Endri Hasa: Votimi elektronik, ja detajet e propozimit të opozitës

Endri Hasa: Votimi elektronik, ja detajet e propozimit të opozitës
Deputeti Endri Hasa, me profesion inxhinier elektronik, është ndër njerëzit që janë marrë më thellësisht me zbërthimin e idesë së votimit elektronik, e cila është paraqitur si kusht nga Partia Demokratike për reformën zgjedhore. Nga viti 2014 është drejtues i departamentit për Shoqërinë e Informacionit dhe anëtar i Kryesisë së PD-së. Në intervistën për “Albanian Free Press: ai zbardh propozimin e Partisë Demokratike për votimin elektronik: Votim në qendra votimi, nëpërmjet një makinerie që printon votën, e cila depozitohet automatikisht në kuti. Deputeti Hasa shpjegon arsyet pse kjo mënyrë votimi, sipas analizës së bërë në PD, do të garantojë funksionimin e sistemit dhe evitimin e problemeve teknike dhe politike.

Intervistoi për Albanian Free Press: Alket Aliu

Z. Hasa, Partia Demokratike ka vendosur një kusht: Votimin elektronik. Si lindi kjo ide dhe cilat janë problematikat e proceseve zgjedhore të kaluara që mendoni se mund të evitohen nëpërmjet elektronikës?

Po është e vërtetë që Partia Demokratike ka hapur diskutimi për të përdorur një sërë instrumentesh teknologjike në votim, që përmblidhen nën termin e votimit elektronik. Përdorimi i teknologjisë në zgjedhje në Shqipëri nuk është tabu. Edhe në të shkuarën ka patur iniciativa për të digjitalizuar procese të caktuara. Si për shembull videoregjistrimi i numërimit, për të shkuar më tej, ku mund të sjellim shembullin e vitit 2013, kur teknologjia e miratuar që në kodin e vitit 2012, u përfshi si projekt-pilot në zgjedhje. Fatkeqësisht, dështimi i dy projekteve të vitit 2013, jo për shkak të teknologjisë, është përdorur për të anatemuar përdorimin e teknologjisë në zgjedhje. Edhe sot debatet dhe diskutimet kanë rifilluar. Por ne jemi të mendimit, dhe është një mendim tashmë i konsoliduar, që përdorimi i teknologjisë në zgjedhje në Shqipëri është plotësisht i mundur.

Le ta fillojmë bisedën me çështjen e identifikimit biometrik, që është pjesë integrale e asaj që ne e mendojmë si votim elektronik.

Identifikimi biometrik do të na lehtësonte shumë nga problematikat dhe do të eliminonte një sërë problemesh që janë bërë gangrenë për procesin zgjedhor në Shqipëri. Ka çështje nga më të ndryshmet. Që tek fakti i bojës matrikuluese, që është përmendur edhe në raportin e fundit të OSBE/ODIHR-it. Është lyer apo s’është lyer gishti. Fshihet apo nuk fshihet boja. Në momentin që një zgjedhës identifikohet në mënyrën biometrike, nëpërmjet shenjës së gishtave, ky diskutim merr fund.

Por ne të gjithë kemi kartat e identitetit apo pasaportat...

Identifikimi biometrik që flasim nuk ka lidhje me përdorimin e kartës së identitetit. Për shtetin shqiptar, të pasurit e të dhënave biometrike të një shtetasi, ka të bëjë me faktin që ai individ ka prodhuar njëherë kartë identiteti. Pra, që nga ai moment, shteti shqiptar i ka të dhënat biometrike të shtetasve. Të dhënat e çdo qytetari janë të depozituara bashkë me shenjat e gishtave dhe, që nga ai moment, të dhënat administrohen për llogari të Ministrisë së Brendshme nga koncesionari i kartave të identitetit dhe i pasaportave, shoqëria ALEAT, e cila ka mundësinë të japë të dhëna që të përdoren edhe nga organet e tjera ligjore, në rast nevoje. Sistemi është i tillë që shkon edhe më tej se kaq, pasi të dhëna biometrike konsiderohen edhe fotot p.sh., që janë të dhëna mbi pamjen e personit.

Identifikimi biometrik na shkëput nga karta në vetvete. Karta e identitetit u bë në vitin 2009, dhe ishte një zhvillim shumë i madh, krahasuar me certifikatat. Mundësia për të falsifikuar një certifikatë ishte shumë më e madhe. Karta e minimizoi shumë. Por edhe te karta ka patur diskutime për zgjedhjet. A i verifikon komisioneri të gjithë elementet e sigurisë së një karte apo jo? A e sheh mirë foton apo jo? Ndërsa pajisja nuk gabon në identifikimin biometrik. Kemi gjithmonë e më shumë aeroporte në botë që ofrojnë kalimin pa personel policor, thjesht nëpërmjet të dhënave biometrike. Kjo nuk ka filluar për shtetasit tanë, por ka filluar për shtetasit atje, sepse kjo është një mënyrë unike e identifikimit.

Po cilat janë konkretisht problematikat që evitohen në procesin e votimit me identifikimin biometrik?

Edhe në rastin e votimit, teknologjia lejon që të verifikosh në radhë të parë identitetin dhe që një person të votojë në mënyrë unike, sepse nuk mund të votojë dy herë po i njëjti person dhe i vë kapak kësaj historie. Në qoftë se dikush mund të tentojë ta bëjë, sistemi nuk do ta lejojë, por edhe po e tentoi është shumë e thjeshtë për ta ndjekur penalisht. Nga ana tjetër ky identifikim eviton probleme të tjera: Eviton votimin familjar, votimin në grupe. Janë problematika të pasqyruara shpesh dhe në raportet ndërkombëtare, por janë gjëra që edhe ne i kemi hasur në terren. Ka zona të ndryshme, kryesisht zona të thella, ku ka ceduar në shumë raste dhe struktura e njerëzve aty, në qendrën e votimit.

Edhe në raportin e OSBE së këtij viti thuhet se ka firma që duken të ngjashme, sikur janë të bëra nga një dorë. Kjo nuk mund të ndodhë me identifikimin me shenjat e gishtave. Tjetër problematikë e hasur gjerësisht, ku janë dhe raste të mediatizuara të njerëzve që u është mbajtur karta e identitetit për të mos votuar. Nuk mund të ndodhë më, sepse ty nuk do të duhet karta e identitetit për të votuar. Ti vjen, voton dhe sistemi të regjistron që ke votuar. Prandaj pjesë thelbësore e idesë sonë për votimin elektronik është identifikimi biometrik.

A mund të hapë ky lloj votimi debatin e fshehtësisë së votës?

Ka nga ata që mund të thonë se identifikimi i faktit që ti votove, duke qenë në të njëjtën pajisje që mban votën, hap debatin e fshehtësisë së votës. Teknikisht dhe teknologjikisht është diçka e tejkaluar, sepse sistemet janë të tilla, me enkriptime dinamike të dyfishta, për të cilat çdo palë teknike do të ishte më se e qetë, thjesht duke përmendur protokollet e caktuara, dhe pa hyrë në detaje të mëtejshme teknike. Po, fundja fare, këto janë dhe procese që sot ekzistojnë në botë por edhe në Shqipëri, për shembull votim elektronik edhe të fshehtë, në rast nevoje, bën Kuvendi i Shqipërisë prej vitesh. Pse ai që bëjnë deputetët atje quhet i fshehtë me teknologjinë e vjetër? Se ka vite që është aty. Po i njëjti votim që është në sallë, ka një mënyrë që fshihen gishtat kur votojnë dhe sistemi nuk e nxjerr kush votoi, nuk e prodhon atë dokument.

Ka funksionuar edhe sistemi për të votuar anëtarët e Vetingut, pranë Kuvendit të Shqipërisë, u votua në korrik. Me një sistem elektronik të fshehtë. Njerëzit që do të bëjnë Vetingun, u zgjodhën me një votim elektronik të fshehtë nga Kuvendi, me një sistem ad hoc për këtë proces, i bazuar në ligj dhe në Kushtetutë, sepse ishte parashikuar që të ishte një votim i tillë.

Pra, është e qartë që s’është tabu. Përderisa bëhet në Kuvend, të bëhet dhe në popull.

Le të kthehemi edhe një herë tek problematikat e procesit. Deri tani folëm për pjesën e identifikimit...

Kalojmë tek pjesa e votimit. Përveç faktit që lehtëson shumë menaxhimin mbrapa, pasi në momentin që votohet elektronikisht edhe numërimi është i thjeshtë, se votimi elektronik në vetvete krijon mundësinë e thjeshtimit edhe vizualisht të asaj që sot është fleta e votimit, mund të hapë mundësi të reja për diskutim për mënyrën e votimit, jep mundësinë në qoftë se ke votime me më shumë se një fletë që të vazhdosh procesin e votimit për të gjithë çështjet njëra pas tjetrës dhe na jep një mundësi të madhe për demokratizimin dhe përfshirjen lehtësisht të më shumë çështjeve në votim.

Sot të merr frika në qoftë se do të kërkosh një referendum, aq më tepër nuk ka ekzistuar kurrë në Shqipëri një referendum për çështje lokale. Në qoftë se ti ke një teknologji të lehtë të votimit, edhe referendumet dhe konsultimet publike organizohen shumë thjesht.

Një problematikë tjetër që evitohet është i ashtuquajtur “efekti karuzel”, pra që një zgjedhës del me një fletë votimi nga një qendër votimi dhe kjo fletë vazhdon dhe qarkullon duke u plotësuar paraprakisht. Zgjedhësi merr fletën e votimit të plotësuar, e hedh në kuti dhe të sjell fletën e bardhë që plotësohet për një zgjedhës tjetër. Kjo problematikë evitohet në procesin elektronik, sepse nuk ka fletë votimi.

Evitohet gjithashtu edhe një kosto shtesë, që janë fletët e votimit, por edhe infrastruktura e pafund me komisionerë, pasi makinat eliminojnë një shumicë njerëzish.

Teknologjia duhet vendosur e para në reformë, sepse lejon lehtësisht diskutimet edhe për të parë mënyra të tjera të sistemeve të votimit, sepse heq disa barriera teknike që i ka votimi  me fletë, sikurse mund të jenë listat e hapura apo edhe ndryshime të tjera të sistemit. Çfarëdolloj sistemi të jetë, mazhoritar apo proporcional.

Në zgjedhjet e kaluara, PD identifikoi si problem kryesor shitblerjen e votës. Por ky është një proces që ndodh jashtë qendrave të votimit. A ka rol elektronika në këtë rast?

Me teknologjinë e duhur, eliminohet problemi i fotografimit të votës, pra edhe i trysnisë mbi votuesit. Në qoftë se eliminohet trysnia, nëpërmjet pengimit të fotografimit dhe heqjes së mundësisë që të bëhen shenja në fletën e votimit, frenohet edhe çështja e shitblerjes së votës.

Por debati më i madh besoj se do të përqendrohet në çështjen se çfarë lloj votimi do të zgjidhet për t’u aplikuar...

Shumë njerëz mendojnë se votimi elektronik është të votosh nga shtëpia me internet. Ka ndodhur edhe kjo, në këtë mënyrë votohet në Estoni. Por, në konceptin tonë, nuk mund të flitet për këtë lloj votimi në Shqipëri, pasi kjo nuk i shmang disa nga problemet. Njerëzit mund të thirreshin diku për të votuar te detyruar dhe mbikëqyrur dhe do të shndërrohej në disa zona sërish në votim të organizuar në grup dhe familjar. Ne po flasim për qendra votimi, ku dhoma e fshehtë zëvendësohet me një pajisje të votimit elektronik, që i eviton një sërë problemesh. Vajtja në qendrën e votimit na garanton se vota është aty dhe është e fshehtë.

Duket sikur ka një përplasje paraprake në parim: PD kërkon votim në qendra votimi ndërsa PS kërkon të përfshihen në votim edhe emigrantët. Mund të shndërrohet çështja e emigrantëve në burim konflikti mes mazhorancës dhe opozitës?

Këto janë diskutime që duhen bërë në tavolinë. E njëjta teknologji që ne propozojmë e mundëson votimin e e emigranteve. Mund të vendosen disa makineri në disa qendra votimi jashtë vendit. Mund të aplikohet vota elektronike në distancë nëpërmjet internetit, por vetëm për deputetë të diasporës, pra për një numër minimal të përcaktuar deputetësh që i shtohen atyre të zgjedhur me votim elektronik në qendra votimi në Shqipëri. Në momentin që teknologjia është, të jep mundësi për diskutimin edhe të çështjeve të tjera në Kodin Zgjedhor. Prandaj ne themi se duhet vendosur çfarë do të bëjmë me teknologjinë, përpara se të shkojmë më tej. Po të diskutohet teknologjia në fund, thjesht duhet të përshtatemi, po të vendoset kjo në fillim, janë rrugët e hapura për të adresuar problematika të tjera dhe për të vendosur për zgjidhje më të mira.

Sa të sigurt duhet të jemi në përdorimin e teknologjisë, duke llogaritur se aktualisht kemi dy projekte pilotë të dështuar?

Teknologjia tashmë është e konsoliduar. Në vitin 2013 ishin dy procese: Verifikimi elektronik i kartave të identitetit në Tiranë dhe numërimi elektronik në Fier.

Të dy këto projekte paraqitën problematika te cilat s’kanë të bëjnë me teknologjinë dhe që mund të evitohen. Siç ishin problematikat në leximin e fletës së votimit sepse fleta e votimit doli shumë e madhe, me më shumë subjekte seç kishte parashikuar KQZ.

Ose problematika e verifikimit të kartave të identitetit, chip-et e të cilave mund të dëmtohen edhe gjatë përdorimit të përditshëm, evitohen me identifikimin biometrik.

Pra, në vend të kartës së identitetit, verifikohen gjurmët e gishtave apo te dorës. Në votimin elektronik, eliminohet edhe mundësia e të paturit të fletëve të votimit të pavlefshme. Fletët e pavlefshme, në rast të numërimit elektronik për ne, në Fier, duhej përsëri të vlerësoheshin nga komisionet, duke rikthyer të njëjtin avaz. Me teknologjinë, zhduken diskutime të llojit “ka dalë shenja nga kutia” apo “ka një pikë në fletën e votimit”. Në votimin elektronik, vota del e pavlefshme vetëm nëse votuesi e zgjedh ta bëjë të pavlefshme, pra, duke mos votuar për asnjë subjekt apo kandidat.

Ekspertët thonë se nga mënyra e zgjedhur për të votuar elektronikisht, do të varet shumë edhe niveli i sigurisë. Ka sisteme që e printojnë fletën e votimit ose nuk e printojnë dhe kjo mund të ndikojë edhe tek votuesit. Si e mendoni ta zgjidhni këtë çështje?

Për të rritur besimin tek zgjedhësi në vetvete për votën e tij, por edhe tek publiku në tërësi, ne kemi propozuar që vota të printohet nga pajisja. Makineritë do te kenë një sistem printimi viziv. Mendoj se është një pikë e rëndësishme që nuk ka marrë vëmendjen e duhur në këtë debat. Praktikisht, personi pasi voton kandidatin apo subjektin që dëshiron, vota printohet, personi e shikon nëpërmjet xhamit votën e printuar dhe vota bie brenda në një kuti, brenda pajisjes së votimit. Në këtë mënyrë, votuesi largohet nga procesi me bindjen se vullneti i shprehur prej tij, u depozitua saktë. Kjo na jep mundësinë të krijojmë edhe besimin e palëve mbi procesin, pasi deri tani folëm për besimin e zgjedhësit tek procesi. Në fund të numërimit, kur ka dalë rezultati, përpara se rezultati të certifikohet, palët mund të zgjedhin kampione qendrash votimi, ku të dëshirojnë, të hapen këto kuti dhe të numërohen votat manualisht. Edhe numërimi në këtë rast është i shpejtë dhe i thjeshtë, sepse, në fletën e printuar, vullneti është i shprehur është i qartë. Kjo, për mendimin tim, do të jetë e domosdoshme për disa palë zgjedhjesh, derisa palët të jenë të bindura edhe tek numërimi dhe elektronika të shndërrohet në normalitet. Është çështje kulture dhe mentaliteti.

Është e mundur që makineritë të nxjerrin rezultate të pjesshme gjatë procesit të votimit?

Jo, nuk ka, sepse sistemi do të funksionojë nëpërmjet çelësave të posaçëm enkriptimi, që nuk do të aktivizohen përpara një kohe të caktuar. Është si një kompjuter në të cilën çdo votë është si një file, por ti nuk e lexon dot pa një kod, i cili nuk mund të hapet përpara mbylljes së procesit. Ka pajisje të veçanta ku këto kode depozitohen dhe ruhen në vende të veçanta dhe do të merren të përdoren vetëm në fund, kur mbaron votimi. Janë mënyra enkriptimi të sofistikuara, që përpara dhjetë vjetësh mund të kërkonin kosto shumë të larta dhe as që mendoheshin, por teknologjia ka ecur dhe është bërë e prekshme. Mundësitë janë që të aplikohen që në zgjedhjet e ardhshme vendore.

Po a ka kohë për zgjedhjet vendore të vitit 2019?

Në qoftë se ne ulemi dhe e vendosim, koha është e mjaftueshme. Teknologjia është e provuar, është komerciale sot në botë. Të fillojmë direkt me reformën zgjedhore.

 Nuk do të ishte e mira të testohej si projekt pilot?

Mundësitë teknologjike dhe koha, nëse vendosim shpejt, na lejojnë edhe aplikimin e plotë. Sepse projektet pilotë mund t’i kemi të gatshme për aplikim edhe pas gjashtë muajsh. Koha mjafton për gjithë testimet e nevojshme, madje edhe për të provuar teknologji të ndryshme.

Mund të marrim teknologji të gatshme, në të cilat të integrohet identifikimi biometrik sipas standardeve tona. Por edhe teknologjia e identifikimit biometrik është gjerësisht e përdorur. Kompanitë private në botë dhe këtu e përdorin gjurmën e gishtit dhe tek dera për të lejuar futjen e punonjësve në zyra. Ka shumë aparate celularë që hapen me shenjat e gishtërinjve. Pra, flasim për diçka të prekshme.

 Po kostoja e kësaj teknologjie, a është e lartë?

Para dhjetë vjetësh do të ishte shumë e kushtueshme, por sot është tjetër gjë. Zhvillimi dhe përdorimi masiv i teknologjisë, e kanë ulur shumë këtë kosto. Padyshim, sa më shpejt të vendosim, aq më shumë kohë do të kemi që të përzgjedhim edhe teknologji me çmim më të përshtatshëm.

Ekspertët thonë se votimi elektronik ka patur problematika në vende të ndryshme të botës ku aplikohet. Janë verifikuar si probleme të makinerive, ashtu edhe të softuerit. A duhet t’i besojmë makinës?

Printimi i votës e zgjidh këtë problem. Kjo është risia që duam të aplikojmë për të evituar edhe gabimet e teknologjisë. Këtë nuk e kanë bërë ato vende ku janë evidentuar gabimet. Njeriu e shikon vetë se për kë ka votuar dhe e verifikon nëse makineria bën gabim, dhe nëse, e zëmë, se ndodh kjo, do të evidentohet që në mëngjes dhe mund të riparohet. Ndërsa në rastet e shteteve ku janë verifikuar gabimet, ato janë konstatuar në fund të procesit, pas daljes së rezultatit. Makina do të jetë e mbyllur, kutia ku do të depozitohen fletët e votimit mund të kontrollohet që në mëngjes nga komisionerët dhe të vuloset dhe rezultati mbetet aty. Rezultati mund të kontrollohen edhe manualisht. Pra, votuesi kontrollon fletën e tij të votimit, ndërsa tërësia e fletëve të votimit mund të kontrollohet nga palët, në raste nevoje, në mbyllje të procesit.

Po probleme me infrastrukturën mund të verifikohen? Ju e dini se as energjia elektrike nuk është tërësisht e garantuar...

Këto pajisje mund të punojnë edhe me bateri, pa qenë të varura nga energjia elektrike e rrjetit, sepse nuk kanë konsum të lartë. Mund të jenë edhe të lidhur në rrjetin e energjisë, por nuk është e domosdoshme.

Po kompania që do të hartojë softuerin? Është e mundshme të jetë një e tillë që të gëzojë besimin e të gjitha palëve në procesin zgjedhor?

Këto zakonisht janë kompani me eksperiencë të madhe dhe me emër të madh në tregun botëror. Emri i tyre vlen shumë dhe nuk mund ta njollosin reputacionin e tyre për një palë zgjedhje në Shqipëri. Në disa raste, bilanci i tyre vjetor e krahasohet edhe PBB të Shqipërisë dhe e tejkalojnë buxhetin e shtetit shqiptar.

Pavarësisht kësaj, ne e kemi garancinë në votën e printuar gjatë votimit. Në një rast të tillë, edhe kompania më e dobët, nuk do të kishte mundësi abuzimi apo gabimi të qëllimshëm apo te paqëllimshëm. Printimi është i rëndësishëm edhe për bindjen e votuesit, që ta shikojë vetë votën e tij, ndryshe edhe votuesi dyshon se ku i ka shkuar vota. Njerëzit votojnë sot në letër dhe e shikojmë edhe një herë mos kanë gabuar, imagjinoni kur votën nuk e sheh dot fare dhe ajo është thjesht në memorien e pajisjes, pa e parë me sy.

Po votuesit, mendoni se janë të përgatitur për një proces të tillë? Ju kujtoj rastin e Suedisë, ku mbi tre mijë vota në projektin pilot mbetën të pavlefshme vetëm sepse votuesit nuk e dinin se duhet të konfirmonin votën pasi kishin votuar...

Patjetër qe duhet një fushatë ndërgjegjësimi për mënyrën e re se si do të votohet. Në këtë aspekt, mund të diskutohet edhe propozimi për ndonjë procedurë se si do funksionojë grafikisht votimi, sikurse është konfirmimi i votës. Mund edhe të mos jetë me konfirmim. Por kjo nuk e cenon thelbin e votimit që ne propozojmë. Edhe në votimin manual, ka njerëz që nuk janë të qartë se si duhet votuar. Por këto janë detaje teknike. Për çdo gjë ka një zgjidhje. Madje në botë, sikurse është rasti i Brazilit, me elektronikë votojnë edhe fise indigjene, madje qe janë totalisht analfabetë. Thjesht, vënë gishtin mbi kuadratin në ekran ku shfaqet fotoja e kandidatit.

A ka një propozim zyrtar të Partisë Demokratike për votimin elektronik, duke detajuar edhe mënyrën si e shikoni ju këtë çështje?

Ne kemi paraqitur që në maj të vitit 2016 këtë propozim, pak a shumë mbi këto mendime që ju shtjellova. Ne kemi kërkuar të fillojmë sot menjëherë nga puna. Unë jam një nga firmëtarët e kërkesës për ngritjen e komisionit për Reformën Zgjedhore. Por ne nuk po shkojmë në këtë komision me ide të ngurtësuara, ia kemi thënë edhe palës tjetër, se po vijmë në këtë komision për të folur për parime. Votimi elektronik me identifikim biometrik, sipas konceptit tone, është një nga shtyllat e Reformës Zgjedhore, por, për detajet teknike, jemi të hapur për t’i diskutuar. Nuk po vendosim kushte për detajet. Ne duhet të biem dakord për identifikimin biometrik në qendrën e votimit, për votim elektronik me printim e votës, të tjerat janë faza e dytë, ajo e detajeve. Kemi vënë disa shtylla që mendojmë se e bën procesin zgjedhor më të thjeshtë, më të lehtë dhe më të lirë. Për pjesën tjetër nuk kemi vënë kushte, madje as për sistemin zgjedhor që do të aplikohet, që mund të jetë edhe mazhoritari.

Ekspertët thonë se votimi elektronik nuk e rrit besimin ndërmjet palëve, por besimi duhet të jetë parakusht...

Patjetër, gjithmonë ka mosbesim, procesin duhet ta marrin në dorë ekspertët, qoftë edhe të palëve politike, dhe ata të ulen për të diskutuar. Janë këta ekspertë të elektronikës që duhet të japin garancitë edhe tek palët politike që përfaqësojnë. Politikanët duhet të diskutojnë për çështjen në parim, ekspertët për detajet. Zakonisht, këto propozime për sisteme i bën qeveria, e cila ka më shumë instrumente kontrolli dhe opozita është dyshuese. Por në këtë rast procesi është invers: E propozon opozita, e cila ka analizuar benefitet që sjell, dhe ka gjetur edhe mekanizmat e garancive dhe kontrollit për sistemin që propozon, në mënyrë që të krijohet besimi i nevojshëm.

 

 

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: