“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Ditari i shokut Taulant Balla: Kur dhashë gjak, më doli rrëshirë

“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Ditari i shokut Taulant Balla: Kur dhashë gjak, më doli rrëshirë
"Antena Jashtë Familjes" vjen sot me një pjesë nga ditari i librazhdiotit më të famshëm të vendit, shokut Taulant Balla. Në këtë pjesë ditari, shoku Lanti një politikan dhe biznesmen i suksesshëm drush, flet pak për kohën që i "jepte dru" Saliut dhe Jozefinës dhe më tepër për një ngjarje me rëndësi mjaft të madhe për fëmijët. Pa ju humbur kohë, po japim për ju ditarin e tij, që na erdhi dje në redaksi:

O zot sa i lumtur jam që u zgjodha Sekretar i Përgjithshëm i Partisë. Askush me shumë se unë nuk e meritonte atë vend. Tani të gjithë do më binden mua, përveç Edit dhe atyre që do ai. Meqë ra llafi te ky. Siç tha edhe ai të premten në Kuvend, Edi vetë nuk i ka thënë kurrë "kriminel" Saliut dhe Lulit. Kur ka mua që më hedh përpara në sulm t'ju them, përse t'ju thotë vetë ai!

Nejse, se do vijë dita që të shkruaj për këtë.

Sot po ndaj me ty ditar i dashur, një ngjarje që më ndodhi disa ditë më parë në një nga dhomat e Kuvendit. U shtriva në krevat, e po jepja gjak. Do jepnim gjak si grup socialist, për fëmijët që vuajnë nga talasemia. U shtriva i pari, duke dhënë shembullin personal. Pranë meje u afruan dy infermiere. Mbylla sytë. Jo nga kënaqësia, që kisha pranë ato, jo, mos më keqkupto o ditar. I mbylla se për një çast të vetëm kisha frikë. Ato filluan të më shponin në dorë. Njëra prej tyre donte të më shponte në dorën e djathtë. Si duket, do jetë ndonjë infermiere e futur në punë në kohën kur spitalet i drejtonte tornitori i talentuar, Nard Ndoka. Nuk e lejova. -"Më shpo këtu",-i thashë dhe i nxora dorën e majtë. Mbylla sytë. Ajo infermierja përfitoi nga fakti që unë nuk po e shikoja dhe më shpoi në dorën e djathtë. Kur u shpova, më ndodhi diçka e çuditshme. Diçka që më la me gojë hapur. Nga hapja e saj, mezi po gëlltitesha. Infermieret kujtuan se mos frigohesha. -"Mos ki frikë shoku Taulant!", më tha ajo infermierja që rrinte në krahun tim të majtë. -Unë nuk kam patur frikë nga dyshja e famshme Sali-Jozefina, i thashë,- jo më të frikësohem nga ju të dyja."

Djersët po më mbulonin të tërin. Vështrova lart në tavan. M'u kujtua Fatos Nano dhe takimi që pata me të në Rumani, kur isha student. Nuk ma kishte marrë mendja që ai takim do më ndryshonte jetën, megjithëse unë ndaj e takova. "Ti mor Lanti që ke qenë zheni në mësime, u katandise të drejtohesh nga një Vizatonjës, mendova, teksa po shpohesha. U katandise të rrish pranë analfabetëve që mblodhi Vizatonjësi, në grupin tonë parlamentar."

Shyqyr që nuk e thashë me zë të lartë këtë gjë, se në atë moment në një krevat pranë meje, po shtrihej Lindita. E lëshoj ndonjëherë gojën unë, ndaj duhet të jem i kujdesshëm.

Sapo Lindita vuri këmbët mbi krevat, infermieret u drodhën dhe desh iu ra shiringa nga dora. S'kishin faj të gjorat. Lindita kishte hipur mbi krevat, me gjithë këpucë. Sa panë këpucët e Linditës... Ato kushtonin tre rroga mujore të tyre.

-O Lindita, po hiqi ato këpucë, -i thashë,- se desh më more në qafë mua.

Pas meje foli edhe Ilir Beqaj. Ai ishte shtrirë në një krevat pas Linditës. -"Mirë thotë Lanti, i tha, hiqi!" Lindita u kthye nga Iliri dhe i bërtiti. -"Ti Ilir mos u bëj servil! Apo meqë u zgjodh Lanti në postin e Sekretarit të Përgjithshëm të partisë sonë dhe i mban anën! Po i hoqa këpucët, m'i vjedhin. Në Kuvend janë akoma punonjësit që ka vënë në punë Meta, e ata "të grijnë". Apo harrove ti ç'na bënë neve kur e kishim tepsinë bashkë me ta!".

Iliri e mbylli nga frika. Nga dy metra që është, u mblodh dhe u bë i gjatë sa unë. - "Jo Lindita të betohem, as nuk harrova që ata të Metës janë hajdutë, e as nuk jam servil i Taulantit, se unë kam mik direkt Edin. Po ti e di që mezi i kam blerë ato çarçafë, kur isha ministër i Shëndetësisë, e nuk dua që të prishen, u gjegj Iliri.

"E di, e di. E blije një çarçaf me çmimin e një krevati, ja ngopi përgjigjen Lindita". Në momentin që infermierja po më thithte gjakun, filloi të bërtiste. -"Uaaaa mami, në vend të gjakut po del rrëshirë!"

U tromaksa. -"Ku është? thashë. -"Ja kjo këtu, më tha ajo dhe më tregoi një copë rrëshirë që ishte mbi duart e mia të pastra.

-Në ato moment bërtiti edhe Lindita. -"Uaaaa mami ç'a janë këto rruaza që po dalin nga gjaku im?"

-"Qenkan rruaza perlash që vendosin në qafë gratë e kamura",-thirri e habitur një infermiere.

Linditës në vend të rruazave të gjakut i kishin dalë rruaza perlash, të bardha dhe të kuqe. Me gjithë ato tendera që ka bërë Lindita, mund t'i dilnin rruazat e gjakut, prej diamanti.

Pas ulërimës së Linditës, filloi të ulërinte edhe Ilir Beqaj. Nuk e dëgjova se ç'tha, pasi filloi të bërtiste Eduart Shalsi. Ai bërtiste nga gëzimi. Atij, pasi i kishin marrë gjakun dhe i kishin bërë analizat, i kishin dhënë përgjigjet.

"Këtij do i kenë dalë analizat sagllam, mendova. Si  mos t'i dalin të vërteta analizat Shalsit?! Vetëm ai ka thënë të vërtetën nga neve, kur tha që do vidhnim, por ndryshe nga ata të PD-së."

Pas disa sekondash, një dorë më tundi krahun. -"Çohu o pallë se mbete shtrirë,-më tha. -Do futemi në Kuvend tani". Ishte Ed Vizatonjësi...

Shpërndajeni me miqtë tuaj: