Shqiptarët, gjysmat e parave për të ngrënë

Shqiptarët, gjysmat e parave për të ngrënë
Të mendosh ende për të “mbushur barkun”. Kjo është ajo çka shumica e familjeve shqiptare bëjnë gjatë një muaji, teksa ende duket që i llogaritin mirë paratë sesi ta mbyllin atë. Dukuri kjo e konfirmuar nga Anketa e Buxhetit të Familjes, sipas të cilës rezulton se jo pak, por rreth gjysma e parave që familjet shqiptare shpenzojnë gjatë një muaji për konsum, ikin vetëm për ushqim. Saktësisht, raportohet se grupi “Ushqime dhe pije jo-alkoolike” ka peshën kryesore në buxhetin familjar me nivelin prej 45.2%. Madje edhe këtu, teksa ushqehen, mund të shihet qartë, sesi shqiptarët mendojnë ende për “bukën e përditshme” apo produkte të tjera masive dhe aspak për të blerë ushqime të kushtueshme e cilësore. Konkretisht, ekspertët pohojnë se ndër shpenzimet për ushqim, shqiptarët blejnë më shumë “qumësht, bulmet dhe vezë”, në masën deri 18.1% të totalit të tyre. Për të vijuar më tej me grupet “bukë dhe drithëra” dhe “mish e nënprodukte” që zënë deri në 17.5% të totalit. Ndërsa perimet dhe frutat vijnë pas tyre, me vetëm 14% dhe 8% të totalit të shpenzimeve mujore. Dhe pasi kanë konsumuar këto produkte bazike ushqimore, shqiptarët duket se gjejnë pak vend edhe për “pije alkoolike dhe duhan”, duke shpenzuar për to vetëm 3.4% të buxhetit të tyre mujor. Për të treguar kështu ende një mënyrë të varfër jetese, teksa buka dhe ushqimi si i tillë zë ende peshën kryesore tek paratë që nxjerrin gjatë një muaji nga portofoli i tyre. Këto të fundit, gjithmonë sipas Anketës së Buxhetit të Familjes raportohet se janë deri në 19.591 lekë në muaj për një person. Të ndara, ato raportohet se janë 8.861 lekë për konsum ushqimor dhe 10.730 lekë për konsum jo-ushqimor. Kurse në tërësinë e saj, një familje shqiptare e përbërë me katër veta, thuhet se gjatë një muaji nxjerr nga xhepat e saj plot 73.143 lekë. Që të gjitha këto, pará që sipas ekspertëve figurojnë se janë rritur nga viti në vit, çka reflekton kështu një shtrenjtim të lartë të jetesës në Shqipëri. “Vlerësimi i shpenzimeve mesatare mujore për konsum të një familje shqiptare në vitin 2016 është 4.2% më i lartë se në vitin 2015”, cilësojnë ata. Duke shtuar në të njëjtën kohë se rritja e çmimeve të konsumit regjistruar në vitin 2016, krahasuar me vitin pararendës 2015, ka qenë në nivelin prej 1.3%. Për të treguar kështu, se nga viti në vit kostoja e jetesës në Shqipëri, sa vjen edhe rritet, duke kërkuar më tepër pará për të mbyllur muajin.

Shpenzimet për veshje dhe këpucë, njësoj sa ato për restorante e hotele

Shqiptarët preferojnë të shpenzojnë për beshje dhe këpucë, njësoj sa për restorante apo hotele. Që të dyja këto, shpenzime në rritje nga viti në vit prej tyre, duke treguar në këtë mënyrë një dëshirë të tyre për ta përmirësuar mirëqenien e tyre. “Grupi “Restorante dhe hotele”, që përfaqëson konsumin jashtë shtëpisë, përbën 4.4% të buxhetit të një familje shqiptare dhe regjistron një rritje me nivelin prej 0.8%, krahasuar me vitin e kaluar”, vlerësojnë ekspertët. Duke shtuar se mes tyre, janë shpenzimet për  restorante ato që përbëjnë pjesën më të madhe të tyre, deri në nivelin prej 88.5%. Ndërsa shpenzimet për hotele zënë vetëm nivelin prej 11.5% të totalit të parave që ata shqiptarët nxjerrin nga xhepi i tyre brenda një muaji. “Shpenzimet për grupin “Veshje dhe këpucë”, zënë 4.8% të buxhetit total të cilat regjistrojnë ulje prej -0.1% krahasuar me vitin 2015”, sqarojnë gjithashtu ata.

1/10-ta e buxhetit të një familje, për shtëpinë

Nëse gjysma e buxhetit të një familjeje shqiptare shkon vetëm për t’u ushqyer, rreth 1/10-ta e tij shkon për të paguar shtëpinë, apo kryer edhe pagesa të ndryshme që kanë lidhje me të. “Grupi i shpenzimeve për banesën, me ato për energji elektrike, ujë, lëndë djegëse, qira të paguar dhe riparime të vogla zë 10.2% të totalit të buxhetit familjar”, sqarojnë ekspertët lidhur me një dukuri të tillë. Duke detajuar më tej se rreth gjysma e këtyre shpenzimeve shkon për pagesën e energjisë elektrike dhe vetëm 17.3% e tyre për përdorimin e lëndëve të tjera si gaz, naftë, dru zjarri etj. Kurse sa i përket qirasë si e tillë, ata sqarojnë se shpenzimet që shkojnë për të, zënë rreth 14% të totalit që një familje qiramarrëse kryen gjatë një muaji. Për të vijuar më tej me faktin se shqiptarët kanë shtuar edhe shpenzimet e tyre mujore për “Mobilim, pajisje shtëpiake dhe mirëmbajtja e tyre”, përkatësisht deri në 5 % të gjithë shpenzimeve mesatare mujore. “Peshën më të madhe në grup e zënë artikujt shtëpiakë jo-afatgjatë, në nivelin deri 70.6%”, cilësojnë gjithashtu ekspertët. Shpenzimet e tjera në këtë grup shkojnë për nëngrupet “shpenzime të jashtëzakonshme” të kryera nga familjet shqiptare në raste ceremonish dhe festash, "pagesat për shërbime të ndryshme financiare private” dhe "sigurimet” etj.

SHËRBIMET

Shëndeti dhe arsimi, duket se zënë gati të njëjtin vend në jetën e familjeve shqiptare, sa u përket shpenzimeve mujore që ato kryejnë rreth tyre. Kështu, shëndeti si i tillë zë një peshë prej 3.4% në buxhetin familjar, ku brenda tij, në masën prej 75.4% ai përdoret për blerjen e ilaçeve, ndërsa pjesa tjetër shkon për kujdes shëndetësor. “Shpenzimet për arsim, zënë rreth 4.4% të buxhetit gjithsej dhe kanë pësuar rritje prej 2.3%, krahasuar me vitin e kaluar. Ku peshën më të madhe e zënë pagesat në lidhje me kategorinë “Master (niveli i parë dhe i dytë)” në nivelin prej 68.3%”, cilësojnë gjithashtu ekspertët. Ndërsa theksojnë se shqiptarët po harxhojnë më pak për telefoni dhe për transport. Ku për këtë të fundit, peshën më të madhe të tyre e zë lloji i transportit rrugor, me nivelin deri në 76% të totalit.

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: