PARA DILEMËS: SHQIPËRIA ZGJEDH VETËVRASJEN?! – OPINION NGA FRROK ÇUPI

PARA DILEMËS: SHQIPËRIA ZGJEDH VETËVRASJEN?! – OPINION NGA FRROK ÇUPI
 

Nga  Frrok Çupi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Në qoftë se pajtohet me krimin, kombi shkon në humnerë.

Tani nuk është më imponim, tani është zgjedhje. Imponimi ishte kur ishte. Në atë kohë, sapo kishim dalë nga Marrëveshja e Jaltës dhe kishim hyrë në bllokun komunist që ishte nazizmi, thënë ndryshe - regjim i destinuar sipas fatit të Hitlerit, vetëvrasje. Ajo ndodhi. Tani blloku ku jemi angazhuar që në vitin 1990, është blloku lirisë, i zgjedhjeve. Kombi ka të drejtë të zgjedhë edhe vetëvrasjen (nuk është çudi), e cila përsëri mund të quhet liri për të zgjedhur, siç zgjedh individi eutanazinë.

Në vetëvrasje, kësaj here, na çon krimi. Akti më i fundit dhe më kulmor i krimit, është ministri - pjesë, udhëheqës dhe shpëtimtar i bandave kriminale, kundër njerëzve të Europës. Ju të gjithë e dini, kemi nëpër duar një ministër të kapur në akte makabre. Por të gjithë udhëheqësit janë bashkuar rreth ministrit. Këta o vrasin Europën, o na bëjmë të praktikojmë eutanazinë kombëtare. Deri tani, këta kanë bërë hapin e parë të vetëvrasjes sonë.

1.

Në çastin që shumica e Parlamentit nuk pranoi të dorëzojë ministrin bandit (anëtar i bandave - sipas provave të Perëndimit), në atë moment, në emrin e të gjithëve, këta kanë vendosur të mbrohen prej Europës që do të hakmerret. Si hakmerret Europa? Duke të ardhur në shtëpi dhe duke kërkuar banditin. Na kanë vënë thuajse në pozitën e Koresë së Veriut, për të cilën bota ka aplikuar sanksione ndaj popullit korean. Bota vë sanksione, por ka frikë ndaj Koresë kriminale. Ne nuk kemi nukleare (gjë që nuk ka shumë rëndësi), ne na kanë frikë nga bandat kriminale ku bën pjesë edhe ministri, d.m.th., qeveria.

2.

Nëse Parlamenti do të vazhdojë të mos e dorëzojë banditin (anëtar në banda kriminale), atëherë kërkohen dy akte: Ose populli të distancohet nga Parlamenti që ka zgjedhur ose, së bashku me Parlamentin, të distancohemi nga fenomeni shtet nuklear (d.m.th., narkotik - që vret si të vetët ashtu edhe botën. Bota ndodhet brenda një krize të re të shkaktuar nga kërcënimi për vrasje masive. Vrasja me narkotikë nuk është shumë larg nga vrasja me nukleare; veçse e para bëhet në mënyrë të fshehtë, përmes prodhimit të drogës, përmes trafikut nëpër det me grupe kriminale ku bën pjesë edhe ministri. Këta të rrezikut narkotik kanë edhe një masë rreziku më shumë: Këta vrasin paqësisht dhe ndërkohë përdorin konfuzionin global që shkakton rreziku nuklear, për të fshehur veprën e tyre të tmerrshme.

3.

Si mund të distancohet populli nga Parlamenti që mbështet krimin dhe bandat kriminale, deri në qeveri? Thuajse e pamundur. Kjo është më e rënda. Nëse kupola e shtetit percepton se populli do të dalë në sheshe për të kërkuar banditët në zyrat e shtetit, atëherë shteti i përzierë në krime të rënda, nis vrasjen e padiskutueshme (që do të thotë vetëvrasje brenda kombit). Por populli nuk ka prijës kundër krimit; edhe në këtë rast, populli prodhon Parlament dhe Parlamenti prodhon qeveri dhe banda kriminale, por jo solucion kundër krimit shtetëror. Shumë njerëz mendojnë me shpresë se, do të na shpëtojë FBI e Shteteve të Bashkuara. Shumë të tjerë mendojnë se, si vend i NATO-s që infektojmë bllokun me krim, mund të sulmohemi mbi fushat e kanabisit, mbi gomone në det, mbi grupe banditësh ku ndodhet edhe ministri. Po erdhi puna këtu, kjo ndërkaq quhet vetëvrasje. Jemi rasti i parë në botën e përparuar, kur ministri bën katër vjet banditin dhe Parlamenti nuk e dorëzon.

4.

Në njëmijë herë në ditë mendoj se tanimë jemi rast i pashpresë. Kam frikë se na ka mbetur vetëm një zgjidhje optimiste. Cila është zgjidhja optimiste? Edhe kjo që është realisht vetëvrasje, por më e butë. Përderisa ndodhemi të rrethuar nga krimi, ndodhemi edhe në dorë të krimit. Atëherë zgjidhja e vetme është, të na shpëtojnë kriminelët. Si ndodh kjo në rastin konkret? Në rastin konkret ndodh që Europa plus FBI, të kërkojnë ministrin tonë bandit (anëtar bandash). Përderisa Parlamenti shqiptar, d.m.th., Shqipëria nuk e dorëzon Saimir Tahirin, Italia ka të drejtën dhe kapacitetet e plota ta shpallë në kërkim ndërkombëtar. Kjo do të ndodhë, padyshim. Sepse banda e Tahirit, sapo është burgosur në Itali. Ditën që do të nisë gjyqi ndaj bandës, nuk mund të nisë pa Tahirin që është kyçi.

Po çfarë do të ndodhë pas kësaj?... Këtu nis odiseja që kriminelët na japin të drejtën. A nuk duket e tmerrshme?! Por këtu do të nisë që ministri bandit të tregojë shokët. Shokët janë në gjithë kupolën e shtetit- fatkeqësisht. Këtë e dëshmoi rezistenca e partisë dhe kuvendit të saj, për të mbrojtur krimin dhe autorin. Pas kësaj mund të vijë zbërthimi.

A na jep zgjidhje kjo? Edhe kjo do të na mbajë kokulur, për pesëqind vjet të tjerë, por të paktën është mënyra më e butë e alternativës së vetëvrasjes.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: