Rëndësia e miqësisë

Rëndësia e miqësisë
Nga Lucca Mazzucchelli

Nuk është me siguri një lajm për faqe të parë, por ja që kemi tendencën ta harrojmë. Shpesh i quajmë miqtë sikur i kemi në xhep, dedikohemi më shumë ndaj familjes dhe lëmë pas dore miqtë, nuk impenjohemi për të bërë miqësi të reja e as për të kultivuar ato të vjetrat.

Kjo tendencë është në rritje. Në një investigim të vitit 1985, u pyet një kampion i gjerë njerëzish që të hartonin një listë me numrin e miqve, me të cilët, në 6 mujorin e fundit, kishin diskutuar pjesë ose ngjarje të rëndësishme të jetës. 59 % e subjekteve të pyetura deklaruan se kishin të paktën 3 miq që korrespondonin me përshkrimin. I njëjti investigim u përsërit në vitin 2004. Këtë herë, vetëm 37 % e të intervistuarve kishin 3 ose më shumë miq të tillë, ndërkohë që 25 % e të intervistuarve kishin 0 miq të tillë. Pra, duke u bazuar në vlerësimet e fundit që kemi në dorë, duket se 1 në 4 persona nga ne nuk ka asnjë mik të ngushtë me të cilin të ndajë jetën e tij. Janë shifra aspak ngushëlluese, edhe sepse kërkimet tregojnë që....

Kemi nevojë për miqtë që të qëndrojmë të shëndetshëm!

Julianne Holt-Lunstad, profesoreshë e psikologjisë në Brigham Young University, ka drejtuar një analizë mbi 148 studime dhe ka dalë në konkluzionin se mungesa e një mbështetjeje sociale është e bashkangjitur me shkaqet kryesore të vdekjes. Personat me një grup të qëndrueshëm miqsh kanë 50 % më shumë probabilitet që të mbijetojnë në çdo moment të jetës, krahasuar me ata persona që nuk kanë mbështetje sociale.

Doktoresha Holt-Lunstad, Gjithashtu, ka llogaritur se të kesh pak lidhje sociale është ekuivalente si të pish 15 cigare në ditë, madje është një zakon edhe më i rrezikshëm se sa obeziteti ose të mos praktikosh aktivitet fizik. Shëndeti, gjithsesi, nuk është faktori i vetëm në diskutim. Në fakt.....

Kemi nevojë për miq edhe për të njohur vetveten!

Miqtë tanë shpesh na njohin më shumë se sa ne njohim vetveten. Në veçanti, sipas Simine Vazire, psikologe që drejton “Personality and Self-Knowledge Lab” në Washington University në Saint Louis, miqtë tanë janë më të zotë se ne për të përshkruar anët tona të sjelljes. “Miqtë mund të vlerësojnë më mirë se ne nëse jemi persona argëtues, dominantë, tërheqës etj.”-ka shpjeguar ajo. Sigurisht që miqtë nuk mund të jenë më të zotë se ne për të kuptuar atë që ndjejmë ose mendojmë, por janë superiorë në saktësimin e koeficientit tonë të inteligjencës, të cilin ne kemi tendencën ta nënvlerësojmë. Gjithashtu.....

Miqtë na bëjnë më të lumtur se çdo gjë tjetër në jetë!

Keni tre miq në punë? Shumë mirë pra, sipas një studimi, keni 96 % probabilitet më shumë që të jeni të kënaqur nga jeta juaj, në përgjithësi.

Gjithashtu, Fowler e Christakis kanë zbuluar se kemi 15 % më shumë probabilitet të jemi të lumtur nëse miqtë tanë janë të lumtur. Çdo mik i palumtur, ul lumturinë tonë me 7 %, kanë shkruar këta autorë. Interesant është fakti që , sipas studimeve, nuk ndodh kështu me anëtarët e familjes, të cilët nuk kanë këto efekte.

Të kesh një mik që e takon çdo ditë, në krahasim me të mos ta kesh, rezulton të ketë të njëjtin impakt në mirëqenien e përgjithshme, të njëjtë me të fituarit e 100 mijë dollarëve më shumë në vit.

*përkthyer nga blogu i autorit

Shpërndajeni me miqtë tuaj: