Ladies in red!

Ladies in red!
“I never will forget, the way you look tonight... The lady in red..”.  Kurrë nuk do ta harroj si dukesh këtë mbrëmje... Zonja me të kuqe... Kështu i këndonte dikur, Chris De Burgh bukurisë dhe tërheqjes së mahnitshme që ka një femër e veshur me të kuqe.

Që në fillimet e kohërave, ngjyra e kuqe ishte personifikim i shkëndijës që niste jetën dhe, në tërë antikitetin, ngjyra e kuqe kishte lidhje me perënditë dhe priftërinjtë. Kështu, në Greqinë e Lashtë ishte e kuqe mbulesa që vendosej në karrigen mbretërore. Të kuqe e përshkruanin edhe veshjen e Afërditës, perëndisë së dashurisë. Imagjinoni pak që, 2800 vjet përpara Krishtit, në epokën e sumerëve, u gjet në varrin e princeshës Shub-ab, një përzierje e kuqe për të lyer buzët. Pra, e kuqja personifikoi më pas, edhe buzëkuqin që ndryshoi historinë e bukurisë. Më 1955, lindi “i kuqi Dior” dhe Christian Dior do të shprehej: “Është ngjyrë stimuluese dhe tërheqëse. Është forca e jetës. E dashuroj të kuqen dhe, për mendimin tim, shkon mirë me çdo ngjyrë lëkure!” Më pas, shumë më pas, erdhi dhe “i kuqi Valentino”, në veshjet e stilistit të madh italian. Kjo linjë u ngrit në kult dhe ka ardhur deri sot. Me një rikthim në pasarelat e modës, në sfilatat e vitit 2012, për disa kohë, u la në hije nga ngjyra e purpurt dhe lejla, në të gjitha versionet, por nuk shkoi gjatë. Këtë vit, ngjyrën e guximshme dhe sensuale, do ta shikojmë gjatë gjithë dimrit. Edhe personazhet tona të showbiz-it, u treguan të shkathëta ta risjellin këtë ngjyrë, me mbërritjen e vjeshtës, - që nga fustanet elegante dhe seksi të Aurela Hoxhës dhe Xhesika Ndojës, te kadifeja mbretërore e Alketa Vejsiut, që na mahnit nga Parisi i dashurisë ndërkohë që Morena Taraku na e sjell në versionin luksoz të peliçes. E shohim në fotot e postuara prej tyre, në versionin “elegant fetish”, të plastifikuar nga Greta Koçi dhe Artea Beberi, por edhe si xhaketë-aksesor nga Vilma Masha dhe aktorja, Laura Nezha. Modelja ndërkombëtare, Anxhela Martini, e risjell në versionin me pika të bardha, lozonjar dhe të lehtë si ajri, ndërkohë që Orinda Huta e kombinon me rozën, në një version sport-shik. Në të gjitha këto kombinime të javës që lamë pas, ngjyra e kuqe është kryefjala. Duket qartë se do të jetë kryefjala edhe në festivalet muzikore dhe aktivitetet që dimri i Tiranës, do të ketë.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: