Lefterie Luzi: Pse do të dështojë votimi elektronik

Lefterie Luzi: Pse do të dështojë votimi elektronik
Ish-kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve analizon propozimin e politikës për të realizuar votimin dhe numërimin elektronik. Pse elektronika nuk mund të funksionojë për të rritur besimin, por, përkundrazi, duhet një marrëdhënie besimi për të implementuar elektronikën. Kostot prej dhjetëra miliona eurosh që nuk sjellin asnjë garanci dhe pse në botë e pranojnë vetëm si një “e keqe e domosdoshme”

Lefterie Luzi ka qenë në krye të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në periudhën 2012-2016. Ajo ka monitoruar zbatimin e dy projekteve-pilot, atë të identifikimit elektronik të votuesve në Tiranë dhe atë të numërimit elektronik në Fier. Të dyja projekte që kanë dështuar. Teksa debati për votimin elektronik është hapur, duke e cilësuar madje edhe kush për marrëveshje politike, ish-kryetarja e KQZ-së, e cila e njeh shumë mirë këtë proces, thotë se mundësia më e madhe është që votimi elektronik të dështojë. “Nëse do të arrijmë në një proces ku palët t’i besojnë njëra-tjetrës, atëherë nuk ka asgjë të pamundur”, thotë Luzi. Por duket se pikërisht mungesa e besimit është arsyeja që shtyn palët drejt ekektronikës. Por, Lefterije Luzi, thotë se elektronika ka shfaqur probleme kudo në botë, probleme që në Shqipëri mund të shfrytëzohen deri edhe për të mos pranuar humbjen në zgjedhje

Intervistoi për Albanian Free Press: Alket Aliu

Gjatë kohës që ju keni qenë në krye të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kanë dështuar dy projekte-pilot: ai i identifikimit elektronik të votuesve në Tiranë dhe ai i numërimit elektronik në Fier. Megjithatë, votimi elektronik duket se është rikthyer në tryezën e bisedimeve mes mazhorancës dhe opozitës, madje si kusht i kësaj të fundit...

Jeni të saktë për atë që thoni në lidhje me kërkesat që po dëgjojmë sot të artikulohen nga forcat politike në lidhje me votimin dhe numërimin elektronik por përpara se të shkojmë këtu, duhet të kthehemi mbrapsh dhe të shikojmë te projektet pilot: Çfarë nuk u realizua apo pse ato dështuan

Dështimi i tyre ishte parashikuar. Pra, ishte menduar që në fillim se, në qoftë se këto projekte do të dështonin, do të vazhdonte votimi manual ashtu siç ka ndodhur në zgjedhjet e vitit 2013.

Dështimi i këtyre projekteve-pilot sigurisht ishte i parashikuar edhe në ligj. Kjo, jo për faktin se duhej të dështonin patjetër, por se ishte një risi, ishte një gjë e cila nuk ishte aplikuar dhe ishte shumë herët për shoqërinë shqiptare për t’u aplikuar në zgjedhje.

Po t’i kthehemi atyre dy projekteve-pilot, arsyet janë të shumta dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në atë kohë, ka dalë edhe me analizë dhe me rekomandime përse këto dy projekte dështuan.

 Po çfarë do të thotë votim elektronik sikurse artikulon sot politika dhe a përfshihet edhe identifikimi elektronik i votuesve?

Partitë politike duhet të jenë të sakta në atë që kërkojnë nëpërmjet këtij procesi. Ka mënyra të ndryshme votimi elektronik dhe numërimi elektronik. Pra, partitë vetë duhet të jenë të qarta se cilën nga këto mënyra do të zgjedhin për të diskutuar që ta aplikojnë në Shqipëri. Janë ato që do të përcaktojnë edhe nëse në këtë proces do të përfshihet edhe identifikimi elektronik i votuesve.

 Ky artikulim duhet të bëhet duke identifikuar vetëm objektivin e kërkuar apo edhe në terma teknikë?

Do të ishte mirë që artikulimi të bëhej edhe në terma teknikë, pra e fokusuar, sepse nëse ti je shumë i gjerë në fillim në atë që bën, atëherë do të hajë shumë kohë në atë se çfarë ti do të zgjedhësh nesër.

 Ju jeni pro apo kundër një mënyre të tillë të votimit?

Së pari, unë do të thosha që duhet të jemi me këmbë në tokë kur flasim për procesin e votimit dhe numërimit elektronik dhe nuk mund të shprehem paraprakisht as pro, as kundër. Duhet të kemi parasysh specifikat e Shqipërisë dhe nuk mund të krahasohemi me vendet e tjera duke thënë: shiko sa mirë eci votimi elektronik, le të marrim për shembull në Belgjikë apo në Indi, dhe pse të mos aplikojmë edhe ne në Shqipëri.

Nuk mund të krahasohemi me asnjë vend tjetër për faktin se ne kemi numër votuesish shumë të vogël krahasuar me vendet e tjera, është minimalist. Ne kemi 3.4 milion zgjedhës nga të cilët vetëm 48 deri në 50 përqind votojnë që do të thotë gati një milion e gjysmë votues. A do të mendonit ju që të aplikohej një votim elektronik për një milion e gjysmë zgjedhës kur India, Filipinet, Brazili, e kanë me qindra milionë numrin e zgjedhësve? Këto vende që aplikojnë votimin dhe numërimin elektronik, nëse do të aplikonin votimin dhe numërimin manual, do të duheshin vite të tëra t’i numëronin votat. Në këto kushte, ata i pranojnë edhe defektet e këtyre makinerive, siç kemi rastin së fundmi në Indi, ku pati problematika në votimin elektronik të tyre. Por në Indi asnjë parti politike nuk kontestoi këto problematika, për arsye se nuk kanë si ta bëjnë ndryshe përveç atij votimi elektronik. Pra, ka një marrëveshje paraprake në kushtet e mirëbesimit në politikë që të pranohet rezultati që do të dalë nga elektronika, pa kontestime.

 Ju thoni që duhet të ketë një besim paraprak për të aplikuar sistemin elektronik, ndërkohë që palët po kërkojnë elektronikën pikërisht për arsye të mungesës së besimit tek njëra-tjetra. Mos jemi në një rreth vicioz?

Sikurse edhe në shtëpinë tonë ndërtohet baza e familjes, edhe në politikë, baza e çfarëdolloj marrëveshjeje është marrëdhënia e besimit që palët kanë tek njëra-tjetra. Aq më tepër kur flitet për zgjedhjet. Në zgjedhje, ky besim duhet të jetë shumë i lartë, sidomos kur do të përdorësh teknologjinë, ky besim duhet të ketë një nivel akoma dhe më të lartë. Mbi elektronikën, baza duhet të jetë besimi.

Nëse thashë më lart se nuk jam as pro, as kundër, është për faktin se, nëse do të arrijmë në një proces ku palët t’i besojnë njëra-tjetrës, atëherë nuk ka asgjë të pamundur.

Por edhe unë kam përshtypjen se ky sistem kërkohet pikërisht për shkak të mosbesimit. Në këtë rast, zgjidhja nuk mund të funksionojë.

Nuk duhet të shkojmë të votimi elektronik për shkak të mosbesimit që kemi ne me zgjedhjet, por duhet e kundërta, duhet të kemi besim që të shkojmë te votimi elektronik. Nëse votimin elektronik e nisim me mosbesim, për mua projekti është i dështuar që në fillim. Njëra nga shkaqet që bëri të dështonin dy projektet-pilotë, përveç shkaqeve teknike, ishte fakti që palët nuk besonin në asnjë pikë të procesit, kur ata e ndërtuan vetë procesin.

Por ka edhe arsye të tjera pse sistemi mund të mos funksionojë, mjafton të shikojmë anën teknike. Në vitin 2013 nuk u arrit të skanohej fleta e votimit ku ishin të regjistruara 66 parti politike, ndërkohë që në Shqipëri numërohen 128 të tilla.

 Ju mendoni se paraprakisht duhet reduktuar ky numër?

Jo thjesht për arsye të votimit elektronik. Partitë politike në Shqipëri janë të ndërtuara në bazë të një legjislacioni të caktuar dhe është një ligj për partitë politike i cili ka ardhur koha të ndryshojë. Në fakt, pati ndryshime në zgjedhjet e fundit, por vetëm për pjesën e financimit të tyre. Nuk u prek fare pjesa se si këto parti funksionojnë. Kemi parti politike në Shqipëri vetëm me një kryetar, të cilat bëhen të gjalla vetëm për zgjedhje, të cilat mbushin numrin e forcave të mëdha politike në zgjedhje. Duhet njëherë e mirë të shkëputemi nga kjo lloj politike nga kjo mënyrë politikëbërje. Partitë duhet të jenë parti të konsoliduara, duhet të jenë parti të cilat kanë statute, të cilat duhet të kenë njerëzit e tyre që i mbështesin, duhet që të respektojnë dhe ato statutet e tyre, të cilat ato vetë i kanë bërë, në zgjedhjen e strukturave brenda partisë duhet të ketë demokraci. Por kur këto parti nuk ekzistojnë për çfarë lloj partie bëhet fjalë. Pra unë them reforma zgjedhore duhet të jetë pak më e gjerë. Nuk duhet të fillojë: Duam votim elektronik apo duam numërim elektronik, por duhet të fillojë realisht në gjithë komponentët zgjedhorë, duke parë në një spektër më të gjerë.

 Le të flasim pak për kostot. Sa do të na kushtojë kjo mënyrë e re votimi?

Financimi është shumë i lartë. Ishin miliona euro në projektet pilotë dhe do të jenë edhe më shumë nëse shtrihet në gjithë vendin. Ky aplikim kushton edhe në vende të tjera të botës, jo vetëm në Shqipëri.

Nuk mund të flitet paraprakisht për një kosto të caktuar, pasi është në varësi të sistemit që sot ë përzgjidhet. Është edhe në varësi të faktit nëse shteti do të blejë gjithë pajisjet dhe do ta ndërtojë vetë sistemin, apo do të marrë vetëm shërbimin nga ndonjë kompani private në rastin e zgjedhjeve. Por, në çdo rast, kostoja është tepër e lartë, shumë më e lartë se varianti që aplikohet sot, ai i votimit dhe numërimit manual.

Në qoftë se do të shkosh pastaj te parimet, se si do të ishte më mirë, këto janë gjëra teknike, të cilat njerëzit dhe financierët i kalkulojnë, por gjithmonë shifra në të gjitha rastet do të ishte shumë e lartë.

Nga ana tjetër, duhet llogaritur edhe zhvillimi teknologjik, pasi mund të ndodhë që pajisjet e blera të dalin shumë shpejt “jashtë loje” për shkak të zhvillimit me ritme të shpejta të teknologjisë dhe do të na duhet të blejmë gjithçka nga e para.

Mirëmbajtja është gjë tjetër. Magazinimi ka një kosto e cila mund të kalojë edhe koston e blerjes. Mund të duket habi, por magazinimi i aparateve ka kosto edhe më të lartë sesa kosto e blerjeve dhe kur të vijë koha e zgjedhjeve, mundet që aparatet të mos përdoren dot. Mund të ndodhë që t’i drejtohesh firmës ku i ke marrë dhe firma të të përgjigjet se këto aparatura nuk janë më në qarkullim. Ashtu sikurse ndodh në shumë raste në jetën e përditshme, bie fjala me modelet e celularëve.

Në Rumani, për shembull, kanë përdorur gjatë zgjedhjeve tip irade, që mund të përdoren vetëm për zgjedhje dhe pastaj u detyruan t’ua falnin shkollave, por ato ishin të përcaktuara dhe të orientuara vetëm për një program të caktuar. Në vitet e tjera, firma private nuk u përgjigj më. Ata u detyruan t’i shpërndanin, por edhe shpërndanë vetëm një aparat me të cilin nuk bëje dot asgjë.

Do të thosha se kostoja është jashtë mase e madhe dhe nuk mundet dot për një milion e gjysmë votues, duke mos patur besim, të aplikosh të tilla projekte kaq të kushtueshme. Dhe në fund çfarë do të sillte? Partia humbëse do të kishte një argument më shumë për të thënë që “i humba zgjedhjet nga sistemi apo nga ajo firmë e cila ka marrë përsipër të bëjë sistemin” dhe që do t’ia gjejnë edhe asaj firme e cila do të bëjë sistemin, nga do t’i ketë të afërmit, nga do t’i ketë të largëtit, nga do t’i ketë njerëzit për t’u manipuluar, sipas tyre, për të manipuluar procesin dhe plot gjëra të këtij lloji.

Rreziku i kostove të larta shtohet në rast të mundësisë së dështimit. Shifres së elektronikut, që do të jetë shumë më e lartë se ajo e manualit, do t’i shtohet kostoja e zgjidhjes së problemit. Kjo do të thotë që procesi do të kthehet nga zero dhe ti do t’i kthehesh përsëri votimit manual. Sepse në rast se ty të dështon sistemi, ti do t’i kthehesh prapë votimit manual, sepse nuk do t’i lesh njerëzit pa zgjedhje, pra do të kesh dy herë kosto.

 Praktikisht, ju po thoni se do të harxhojmë dhjetëra milionë euro për të ngritur një sistem që nuk do të garantojë misionin për të cilin është ngritur?

Pikërisht. Nuk e mendoj se votimi elektronik është zgjidhje në kushtet e mungesës së besimit. Besimin e kanë të parin të vendosur mbi proces. Le t’i referohemi marrëveshjes së fundit që bënë partitë politike para zgjedhjeve. Çfarë solli? Solli që zgjedhjet ishin shumë më të qeta sesa zgjedhjet e kaluara. Pra palët e ndërtuan marrëveshjen mbi njëfarë besimi dhe kjo ndikoi shumë në zgjedhjet, të cilat, ne e pamë shumë mirë, ndryshonin nga zgjedhjet e kaluara. Problematika ka, por po t’i krahasosh me vitet e tjera nga pikëpamja e asaj që partitë politike sollën, ishte më e butë sesa zgjedhjet e tjera.

 Po vetëm numërimi elektronik, a mund të funksionojë i pavarur nga votimi elektronik?

Natyrisht që mund të funksionojë. Por në rastin e projektit pilot na u shfaqën dy problematika që e çuan drejt dështimit dhe që treguan se nuk ka garanci: Numri i madh i partive politike, i cili ishte 66 dhe shenjat që vendoseshin në fletën e votimit që jo gjithmonë i lexonte skaneri.

 Këto problematika mund të evitohen? A ka zgjidhje?

Padyshim që ka zgjidhje, edhe pse nuk ka garanci. Çfarë treguan zgjedhjet e fundit presidenciale në Shtetet e Bashkuara? Që edhe elektronika nuk ka siguri. Dhe shembuj të tillë në botë kemi shumë. Të gjitha vendet që kanë votim elektronik, pikërisht për shkak të problematikave, po kthehen tek manuali. Unë kam qenë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në një shtet ku votohej me të dyja mënyrat, sipas dëshirës së zgjedhësve, dhe kam pyetur një kandidat se cilin sistem preferonte. “Natyrisht, manualin”, m’u përgjigj. E pyeta se përse nuk i besonte elektronikës. “Nuk e di kush e ka bërë softin e elektronikut, unë jam demokrat. Ndoshta e ka bërë një republikan”.

Pra, vetë aparati elektronik ngjall një lloj mosbesimi. Fletën e votimit e ke letër, mund ta nxjerrësh nga kutia dhe ta numërosh dhe rinumërosh, e shikon me sy, ndërsa në elektronikë nuk shikon gjë.

Madje edhe në Brazil tani po kërkojnë të printohet fleta e votimit, pasi njerëzit thonë se nuk e kontrollojnë dot.

Ka vetëm një mënyrë që të funksionojë sistemi elektronik: Të gjitha forcat politike të angazhohen që përpara votimit se, pavarësisht nëse humbin apo fitojnë, të njohin rezultatin.

Por ata që shtrojnë këtë diskutim, “harrojnë” se edhe brenda sistemit të votimit manual ka zgjidhje.

 Cila është kjo zgjidhje?

Përpara se të evidentojmë zgjidhjen, të evidentojmë problemin.

Për çfarë po e kërkojmë votimin elektronik? Kjo duhet të jetë pyetja e parë që duhet t’i drejtohet forcës politike që e kërkon: Për çfarë kërkohet ky sistem? Cili është qëllimi? Duhet të dimë qëllimin që të shkojmë pastaj dhe te mjeti. Cili është problemi dhe qëllimi juaj? Nuk numërohen votat? Nuk i numëruam mirë? Shpejtësia? Cili? Në qoftë se janë këto hajde t’i rregullojmë me votimin manual. Hajde i gjejmë mekanizmat dhe ka mekanizma.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka punuar dhe punon, ka nxjerrë rekomandime dhe për mënyrën sesi mund ta bëjmë më të shpejtë numërimin nëpër qendrat e votimit. Sigurisht do të ishte mirë, unë e kam thënë me kohë, të ngrihet një qendër trajnimi dhe me sa di unë po punohet po vijohet me këtë ide, për të formuar komisionerë të pavarur. Duhet të shkojmë drejt komisionerëve të pavarur, të mos propozohen nga partitë politike.

Edhe në rast se problemi është shpejtësia e numërimit, zgjidhja është. Të bëhet numërimi brenda qendrave të votimit. Ne nuk mund të kthehemi mbrapsh në kohë dhe të themi “e kemi provuar numërimin brenda qendrave të votimit dhe na ka dështuar” sepse koha në të cilën ne e kemi bërë, nuk mund të krahasohet me kohën në të cilën jemi sot. Numërimi në qendrat e votimit është shumë i thjeshtë, sepse maksimumi në çdo qendër janë një mijë vota. Një rrjet i ngritur e çon rezultatin nga qendrat e votimit në qendër dhe brenda orës ti ke rezultatin e gjithë vendit.

Në një qendër votimi nuk u numërokan dot njëmijë fletë votimi? Nuk i numërokan dot komisionerët? Përse të mos evitohet gjithë ajo procedurë e gjatë për t’u mbledhur kutitë dhe për t’u numëruar në vende të përqëndruara? E keni llogaritur në çfarë ore fillon numërimi? Ndonjëherë komisionerët që kanë qene gjithë ditën në qendrat e votimit, por partitë politike i përdorin edhe si numërues, dhe ata të shkretët janë të lodhur dhe ti nuk ke çfarë bën, pra t’u kërkosh më shumë.

Pra, ka zgjidhje sa të duash për ta bërë votimin manual që të funksionojë. Janë vetëm një milion e gjysmë votues dhe të blesh pesë mijë aparate për një sasi të tillë votuesish, më duket e tepërt. Ndërsa brenda sistemit manual të votimit, mund të gjenden zgjidhje më efikase, madje edhe më pak të kushtueshme se ato të deritanishmet.

 Çfarë do të sugjeronit nëse, gjithsesi, do të ecet drejt elektronikës në votim?

Së pari, të ngrihet një komision me përfaqësues të forcave politike por edhe ekspertë të informatikës që ta shqyrtojnë bashkarisht këtë çështje. Së dyti, mendoj se në zgjedhjet e ardhshme, ky proces nuk mund të bëhet. Por, nëse palët e politikës vendosin të shkojnë drejt elektronikut, unë do të sugjeroja të riktheheshin sërish me një projekt-pilot. Jo menjëherë në zgjedhje. Në rast se dështon, dështimi do të jetë vetëm në një zonë të caktuar, ndërsa zgjedhjet në pjesën tjetër do të kryhen normalisht.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: