Përfundon mbledhja e Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit, Kuvendi do të vendosë të mërkurën

Përfundon mbledhja e Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit, Kuvendi do të vendosë të mërkurën
Këshillit të Mandateve, Rregullores dhe Imunitetit ka përfunduar mbledhjen me dyer të mbyllura e cila zgjati për rreth 3 orë teksa u shqyrtuan provat e Porkurorisë për Tahirin.

Këshilli do të dalë me dy raporte për seancën plenare të së mërkurës pasi mazhoranca i qëndroi vendimit për të mos dhënë autorizim për arrestimin e  Tahirit, duke kërkuar vetëm hetim ndaj tij.

Nga ana tjetër opozita votoi pro kërkesës së prokurorisë për arrestimin e deputetit.

Pas mbledhjen përfaqësuesi i LSI-së, Nasip Naço informoi lidhur me votimin si dhe tha se do të jetë Kuvendi i cili do të vendosë me votë.

“Opozita votoi pro për të gjitha kërkesat që kishte sjellë organi i prokurorisë, ndërsa PS, 5 deputetët e saj votuan për variantin tjetër, vetëm për kontrollin personal dhe kontrollin e banesës duke përjashtuar në të gjitha rastet kërkesën e arrestimit. Besoj që me këtë mënyrë votimi do të kenë dy raporte. Një që mbështet plotësisht organin e prokurorisë në kërkesat e saj dhe raporti i dytë do të jetë vetëm për kontrollin personal dhe të banesës. Do të jetë Kuvendi ai që do të vendosë me votë. Shpresoj që deri ditën e mërkurë gjërat do të ndryshojnë dhe ata që e pranuan pjesërisht ta pranojnë plotësisht kërkesën e organit të prokurorisë. Është paravendosur ditë më parë që seanca do të jetë ditën e mërkurë dhe ditën e enjte” u shpreh Naço.

Gjithashtu pas mbledhjes kanë reaguar edhe përfaqësues të PD-së dhe PS-së.

Enkelejd Alibeaj i PD-së u shpreh se Partia Socialiste votoi kundër dhënies së autorizimit për arrest, pasi ata janë kapur nga krimi e mafia sipas Alibeaj.

Ndërkohë Gent Strazimiri tha se nuk është korrekte që të ndahet kërkesa e Prokurorisë.

Nga ana tjetër Ulsi Manja i PS u shpreh se pritej të kishte dy qëndrime por tha se PS është e shqetësuar për drejtësinë ndërsa opozita ka hallin e pushtetit.

Ishte e natyrshme që do kishim dy qëndrime, sepse ne si shumicë jemi të shqetësuar për të vërtetën, dhe këtë e kërkojmë te organet e drejtësisë, ndërsa opozita nuk ka hallin e drejtësisë, por hallin e pushtetit. Ndaj dhe do kishim dy qëndrime. Lidhur me kërkesën e Prokurorisë, ne e pranuam për dhënien e autorizimit për kontrollin e banesës dhe atë personal. Prokuroria është e lirë të vijojë me dinamikën e veprimit në funksion të çështjes, ndërsa lidhur me kërkesën për dhënien e autorizimit për arrestimin e Tahirit, ne çmojmë se kërkesa e prokurorisë nuk mbështetje në prova. Pra, prokuroria shqiptare është e lirë pas vendimmarrjes në Kuvend të vijojë hetimet me të njëjtën dinamikë, pavarësisht se kanë nisur vetëm 72 orë më parë, ne do e mbështesim prokurorinë deri në fund. Vetë Tahiri tha se është në dispozicion të Prokurorisë dhe nuk do largohet jashtë shtetit. Këto vendimmarrje pati shumica sot në Këshill” tha Manja. /f.ç/

Foto: Google

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: