SHKAQET E GROPËS NJË MILIARDËSHE TË SHQIPËRISË- OPINION NGA EDUARD ZALOSHNJA

SHKAQET E GROPËS NJË MILIARDËSHE TË SHQIPËRISË- OPINION NGA EDUARD ZALOSHNJA
Nga EDUARD ZALOSHNJA

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Ditët e fundit, Kryeministri Rama ka premtuar për një reformim të të gjithë fiskut shqiptar, me synimin që të pakësohet evazioni fiskal dhe të rritet eficienca e fiskut. Në fakt, vjet, në Thesarin e Shtetit shqiptar, të ardhurat ishin sa 27.5% e vlerës së të gjithë mallrave dhe shërbimeve të realizuara në vend – një rekord historik ky, në vitet e demokracisë (gjatë çerekshekullit të fundit, kjo përqindje është luhatur në intervalin 24%-27.5%).

Sidoqoftë, pak më në veri të Shqipërisë, në Malin e Zi, të ardhurat në Thesarin e Shtetit ishin vjet, sa 36.5% e vlerës së Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Në qoftë se edhe ne do të kishim rendimentin malazez në vjeljen e të ardhurave buxhetore, në Thesarin e Shtetit tonë, do të ishin futur vjet, plot 1 miliard dollarë më shumë, seç u futën faktikisht.

Për krahasim, sa ç’mund të futeshin më tepër në Thesarin e Shtetit tonë, vetëm në një vit, do të investohen në katër vitet e ardhshme nga bizneset private për punë publike, në kuadrin e programit “1 miliard” (këto pará, publiku shqiptar do t’ua rikthejë privatëve në të ardhmen).

Por le t’i kthehemi krahasimit të të ardhurave buxhetore të 2016-ës, në Shqipëri dhe në Mal të Zi.

Arkëtimet në buxhet nga TVSH-ja, si përqindje e PBB-së: 9% - Shqipëria, krahasuar me 12.5% të Malit të Zi.

Arkëtimet në buxhet nga taksa e sigurimeve shoqërore/shëndetësore, si përqindje e PBB-së: 5% - Shqipëria, krahasuar me 11% të Malit të Zi.

Arkëtimet në buxhet nga akcizat, si përqindje e PBB-së: 3% - Shqipëria, krahasuar me 4.9% të Malit të Zi.

Arkëtimet në buxhet nga taksat nacionale, si përqindje e PBB-së: 2.3% - Shqipëria, krahasuar me 1% të Malit të Zi.

Arkëtimet në buxhet nga tatimi mbi fitimin, si përqindje e PBB-së: 1.5% - Shqipëria, krahasuar me 2% të Malit të  Zi.

Arkëtimet në buxhet nga tatimi mbi të ardhurat personale, si përqindje e PBB-së: 2.1% - Shqipëria, krahasuar me 3% të Malit të Zi.

Siç shihet qartë nga shifrat e mësipërme, shteti malazez vjel pothuaj për çdo lloj takse, një përqindje më të lartë të PBB-së, sesa shteti shqiptar. Dhe vlera e PBB-së për frymë, është shumë e afërt për të dyja vendet, ndërkohë që edhe struktura e ekonomisë është e ngjashme (raporti shërbime-industri-bujqësi, është shumë i ngjashëm në krijimin e PBB-së).

Në fakt, me fqinjin tonë verior, kemi të ngjashme shumë gjëra – gjeografinë, historinë, kulturën, ekonominë, sistemin fiskal dhe politikën. Madje, sipas Transaparency International, edhe nivelin e korrupsionit e kemi të ngjashëm…

Atëherë, përse ne kemi rendiment më të ulët se Mali i Zi, në vjeljen e të ardhurave?

Përfshirja e bizneseve (të mëdha e të vogla), në sistemin fiskal në Mal të Zi, ia bën më të vështirë evazionit fiskal gjetjen e kapilarëve ku mund të qarkullojë. Vetëm ambulantët dhe zejtarët e vegjël (si këpucëndreqësit, orëndreqësit etj.), përjashtohen nga sistemi tatimor. Ndërkohë, bizneset e tjera të vogla, ndihmohen me skema subvencioni, që nxisin raportimin sa më të saktë të xhiros. Ndërsa në Shqipëri, deri më sot, kemi një skemë taksimi, ku bizneset janë të interesuara të raportojnë xhiro vjetore, jo më të madhe se 50 milionë lekë të vjetra…

Kur shteti mbledh më shumë të ardhura, është në gjendje të shpenzojë më shumë

Fakti që shteti malazez mbledh më shumë të ardhura, si përqindje e PBB-së, i jep mundësinë atij që edhe të shpenzojë më shumë për paga, pensione, investime publike dhe meremetime e mirëmbajtje. Por përveç faktit që mbledh më shumë të ardhura, shteti malazez shpenzon edhe më pak për interesat e borxheve të akumuluara ndër vite (vetëm 2% të PBB-së, krahasuar me 3% të PBB-së që shpenzon shteti shqiptar).

Kështu, Mali i Zi shpenzon për pagat e punonjësve publikë, 8% të PBB-së, ndërsa Shqipëria vetëm 5%. Për pensionet, Mali i Zi shpenzon 9.5% të PBB-së, ndërsa Shqipëria vetëm 7%. Ndërkaq, në investimet publike diferenca është edhe më e madhe: 10.5% e PBB-së në Mal të Zi, krahasuar me vetëm 5% të PBB-së në Shqipëri.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: