Kampionët “rrëzohen” në shtëpi, komanda i shkon Skënderbeut

Kampionët “rrëzohen” në shtëpi, komanda i shkon Skënderbeut
Skënderbeu fiton duelin e parë me Kukësin kampion në fuqi, që mbeten sërish dy rivalët kryesorë për titullin kampion edhe këtë sezon, madje në “Zeqir Ymeri”.

Bruno Dita mori një pasim nga Afrim Taku dhe e ktheu atë në gol pas 31 minutave lojë, duke befasuar vendasit.

Por në 35’, Alijev në zonë pengohet sipas asaj që pa gjyqtari Kridens Meta dhe 11-metërsh, që Elis Bakaj nga pika e bardhë e kthen në gol. Mbyllet në barazim 1-1 pjesa e parë.

Në pjesën e dytë dy ekipet kërkuan fitoren, por ishte Skënderbeu më kërkues. Gjergj Muzaka fiton një 11-metërsh në 81’. Mesfushori Sabjen Lilaj realizon golin e fitores, me vlerën e tre pikëve. Skënderbeu merr kryesimin me 10 pikë, ose tre pikë më shumë se Kukësi e Teuta, ndërsa ndeshja e fundit e javës së katërt, Partizani-Lushnja, luhet pasdite ora 17:00.

Mladen Milinkoviç, trajner i Kukësit:

“Kur luan në një ndeshje të tillë duhet të jesh në gjendje të mirë dhe ne nuk ishim. Vetëm në disa momente ishim mirë, patëm probleme në mesfushë. Fatkeqësisht donin të fitonim, por nuk ia dolëm dot të merrnin as barazimin. Bëmë edhe disa gabime që sollën humbjen. Në pjesën e parë u ndëshkuam nga një gabim në mbrojtje. Nuk jemi të kënaqur pasi nuk ishim agresiv, nuk dhamë më të mirën. Në derbi nuk ke shumë mundësi, një rast nëse të jepet duhet ta shënosh. E kam thënë edhe më parë që Skënderbeu ka shumë ndeshje, por edhe të ndihmojnë që lojtarët të lidhen me njëri-tjetrin. Nuk duam t’ia ulim vlerën fitores së Skënderbeut, por sot ishim ne dobët. Nëse do të luanin siç ishim përgatitur gjatë gjithë javës rezultati do të ishte ndryshe.”

Ilir Daja, trajneri i Skënderbeut:

“Unë do të thosha që merituam gjithçka sot. Dua të ndalem që ketë fitore ta dedikojmë Gavazaj. Djemtë e merituan fitoren. Rivaliteti në skuadër në shtyn përpara, sepse të gjithë luftojnë për fanellën e titullarit. Kemi startuar mire sepse kemi pasur ndeshje të forta me rivali si Kukësi, Partizani, Flamurtari. Vijmë me ngarkesë nga ndeshjet ne Europë, por prapë ia dolëm. Ekipi ka frymën e shpirtit të garës. Tek penalltia i thashë që nuk duhet të bien. Më pëlqeu performanca e Ditës dhe Takut, janë përshtatur mirë. Kam një grup futbollistësh që dinë të menaxhojnë çdo situatë.”

Sabjan Lilaj, autori i golit të fitores:

“Sot të gjithë lojtarët luajtën shumë mirë, pavarësisht lodhjes ia dolëm të luanim mirë. Kalimi në grupet e Europa League na ka dhënë një hap para kundërshtarëve. Kjo është ajo që na veçon nga kundërshtarët. Sa herë me jep mundësia për të shënuar e shfrytëzoj në maksimumin, kur shënoj jam i kënaqur.”

 Kukësi-Skënderbeu 1-2

Shënues: Bakaj (11-m) 35’/ Dita 31' , Lilaj (11-m) 80'

Kukësi: Koliçi, Hallaçi, Alla, Hoxha, Imami, , Musolli, Kërkotiç, Kale, Guri, Bakaj, (Zeqiri 46’), Alijev, (Shtubina 73’′). Trajner: Mlladen Milinkoviç

Skënderbeu: Shehi, Vangjeli, Jashanica, Aliti, Mici, (Radas 64’) Muzaka, Dita, (Sahiti 68’), Lilaj, Taku, Xhejms, Soue. Trajner: Ilir Daja

Gjyqtar: Kridens Meta

Shpërndajeni me miqtë tuaj: