Rama: Ndryshim rrënjësor për Kaninën dhe Orikumin

Rama: Ndryshim rrënjësor për Kaninën dhe Orikumin
Pas mbledhjes dy ditore të qeverisë në Vlorë kryeministri Edi Rama inspektoi punimet në qendrën e Kaninës, e cila do të transformohet si pasojë e rilindjes urbane. “Këtu duhet të bëjmë sheshin kryesor. E shpallëm zonë të mbrojtur të trashëgimisë kulturore. Duhet ta fillojmë nga këtu të rikthejmë në jetë ish-Qendrën e Kulturës, të bëjmë një sallë konferencash që të jetë dhe në funksion të Vlorës.” – u shpreh Kryeministri.

Kryeministri inspektoi edhe nënstacionin elektrik si dhe parkun arkeologjik të Orikumit për të cilin tha se do të zgjidhë gjithë dramën e bregdetit të Jonit. “Gjithë drama e rëndë e shumë viteve të bregdetit Jon, – u shpreh Kryeministri Rama gjatë inspektimit të punimeve, – me këtë zgjidhet përfundimisht se ky është segmenti i fundit i boshllëkut që ishte krijuar që nga elektrifikimi dhe që ka torturuar dynjanë këtu, plus që e bënte sezonin turistik një torturë më vete.”

Ndërsa për parkun arkeologjik të Orikumit, ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro u shpreh se kemi një rritje të numrit të turistëve. “Në 2017, krahasuar me 2013, kemi 110% rritje të numri të turistëve” – tha ministrja Kumbaro. Parku Arkeologjik i Orikumit, një destinacion turistik i preferuar, për natyrën e tij detare dhe malore, për historinë dhe kulturën, së fundmi është në proces rikualifikimi. /s.i/afp.al/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: