Vjen me mungesa në Shkodër, Ventura: Italia jashtë Kupës së Botës, një “katastrofë”

Vjen me mungesa në Shkodër, Ventura: Italia jashtë Kupës së Botës, një “katastrofë”
Trajneri i Italisë, Giampiero Ventura, tha se do të ishte katastrofë nëse katër herë kampionët e botës nuk do të shkojnë në finalet e botërorit Rusi 2018.

“Azzurrët” janë aktualisht tre pikë pas kryesuesve të Grupit G,  Spanjës, e 6 para Shqipërisë, kur mbeten edhe dy ndeshje nga mbyllja e fushatës së kualifikuesve. Por Spanja ka superioritet edhe me golat e shënuar, pasi ka numrin 17 të tillë më shumë se Italia.

Spanja mbetet favorite për ta mbyllur e para grupin, kurse Italia një nga tetë skuadrat që do të luajë ndeshje “play-off” për të siguruar pjesëmarrjen në botëror.

Ventura thotë se aktualisht nuk po mendon për kundërshtarët e mundshëm “play-off”.

“Nëse nuk kualifikohemi, do të jetë një katastrofë,” – tha Ventura.

“Nuk po mendoj për ndeshjet play-off. Janë më parë ndeshjet me Maqedoninë dhe Shqipërinë, më pas do të shohim se me kë do të biem në short.”

Skuadrës së Ventura do t’i mungojnë katër lojtarë në përballjen e së premtes ndaj Maqedonisë, në Torino dhe para udhëtimit të së hënës në Shqipëri.

Marco Verratti u dëmtua në fund të ndeshjes PSG-Bordo,  6-2, ndërsa Andrea Belotti doli jashtë pas një dëmtimi serioz në gju, pesë minuta pasi filloi ndeshja Torino-Verona, 2-2.

Lorenzo Pellegrini u dëmtua gjatë fitores së fundit të Romës, 2-0, ndaj Milan në “San Siro”.

Daniele De Rossi është thërritur nga Ventura, por ai është rikthyer te Roma pasi po kalon një periudhë dëmtimi. Roberto Gagliardini u thërrit më pas për të plotësuar mungesën e De Rossi.

Bryan Cristante i Atalanta është thirrur për herë të parë në ekipin italian.

“Lojtarë që ndeshjet e fundit i kanë nisur titullarë, si Daniele De Rossi e Marco Verratti, apo rezerva e parë Lorenzo Pellegrini, do të mungojnë, por kushdo që do të luajë shpreso të jetë i rëndësishëm për kombëtaren,”- tha Ventura. /a.m/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: