Jam e ftuar, jam IN

Jam e ftuar, jam IN
Nga Juela Meçani

Shumë vite më parë, në vitet ’90, aktivitetet e rëndësishme ku mund të kishe fatin të ishe e ftuar, ishin të pakta, por mjaft me rëndësi. Në pjesën më të madhe të rasteve, ato zhvilloheshin në Pallatin e Brigadave dhe, me të vërtetë, aty kishe rastin të takoje e të njihje, aristokracinë e këtij vendi, trurin intelektual të tij, ajkën e trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri, si dhe një përfaqësi të biznesit që ishte në lulëzim.

Më kujtohen mjaft mirë, ftesat e para në pritjet presidenciale. Isha shumë e re dhe për mua ishin ngjarje festive dhe emocionuese, aq sa, disa prej tyre, i ruaj edhe sot. I përjetoje me shumë spontanitet, sepse të ftuarit ishin të përzgjedhur, veçanërisht nga bota e medias dhe televizionit. As që zgjateshe shumë të mendoheshe se çfarë të vishje, mjafton të ishte elegante, por me limit, sepse e fundit gjë që binte në sy në këto pritje ose ceremoni, ishte fustani që kishe veshur apo krehja e flokut, ose edhe çanta e këpucët.

Aty vërtetë bisedohej, ndërveprohej dhe hidheshin tema me rëndësi, asnjëherë të cekëta. Nuk kishte asnjëherë humor vend e pa vend, njerëzit mateshin kur flisnin, i peshonin deklaratat; kuturu, në ato aktivitete, nuk ishte asgjë. E të mendojmë se ishim ende një vend i varfër, por, qoftë edhe rastësisht, seleksionimi ishte i tillë që, pjesa më e madhe, komunikonin në anglisht mirë. Fundja ishim në “provim” përpara botës, ndaj, në ato aktivitete, kalonim që të gjithë në lupë.

Nuk e di, por këto fakte i kujtoj gjithmonë me mjaft nostalgji, e në këto kohët e sotme me vrull e konkurrencë, edhe më shumë. Shikoj ftesa aktivitetesh të publikohen me krenari në rrjetet sociale, si arritje. Qoftë ky një dasmë, përvjetor TV, ndonjë markë e re birre, një ish-parukier që tani ka sallon bukurie, një ish-rrobaqepëse që tani quhet stiliste. Dashur padashur, ashtu si dikur orizi na vinte i paqëruar e na duhej ta ndanim, kokërr më kokërr, nga farërat e këqija, ashtu përzihen edhe këto aktivitete që proklamohen me ftesa me fije ari. Një luftë marrëdhëniesh publike, për të qenë një tufë që ekspozon fustanin e ri ose buzët fringo, ashtu si aleancat e reja politiko-ekonomike. Një domosdoshmëri që të shtiesh në dorë atë, ftesën, sepse po nuk ishe aty, nuk do të kujtohen për ty. Dhe ashtu si produktet e luksit që, në këtë vend të varfër, i kanë edhe 20-vjeçarët, ashtu edhe turrja për t’u dukur, ka bërë të humbasë lezeti i çdo aktiviteti të bukur e me njerëz që bëjnë diferencën. Sepse ke ftesë, sepse je IN. Jeta sociale nuk ka vlerë, as shkollimi yt, në djall vaftë! Duhet të jem në çdo lajm më pas, duhet të merrem një muaj me fustanin, pavarësisht se nuk shkoqis dot dy fjalë.... Por diferencën në këtë vend, nuk e bën dot kushdo, paçka se janë po të njëjtët kudo, në çdo përurim picerie, si dhe në një aktivitet bankar. Seleksionimi natyral-kulturor këtu dështon që në nisje, por të shpresojmë që vetë profesionistët, do të kuptojnë se jo çdo vezullim është diamant dhe një ditë, duhet të marrin në dorë cilësinë e zgjedhjes edhe të aktiviteteve që janë kaq të rëndësishme për vendosjen ose mbajtjen e kontakteve. Sepse ato për këtë arsye janë krijuar, në fakt, e jo për show. Por kemi kohë, do mësojmë. Ndërkohë jam i/e ftuar, ndoshta  aty gjej burrë të pasur ose bëhem deputet, unë jam IN!

Shpërndajeni me miqtë tuaj: