Sezoni i gripit, cilat janë kategoritë që duhet të vaksinohen

Sezoni i gripit, cilat janë kategoritë që duhet të vaksinohen
Momenti se kur fillon sezoni i gripit dhe kur mbaron, është i paparashikueshëm. Kështu, rekomandohet që njerëzit të bëjnë vaksinën e gripit në fillim të vjeshtës, por edhe nëse ajo kryhet më vonë, për specialistët, është e pranueshme. Ekspertja e ISHP-së, Erida Nelaj, tregon për “Albanian Free Press” cilat janë kategoritë kryesore që duhet të kryejnë këtë vaksinë

Sonila Isaku

Jemi në mesin e vjeshtës dhe, si çdo vit tjetër, specialistët e Institutit të Shëndetit Publik, nuk harrojnë këshillat për kryerjen e vaksinës së gripit. Ajo që duhet të dimë është se vaksina e gripit funksionon realisht dhe është mënyra më e mirë për të mbrojtur veten dhe familjen prej tij. Vaksina e gripit injektohet me një gjilpërë, zakonisht në krah. Tipet e virusit të gripit janë vazhdimisht në ndryshim, kështu është e domosdoshme që një vaksinë e re gripi të prodhohet çdo vit. Shkencëtarët krijojnë vaksinën e re, përpara se të fillojë sezoni i gripit, duke parashikuar tipin e virusit që ka të ngjarë të përhapet më shumë, gjatë sezonit të ardhshëm. Momenti se kur fillon sezoni i gripit dhe kur mbaron, është i paparashikueshëm. Ndaj rekomandohet që njerëzit të bëjnë vaksinën e gripit në fillim të vjeshtës. Por edhe nëse ajo kryhet më vonë, për specialistët, është e pranueshme. Ekspertja e ISHP-së, Erida Nelaj, tregon për “Albanian Free Press” cilat janë kategoritë kryesore që duhet të kryejnë këtë vaksinë.

Të sëmurët kronikë

Çdo vit, miliona njerëz sëmuren nga gripi. Qindramijë shtrohen në spital dhe mijëra të tjerë vdesin nga gripi. Kushdo mund të infektohet nga gripi dhe problemet serioze që lidhen me të, mund të ndodhin në çdo moshë. Por disa persona kanë një rrezik më të lartë për të zhvilluar ndërlikime të rënda të lidhura me gripin si p.sh. ata që janë 65 vjeç e lart, njerëz të çdo moshe me sëmundje kronike (diabeti, astma, sëmundjet e zemrës, etj.), personat që janë mbipeshë, gratë shtatzëna dhe fëmijët e vegjël. Mënyra më e mirë dhe hapi më i rëndësishëm për ta parandaluar, është aplikimi i vaksinës së gripit çdo vit. Vaksinimi rekomandohet për të sëmurët kronikë me: astmë bronkiale, sëmundje të zemrës (p.sh., sëmundje kongjenitale e zemrës, insuficiencë kardiake, sëmundje e arteries koronare, etj.); sëmundje kronike të mushkërive (p.sh., sëmundje pulmonare obstruktive kronike [COPD] dhe fibrozë cistike); sëmundje neurologjike dhe të zhvillimit nervor, përfshi këtu sëmundje të lidhura me trurin, palcën kurrizore, nervat periferike dhe muskujt si p.sh., paraliza, epilepsi, paaftësi intelektuale, vonesë të moderuar ose të rëndë zhvillimi, distrofi muskulore ose dëmtim i shtyllës kurrizore, etj.; sëmundje të gjakut, sëmundje të sistemit endokrin (p.sh., diabet), sëmundje të veshkave apo mëlçisë, çrregullime metabolike (të tilla si çrregullime të trashëguara metabolike dhe çrregullime mitokondriale); sëmundje që dobësojnë sistemin imunitar, si pasojë e sëmundjes apo medikamenteve (si p.sh., HIV ose AIDS, kancer ose sëmundje kronike me përdorim steroidesh); terapi afatgjatë të aspirinës dhe atyre që janë më të vegjël se 19 vjeç dhe mbipeshë ekstreme.

Personat me sëmundje të zemrës dhe trurit

Njerëzit me sëmundje të zemrës, ose ata që kanë pasur një goditje në tru, kanë një rrezik më të madh për të pësuar komplikacione të rënda mjekësore nga gripi, duke përfshirë përkeqësimin e sëmundjes së zemrës. Gjatë sezonit të gripit 2016-2017, u vu re se personat e rritur të shtruar në spital, vuanin kryesisht dhe zakonisht nga sëmundjet kronike të zemrës.

Personat me sëmundje të mushkërive

Njerëzit që vuajnë nga astma, sëmundja kronike obstruktive pulmonare (COPD) ose sëmundje të tjera të mushkërive, kanë një rrezik më të lartë për komplikacione të gripit, edhe kur gjendja e tyre shëndetësore është e lehtë dhe shenjat e tyre kontrollohen. Personat me astmë dhe COPD janë të ndjeshëm në lidhje frymëmarrjen. Inflamacioni i shkaktuar nga gripi, mund të shkaktojë përkeqësim të shenjave të astmës dhe të COPD. Njerëzit me astmë, COPD ose sëmundje të tjera që ndikojnë tek mushkëritë, kanë më shumë gjasa të zhvillojnë pneumoni dhe sëmundje të tjera të frymëmarrjes, pasi sëmuren nga gripi. Vaksinimi ndaj gripit rekomandohet për personat me astmë, COPD, ose sëmundje të tjera që ndikojnë në mushkëri. Njerëzit me astmë, kanë rrezik të lartë për sëmundje të rëndë të gripit dhe komplikacione të tij.

Diabetikët

Njerëzit me diabet edhe nëse trajtohen mirë, kanë më shumë gjasa sesa personat e shëndetshëm, të kenë komplikacione nga gripi - siç është pneumonia, gjë që mund të çojë në hospitalizim.

Të sëmurët me kancer

A kanë personat që vuajnë nga kanceri dhe të mbijetuarit prej tij, më shumë gjasa të infektohen nga gripi se të tjerët? Deri tani, dihet vetëm se kanceri mund të rrisë rrezikun për ndërlikimet nga gripi. Personat që janë me kancer ose kanë pasur lloje të caktuara të kancerit në të kaluarën (si p.sh., limfomë ose leuçemi), kanë rrezik të lartë për komplikacione të gripit, duke përfshirë hospitalizimin dhe vdekjen. A duhet që personat me kancer dhe të mbijetuarit prej tij, të vaksinohen ndaj gripit? Po. Personat që vuajnë nga kanceri ose me një histori të mëparshme të kancerit, duhet të marrin vaksinën ndaj gripit sezonal çdo vit. Njerëzit që jetojnë me/ose kujdesen për pacientët me kancer dhe të mbijetuarit prej tij gjithashtu, duhet të vaksinohen kundër gripit sezonal.

Çfarë përmban vaksina ndaj gripit?

Vaksina ndaj gripit sezonal, përmban pjesëza të vrara të viruseve të tij, që parashikohen të qarkullojnë gjatë sezonit të gripit. Sistemi ynë imunitar i trupit i përdor këto grimca për të prodhuar kundërtrupat e nevojshëm, që mbrojnë njeriun nga infeksioni i gripit.

Megjithëse jam vaksinuar ndaj gripit, përse ende sëmurem?

Vaksinimi me vaksinën e gripit sezonal të mbron vetëm ndaj disa viruseve të tij. Vaksina e gripit nuk të mbron ndaj viruseve të tjerë që shkaktojnë rrufën, të ftohtit e zakonshëm, apo sëmundje të ngjashme me gripin. Prandaj, mund të sëmureni nga këto sëmundje edhe pse keni marrë vaksinën.

Gratë Shtatëzana

Gripi në shtatzëni

Gratë shtatzëna që preken nga gripi, mund të sëmuren shumë më rëndë, sesa personat e tjerë. Studimet kanë treguar se gratë shtatzëna me një sëmundje respiratore, nga gripi kryejnë më shumë vizita mjekësore, më tepër shtrime dhe qëndrime të gjata në spital. Ndaj, këshillohet edhe vaksinimi i tyre. Vaksinimi kundër gripit është element thelbësor i kujdesit prenatal, sepse gratë shtatzëna janë më tepër të rrezikuara për të kaluar një sëmundje të rëndë dhe vdekje nga gripi. Raportet e rasteve dhe studimet e kufizuara, tregojnë se shtatzënia mund të rrisë rrezikun e komplikacioneve të rënda mjekësore të gripit. Përveç kësaj, mbrojtja e nënës nga vaksina është e vetmja strategji efektive për të sapolindurit, sepse përdorimi i vaksinës rekomandohet vetëm kur foshnjat janë mbi 6 muaj. Vaksina e gripit mund të merret në çdo kohë, gjatë shtatzënisë. Gratë shtatzëna këshillohen ta marrin sa më shpejt të jetë e mundur dhe të këshillohen me gjinekologët e tyre ose ofruesit e tjerë të kujdesit shëndetësor, rreth imunizimit.

Vaksina dhe fetusi

Marrja e vaksinës së gripit gjatë shtatzënisë, është hapi më i rëndësishëm për të mbrojtur veten dhe foshnjën. Pas lindjes, ju mund ta mbroni fëmijën duke e ushqyer me gji dhe duke u siguruar që anëtarët e tjerë të familjes dhe kujdestarët, të vaksinohen.

Gripi dhe shtatzënia

Megjithëse vaksinimi ndaj gripit është mënyra më efektive për ta parandaluar atë, nëse mendoni se keni shenja të gripit, të tilla si temperaturë, ethe, dhimbje muskujsh, dhimbje fyti etj., kontaktoni menjëherë gjinekologun ose ndonjë ofrues tjetër të kujdesit shëndetësor. Nëse keni shenja të rënda, siç është temperaturë më e lartë se 38°C e shoqëruar me vështirësi në frymëmarrje, marramendje kur jeni në këmbë, ose dhimbje në gjoks, kërkoni kujdes të menjëhershëm mjekësor.

Personeli shëndetësor

Bluzat e bardha mund t'ia ngjisin virusin e gripit të tjerëve edhe kur nuk keni shenja klinike. Pra, edhe kur mendoni se jeni të shëndetshëm, ju mund të jeni duke rrezikuar jetët e të tjerëve. Ju duhet të vaksinoheni çdo vit! Çdo vit shfaqen shtame të reja të virusit të gripit. Edhe nëse jeni vaksinuar vitin e kaluar, imuniteti që keni është jo i mjaftueshëm dhe ju nuk do jeni të mbrojtur ndaj viruseve të gripit që janë në qarkullim.

Si vepron vaksina?

Vaksina e gripit sezonal mbron ndaj viruseve të cilët mendohet se do të qarkullojnë gjatë sezonit të gripit, kryesisht nga tetori deri në maj. Kundërtrupat fillojnë të zhvillohen në trup. dy javë pasi është kryer vaksina. Këto kundërtrupa të mbrojnë ndaj infeksioneve të shkaktuara nga viruset e gripit, të cilët janë të ngjashëm ose të njëjtë me ato viruse me të cilët është prodhuar vaksina.

Kush nga personeli shëndetësor duhet të vaksinohet?

I gjithë personeli i sistemit shëndetësor, i cili ka kontakt të ngushtë me pacientët, duhet të vaksinohet ndaj gripit. Në të përfshihet stafi mjekësor dhe ai teknik (jo/mjekësor).

Kur duhet të kryhet vaksinimi?

Vaksinimi kundër gripit duhet të kryhet përpara, në fillim dhe gjatë sezonit të gripit. Për sa kohë që viruset janë në qarkullim, vaksinimi duhet të bëhet përgjatë gjithë sezonit, madje edhe në janar e më vonë. Kundërtrupat mbrojtës zhvillohen zakonisht dy javë pas vaksinimit, prandaj për t’u mbrojtur kundër virusit të gripit, është mirë të vaksinoheni në kohën e duhur, për të qenë të mbrojtur në kohën e qarkullimit të virusit.

 

Tabela

Të sëmurët kronikë, kush duhet të vaksinohet:

  • Astmë bronkiale
  • Sëmundje të zemrës (p.sh., sëmundje kongjenitale e zemrës, insuficiencë kardiake, sëmundje e arteries koronare, etj.);
  • Sëmundje kronike të mushkërive (p.sh., sëmundje pulmonare obstruktive kronike [COPD] dhe fibrozë cistike);
  • Sëmundje neurologjike dhe të zhvillimit nervor, përfshi këtu sëmundje të lidhura me trurin, palcën kurrizore, nervat periferike dhe muskujt si p.sh., paraliza, epilepsi, paaftësi intelektuale, vonesë të moderuar ose të rëndë zhvillimi, distrofi muskulore ose dëmtimi i shtyllës kurrizore, etj.;
  • Sëmundje të gjakut;
  • Sëmundje të sistemit endokrin (p.sh., diabet);
  • Sëmundje të veshkave;
  • Sëmundje të mëlçisë;
  • Çrregullime metabolike (çrregullime të trashëguara metabolike dhe çrregullime mitokondriale);
  • Sëmundje që dobësojnë sistemin imunitar si pasojë e sëmundjes apo medikamenteve (si p.sh., HIV ose AIDS, kancer ose sëmundje kronike me përdorim steroidesh);
  • Terapi afatgjatë të aspirinës dhe që janë më të vegjël se 19 vjeç;
  • Mbipeshë ekstreme.

Personeli shëndetësor, pse duhet të vaksinohet:

 Gripi është infeksion viral akut, i cili përhapet lehtë nga njeriu tek njeriu;

  • Gripi mund të prekë çdo njeri në çdo grup-moshë;
  • Gripi sezonal është problem serioz i shëndetit publik, i cili shkakton gjendje të rëndë shëndetësore, shtrime në spital dhe vdekje, sidomos tek grupet me risk të lartë;
  • Çdo njeri mund të sëmuret shumë rëndë nga gripi;
  • Ju mund ta merrni gripin nga kolegët apo pacientët tuaj;
  • Nëse sëmureni me grip, ju mund ta transmetoni atë tek të tjerët edhe pse mund të mos ndiheni të sëmurë apo nuk keni shenja klinike;
  • Duke u vaksinuar ndaj gripit, ju mbroni vetveten, familjen, kolegët dhe pacientët tuaj.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: