Sa taksa do të paguajnë shqiptarët vitin që vjen?

Sa taksa do të paguajnë shqiptarët vitin që vjen?
Sa taksa do të paguajmë nga 1 janari i vitit të ardhshëm? Përgjigjia gjendet tek Paketa Fiskale 2018, e cila tashmë është bërë gati nga ekspertët e Financave dhe ka nisur të diskutohet me grupet e interesit. Risia e saj kryesore, mesa duket është ajo e mospërfshirjes së të gjitha bizneseve të vogla në regjimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, por vetëm e një pjese të caktuar të tyre. Fjala është pikërisht për ata që realizojnë një xhiro mbi 2 milionë lekë. Kurse ata që raportojnë një xhiro nën këtë shifër, do të përjashtohen prej skemës së TVSH-së. Duke shënuar në këtë mënyrë një “kthesë” të dukshme të qeverisë prej vendimit paraprak të saj për ta taksuar të gjithë biznesin e vogël, pa përjashtime, me Tatim mbi Vlerën e Shtuar. Fakt ky i bërë me dije dje nga vetë kreu i Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj, gjatë një takimi me biznesin. Konkretisht, sipas tij, TVSH-ja do të aplikohet deri në nivelin prej 2 milionë lekësh xhiro të sipërmarrjes së vogël. Ndërsa do të përjashtohen apriori prej saj ambulantët, tregjet e bagëtive dhe zejtarët. Sipas tij, me një përllogaritje të tillë, i bie që nëse sot figurojnë rreth 70 mijë biznese jashtë skemës së deklarimit të TVSH-së, pas 1 janarit 2018 brenda saj do të futen vetëm 9 mijë të tilla. Kurse 61 mijë do të mbeten të përjashtuar, pikërisht  për shkak të nivelit të ulët të xhiros së tyre, nën 2 milionë lekë e kësisoj do t’i “shpëtojnë” kësaj takse të re, pa u rënduar edhe në kostot e biznesit të tyre. Më tej, argumenti që ministri dha për marrjen e një mase të tillë është pikërisht strukturimi i të gjitha transaksioneve që kryen biznesi. “99% e të ardhurave nga TVSH-ja vjen nga biznesi i madh. Ai është fokusi ynë. Por tani kemi shtuar një instrument plus për të patur një skanim më të thellë të transaksionit të TVSH-së”, sqaroi ai. Por Tatimi mbi Vlerën e Shtuar gjatë vitit të ardhshëm do të pësojë ndryshime edhe në lidhje me disa kategori të tjera, të tilla si ajo për hotelerinë e luksit në vendin tonë. Konkretisht, sipas Paketës Fiskale 2018, në hotelet me 5 yje, duke nisur që nga 1 janari 2018, përveç fjetjes dhe mëngjesit, TVSH-ja e reduktuar në nivelin prej 6% do të aplikohet edhe për të gjitha shërbimet. Madje, qeveria duket se ka menduar akoma edhe më shumë për sektorin e turizmit, duke i favorizuar pikërisht hotelet e luksit me heqjen e tatimit mbi fitimin për dhjetë vitet e para. Edhe pse me një efekt negativ të llogaritur prej 93 milionë lekësh në buxhetin e shtetit, kjo konsiderohet një masë e dobishme ndaj turizmit sipas saj.

RISIA

Kush ka makinë luksoze, nga 1 janari 2018 të mendohet mirë

Të gjithë qytetarët shqiptarë që disponojnë një makinë luksoze, duhet të mendohen mirë rreth mbajtjes së saj. E kjo, pasi duke nisur nga 1 janari 2018, atyre do t’u ngarkohet një taksë e re. Konkretisht, sipas Paketës së re Fiskale, të gjitha ato që konsiderohen automjete luksi, edhe autoveturat deri në 6+1, do të përfshihen tashmë në taksimin e tyre të përvitshëm. Kujtojmë ndërkaq, se deri tani në ligjin ekzistues kanë qenë të taksuara makinat deri 4+1, të cilat plotësojnë të paktën një nga kriteret: a) cilindratën të barabartë ose më të madhe se 3000 cm3; ose b) vlerën/çmimin të barabartë ose më shumë se 5 milionë lekë. Por tashmë me ndryshimet e reja në ligjin “Për taksat kombëtare”, ndryshon pragu i taksës së regjistrimit fillestar dhe taksës së përvitshme për automjetet luksoze, duke futur tek këto të fundit edhe ato me hapësirën deri në 6+1.

KRAHASIMI

Biznesit do t’i ndryshohet mot edhe taksa për tabelë

Sipërmarrjet që ushtrojnë aktivitet privat në Shqipëri duhet të përgatiten që mot të paguajnë taksa të reja edhe për tabelat që vendosin. Konkretisht, në paketën fiskale të vitit 2018, bëhet një riformatim i taksës ekzistuese, bazuar në sipërfaqen e shtrirjes së saj. Kështu, tabelat me një sipërfaqe të caktuar taksohen 100%. Por mbi këtë sipërfaqe, për çdo diapazon rritje niveli i taksës ulet në 85%, 75%, 55% dhe 40% ndaj nivelit 100%. Kurse sa i përket ndriçimit, taksa e tabelës elektronike është më e larta, 100%, duke u ulur në 77% për ato me ndriçim dhe 44% për tabelat e thjeshta.

FAVORI

Kush ushtron biznes IT, do paguajë më pak taksa

Të gjithë ata që ushtrojnë një aktivitet privat që i përket fushës së informacionit dhe teknologjisë, e njohur si IT, duket se janë ndër më të favorizuarit sa u përket taksave që do paguajnë duke nisur nga 1 janari i vitit të ardhshëm. Dhe kjo, pasi paketa e re fiskale i favorizon ata me një ulje të normës së tatim-fitimit deri në nivelin prej 5%. Ndryshe nga bizneset e natyrave të tjera, që e kanë më të lartë atë. Nga ana tjetër, parashikohet edhe reduktimi i disa tarifave doganore të aplikuara në import të cilat kanë të bëjnë me produktet që përdoren në fushën e teknologjisë së informacionit.

Nga mot, shtëpitë dhe cigaret do të na kushtojnë më shtrenjtë

Kush pi cigare, duhet ta parashikojë që tani se vitin e ardhshëm do të nxjerrë më shumë pará nga xhepi për t’i blerë ato. Sikundër edhe të gjithë ata që janë pronarë të një shtëpie, por edhe disa të tillave. Që të gjithë do të “penalizohen” me një rritje të pagesave ndaj tyre, për shkak të rritjes së tarifave me të cilat qeveria i takson ato. Konkretisht, Paketa e re Fiskale, që shoqëron Projekt-Buxhetin 2018, parashikon që akciza për cigaret që përmbajnë duhan për vitin e ardhshëm të bëhet në nivelin prej 5850 lekësh, për 1000 copë. Teksa aktualisht, ky nivel është vetëm 5750 lekë. Mesa duket, qeveria ende po vazhdon me politikën e rritjes së akcizës së produktit të duhanit, si një metodë për frenimin dhe uljen e konsumit të cigareve nga popullata vendase. Gjë e cila në fakt, gjatë kësaj Pakete Fiskale, nuk bie aspak në sy me produktin e birrës, akciza e të cilës gjithashtu pësonte rritje teksa paraqitej një e tillë thuajse çdo fundviti. Nga ana tjetër, sa i përket taksimit të ndërtesave, Paketa Fiskale 2018 e ndryshon metodologjinë e saj. Konkretisht, nga një taksë fikse që bazohej vetëm në sipërfaqen e ndërtesës e shprehur në m2, duke nisur nga 1 janari 2018, ajo do të jetë një taksë e përllogaritur në përqindje, e cila aplikohet mbi vlerën reale që kjo ndërtesë zotëron në treg. Më në detaje, ekspertët e Financave parashikojnë që taksa për ndërtesat me qëllim banimi të jetë në nivelin prej 0.05%, kurse ajo për qëllime biznesi të jetë  më e lartë, deri në nivelin prej 0.15%. Në këtë mënyrë, bëhet një ndarje e funksionit që ka ndërtesa si e tillë, duke bërë kështu që për shtëpitë të paguhet më pak taksë, kurse për bizneset më shumë nga ata që figurojnë se janë “pronarë” të tyre. “Shkalla e taksës mbi ndërtesat e cila aplikohet si përqindje e bazës së taksës, është si më poshtë:  0.05% për ndërtesën ku taksapaguesi ka banimin e përhershëm ose zakonisht banon. 0.15% për ndërtesën që përdoret, shfrytëzohet për veprimtari ekonomike”, thuhet saktësisht në draftin e qeverisë, lidhur me një ndarje të tillë. Për të qartësuar më tej se “baza e taksës mbi ndërtesat është vlera e saj e cila llogaritet në përputhje me metodologjinë dhe procedurat e përcaktuara me Vendim të Këshillit të Ministrave”. Ndërsa në lidhje me amortizimin e një ndërtese, gjithashtu do të aplikohen nënkategorizime të veçanta. Madje, projekti i qeverisë shkon edhe më tutje, duke përcaktuar se agjenti tatimor që do ta mbledhë këtë lloj takse do të përfitojë 2% të saj. Pa caktuar ende në fakt, se cili do të jetë ai. Ndërsa efekti pozitiv që parashikohet se kjo taksë do të sjellë në të ardhurat e buxhetit të shtetit, është rreth  2.4 miliardë lekë.

70 lloje mallra do të hyjnë pa doganë

Nuk janë pak, por plot 70 lloje mallrash të cilat duke nisur nga 1 janari i vitit të ardhshëm do të mund të importohen në Shqipëri pa paguar doganë. Fjala është konkretisht për disa produkte që përdoren në fushën e teknologjisë së informacionit, për të cilat deri tani paguhej tarifë doganore në nivelin prej 2%, por që tashmë bëhet zero. Nga ana e tyre, ekspertët e Financave e kanë argumentuar një masë të tillë me faktin se Shqipëria është anëtare e Organizatës Botërore të Tregtisë dhe si e tillë, falë një marrëveshje të quajtur ITA, që vendet e saj aplikojnë për mosdoganimin e produkteve që përdoren në teknologjinë e informacionit, i bie që edhe ajo ta aplikojë një masë të tillë.

Projekt-Buxheti 2018 ka shtuar dhe të ardhurat, dhe shpenzimet

Shtim të ardhurash, por edhe shpenzimesh në të njëjtën kohë, krahasuar me vitin 2017. Kjo është ajo çka parashikon dokumenti themeltar i financave të shtetit, Projekt-Buxheti 2018, i cili tashmë i është dorëzuar Kuvendit prej qeverisë. Duke synuar në këtë mënyrë që të mbajë një rritje ekonomike deri në nivelin e parashikuar prej 4.5%, por në të njëjtën kohë edhe të ulë më tej borxhin, të paktën me nivelin prej 2%. Konkretisht, sipas këtij drafti, bëhet me dije se qeveria shqiptare parashikohet që gjatë vitit 2018 të mbledhë plot 464.2 miliardë lekë, me një rritje deri në nivelin prej 6.4%, krahasuar me vitin që po mbyllim. Ndërsa nga ana tjetër, ka parashikuar që mot të shpenzojë plot 496.6 miliardë lekë. Sa i përket fondit të planifikuar për pagat, ai do të jetë në vlerën totale të 65 miliardë lekëve, duke shënuar një rritje me nivelin prej 10.5% në krahasim me këtë vit. Sikundër, një vlerë e madhe e buxhetit do t’i shkojë edhe investimeve, kryesisht ato në formën e koncesioneve, të njohura ndryshe edhe si partneritet publik-privat.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: