstruksion dhe mobilim të zyrës së punës së Presidentit, por edhe të sallës “Skënderbej” të Presidencës së Republikës. Ky është vetëm njëri nga shpenzimet që ky institucion i rëndësisë së lartë në vend parashikon të realizojë mot me paratë e buxhetit të shtetit. Për të vijuar me 11.5 milionë lekë të tjera, që Kuvendi nga ana e tij do t’i shpenzojë për të blerë pajisje të reja. Sikundër, edhe Kryeministria ka parashikuar që të rikonstruktohet sërish mot, duke harxhuar jo pak, por plot 110 milionë lekë nga arka e buxhetit të shtetit. Këto janë vetëm disa nga shpenzimet e planifikuara prej këtij të fundit, në formë investimesh prej institucioneve kryesore në vend. Për të vijuar me 240 milionë lekë që shteti ka parashikuar për forcimin e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, duke u blerë makina inspektorëve të tij që të “bredhin” në terren, apo t’u ngrejë atyre laboratorë. Më tej, lista e Projekt-Buxhetit 2018 për shpenzimet e institucioneve vijon edhe me ato që në fakt janë parashikuar të kryhen në kuadrin e ristrukturimit, apo ngritjes nga e para të disa prej tyre, siç është për shembull ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, që për këtë arsye do të marrë 13.6 milionë lekë nga buxheti i shtetit. Por edhe ministria e Ekonomisë dhe Financave, e cila për zyrat e saj të reja do të harxhojë plot 37 milionë lekë nga buxheti. Sikundër edhe ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale, të cilat të bashkuara tashmë në një dikaster të vetëm do të kenë nevojën e një infrastrukture të re zyrash, ku vetëm për pajisjet e tyre të reja do të harxhohen 2.8 milionë lekë nga buxheti. Të mos harrojmë se një institucion i ri është formësuar në njëfarë mënyre edhe me krijimin e ministrisë së Evropës dhe Punëve të Jashtme, që gjithashtu për blerje pajisjesh të reja do të shpenzojë 10 milionë lekë. Por edhe ministria ekzistuese e Drejtësisë parashikon që mot të blerë mjaft pajisje elektronike, në funksion të modernizimit të shërbimeve që ajo ofron, deri në vlerën e 13.3 milionë lekëve. Kurse sa i përket ministrisë së Kulturës, ndër shpenzimet e saj kryesore janë ato prej 200 milionë lekësh për trashëgiminë kulturore si e tillë. Për të përfunduar me ministrinë e Brendshme, e cila vetëm për blerjen e pajisjeve të reja të përgjimit do të harxhojë plot 63 milionë lekë nga arka e buxhetit të shtetit. Si edhe me Gardën e Republikës, që për blerjen e makinave të reja në vitin e ardhshëm do të shpenzpjë 50 milionë lekë. Shtuar këtu edhe 50 milionë të tjera për modernizimin e mjediseve të saj ekzistuese.

Administrata, do ketë 81.660 punonjës

Plot 81 mijë e 660 punonjës do të ketë vitin e ardhshëm administrata publike. Kjo konfirmohet edhe në Projekt-Buxhetin 2018, sipas të cilit, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë do të përfshijë numrin më të madh të tyre, përkatësisht me 31.004 të tillë. Pasuar nga Ministria e Brendshme me plot 14.106 punonjës, por edhe nga Ministria e Mbrojtjes e cila mot do të ketë 8.973 punonjës. Gjithashtu, një pjesë të administratës do ta zënë edhe institucionet që kanë të bëjnë me sistemin e drejtësisë në vend, përkatësisht, 2.452 të tillë. Kurse institucionet kyçe në vend, do të kenë: Presidenca 86 punonjës; Kuvendi 405 dhe Kryeministria 150.

 

 

 

 

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: