CATALONIA, PORTA E PASME E EUROPËS- OPINION NGA FRROK ÇUPI

CATALONIA, PORTA E PASME E EUROPËS- OPINION NGA FRROK ÇUPI
Nga FRROK ÇUPI

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Referendumi në Catalonia për ndarjen nga Spanja, ditën e diel, u ngjit në pikën kulmore.

Përballë njëri-tjetrit, u ndodhën votuesit dhe policët; betimi për ndarjen me qeverinë e dobët të Rajoy; pragkriza spanjolle me varfërinë e Catalonias... Por përballë  u vendosën edhe përbetimi i vjetër i politikës spanjolle, se “nuk e falim Barcelonën”, me Revolucionin e fuqishëm, por të fshehtë, të Catalonias.

Europa e kodifikuar si Bashkimi Europian, nuk priste se do të përçahej në portën e pasme...

Ballë për ballë, u vendosën dy elemente të Luftës Botërore.

Elementi i parë, sa primitiv edhe dëshmues, ndërsa elementi i dytë, një kulm i modernizmit të epokës.

E para ishin pizhamet dhe, për këtë arsye, u quajt edhe revolucioni i pizhameve. Ndërsa i dyti, interneti. Ky referendum është krijesë e lidhjeve në internet. Prandaj edhe u quajt “Lufta e parë Botërore e Internetit” - nga Julian Assange i Wikileaks.

Me gjithë betimet e fuqishme të BE-së, se nuk e lejojnë ndarjen (madje të betuar se nuk lejojnë të realizohet as Brexit i Britanisë së Madhe), procesi merr rrugën e vet, pa lejen e liderëve të elitave të vjetruara në Europë.  Kohët e fundit, liderë të BE-së janë mbledhur dhe kanë biseduar për ushtri të BE-së, për ministër financash, për unitet të sforcuar kundër nacionalistëve dhe konservatorëve...

Mirëpo nuk mund të mbyllen të gjitha portat. "Troja" është shumë më e lashtë dhe më inteligjente. Troja në Catalonia u shndërrua në pizhame dhe internet.

Votuesit, - të betuar për pavarësi, - një natë para referendumit, u veshën me pizhame dhe hynë në shkollat, palestrat dhe në të gjitha sallat që do të ishin qendra votimi. Policia ishte betuar se do t’i mbyllte qendrat e votimit, por votuesit me pizhame ndodheshin brenda. Ata hoqën edhe dyert e mëdha të shkollave, me qëllim që policia të mos mundte të pengonte hyrjen e votuesve të tjerë...

Këto ishin pizhamet e Trojës.

Ndërsa interneti u kthye në zot të Referendumit Catalonia-s. Përmes lidhjeve në internet, votuesit pro referendum morën mesazhet, morën vendimet dhe bënë strategjinë. Tani Referendumi i Catalonia-s është një fakt. Policia po ushtron dhunë, por dhuna është element i forcës pro referendum...

Nga porta e pasme e BE-së, ka “hyrë ujë”.

Bashkimi Europian, - duke u betuar se nuk lejon ndarje, madje as Brexit-n që është fakt, - po çahet në Barcelonë. Por Barcelona është vetëm një pikë kalimi, për të hyrë në një Europë ku kombet po kërkojnë të vendosin vetë. Lodhja nga politikat e elitave të vjetra politike, nga qeveritë që premtojnë, por nuk japin prova, emigracioni masiv, krimi dhe frika, sistemi kundër vlerave kombëtare, të familjes e të sovranitetit - ka krijuar një situatë mosbesimi  në gjithë vendet e Bashkimit Europian.

Liderët e BE-së ende nuk kanë thënë asnjë fjalë për Referendumin, me sa duket në shenjë mospërfilljeje. Gjithë barra i ka mbetur qeverisë së Marioano Rajoy, që edhe pse nuk është votuar, prapë quhet qeveri.  Po pse fshihen liderët liberalë të BE-së?

Ose nuk kanë çfarë thonë, ose u ka rënë guximi përballë lëvizjeve nacionaliste në Europë. Zgjedhjet në Gjermani, ku zonja Merkel - mbështetëse e kufijve të hapur , korri fitoren e Pirros, i kanë vënë vulë gati në heshtje, edhe të ardhmes së BE-së: Ai nuk mund të rezistojë më me politikat e vjetra, kundër vlerave themelore europianiste.

BE-ja ndodhet në gjendje shoku, por pa e treguar ende.

Europa ka mbajtur frymën përpara referendumit Catalonia-s për pavarësi. Në gjithë Europën, ka një dinamizëm të shtuar të lëvizjeve për pavarësi. Referendumi  ndezi llamba të zonave të nacionalizmit  ku pavarësia është gati të lindë.

Nicola Sturgeon, ministre e parë e Skocisë, tha se e drejta e ndarjes e Catalonia-s, është një e drejtë ndërkombëtare që duhet respektuar.

Jan Peumans, kryetari i Parlamentit rajonal të Flanders në Belgjikë, tha se e shikon me shpresë referendumin Catalonia-s.

Lega Nord e Italisë, e cila kërkon më shumë autonomi, po bën gati një referendum për Lombardinë e Veriut dhe Venneto-n...

Liderët e Bashkimit Europian dhe të vetë qeverisë Spanjolle, në vend që të ndjekin rrjedhat e kërkesave të kohës, përdorën kërcënimin se ndalojnë ndarjet. Liderët e BE-së kanë guxuar të ndalin  vetë Brexit-in dhe politikat populiste nacionaliste që, tashmë, po vërshojnë në kontinent. Dhuna kundër votuesve catalonias, mund të kthehet në një çarje të re në shtetet e kontinentit.

Akoma më me efekt do të mund të shfaqet fenomeni në Europën Juglindore, sidomos në Ballkan. BE-ja ende po pyet veten: “Nga erdhi?” Porta e Pasme zotërohej nga Pizhamet dhe Interneti...

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: