Bëhuni gati. Taksë progresive dhe mbi të ardhurat

Bëhuni gati. Taksë progresive dhe mbi të ardhurat
Bëhuni gati. Së shpejti nuk do t’i paguani shtetit taksë progresive vetëm mbi pagën që merrni, por edhe mbi të ardhurat që ju mund t’i siguroni në forma të tjera. Ky është thelbi i një ligji të ri që po përgatitet nga qeveria dhe që së shpejti do të jetë një realitet për të gjithë shqiptarët. Ky fakt u konfirmua dje nga vetë ministri i Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj, gjatë diskutimeve në Kuvend të projekt-buxhetit 2018. “Ky ligj do të përfshijë edhe të ardhurat e integruara, në bazë të taksueshme, jo si tani, të fragmentuara”, tha ai. Duke shtuar më tej se çdo e ardhur do të llogaritet si një e tërë në periudhë tatimore dhe do t’i vendoset sipër norma e taksimit. Sipas tij, një logjikë do të vazhdojë që ta ruajë parimin e progresivitetit. Konkretisht, taksimi progresiv në Shqipëri shtrihet për pagat mbi 30 mijë lekë, me një nivel tatimi që varion nga 13%, deri në 23% për pagat më të larta, mbi diferencën e tyre me pragun prej 30 mijë lekësh. Por sipas ligjit të ri që po harton qeveria, i bie që një individi për të paguar taksë progresive t’i mblidhen të gjitha të ardhurat, qofshin këto nga qiratë, apo e drejta e autorit, etj, dhe për t’ia tatuar si një shumë e tërë, me nivelet progresive nga 0 deri në 13% apo edhe 23% , siç aplikohet aktualisht vetëm për pagën. Në parim, i bie që shtrirja e taksës tek të gjitha burimet e të ardhurave rrit bazën e taksueshme dhe si e tillë, “thith” më shumë pará prej individit. Kështu, nëse një person ka një pagë mujore prej 130 mijë lekësh në muaj, ai deri tani është taksuar progresivisht me 17 mijë lekë. Por nëse ai figuron “me letra” se merr edhe një qera mujore prej 50 mijë lekësh në muaj, atëherë shumës prej 17 mijë lekësh që ai paguante deri tani, do t’i shtohet edhe ajo e tatimit progresiv për 50 mijë lekëshin e qerasë. Kujtojmë sakaq se vetëm para pak ditësh, në një raport kritik të saj, organizata “PNUD Albania” doli kundër taksimit progresiv, duke e konsideruar atë si të dëmshëm për shoqërinë shqiptare. Konkretisht, sipas tij, ky lloj taksimi, i cili nisi të aplikohet në vitin 2014, goditi shtresën e mesme të vendit dhe krijoi më shumë varfëri. Kështu, sipas shifrave të PNUD-it, ndërsa kjo shtresë u zgjerua me një nivel rreth 2.8% gjatë periudhës së viteve 2008-2014, pas kësaj, ajo u zgjerua deri në nivelin prej 2.5%.

Qeratë, honoraret, të drejtat e autorit deri tani tatim 15%, por do i zërë progresiviteti

Deri tani, të ardhurat nga qeratë apo nga të drejtat e autorit, honoraret etj, që një person siguronte, janë taksuar me një nivel fiks deri në 15%. Por me taksimin e ri progresiv që do t’i përfshijë brenda tyre ky nivel taksimi do të ndryshojë. Konkretisht, nëse një individ, i cili aktualisht ka një pagë 130 mijë lekë në muaj dhe një të ardhur nga qiraja prej 30 mijë lekësh, taksa e tij rritet. Ajo shkon nga 17 mijë e 500 lekë në muaj, që është aktualisht, në 19 mijë e 900 lekë në muaj. Pra, 2 mijë e 400 lekë më shumë. Konkretisht, taksimi progresiv në Shqipëri shtrihet për pagat mbi 30 mijë lekë, teksa ato nën këtë nivel nuk taksohen fare. Ndërsa për ato nga 30 mijë lekë deri në 130 mijë, taksa progresive është në nivelin prej 13%, mbi diferencën me pagën 30 mijë lekëshe, kurse për pagat mbi 130 mijë lekë progresiviteti arrin deri në nivelin prej 23%.

Raporti kritik: Taksa progresive në Shqipëri goditi shtresën e mesme

“Gjysma e familjeve që i përkisnin klasës së mesme në kategorinë e konsumit në vitin 2008 kaluan në grupin e atyre në nevojë dhe në varfëri në vitin 2014”, konstaton PNUD-i.

Shtresa e mesme e Shqipërisë, ajo e cila ka një pagë të sigurt dhe të mirë, u godit nga vendosja e taksës progresive katër vitet e fundit. Një kritikë e tillë i është bërë kësaj forme taksimi nga vetë organizata “PNUD Albania”, para disa ditësh, sipas të cilit efekti i këtij taksimi në vendin tonë ka qenë negativ, duke e varfëruar pikërisht shtresën e lartpërme-ndur. Sipas tij, klasa e mesme u zgjerua me një nivel rreth 2.8% gjatë periudhës së viteve 2008-2014, por pas kësaj, kohë e cila përkon edhe me nisjen e tatimit progresiv, klasa e mesme pati një ritëm më të ngadalësuar të përhapjes së saj në rang vendi, ndërsa ajo që u shtua më shumë duket se është pikërisht, shtresa e varfër në vend. “Pavarësisht faktit se në përgjithësi nuk ka ndryshime thelbësore mes grupeve të ndryshme të konsumit, lëvizja nga viti 2008 në atë 2014 është e dukshme. Duket se shumica e kësaj lëvizjeje ka zbritur familjet në kategorinë e të qenit në nevojë ose të varfër në vitin 2014. Gjysma e familjeve që i përkisnin klasës së mesme në kategorinë e konsumit në vitin 2008 kaluan në grupin e atyre në nevojë dhe në varfëri në vitin 2014. Ndërkohe që 17% e familjeve me tendencë drejt varfërisë u bënë të varfër në vitin 2014”, vlerëson saktësisht PNUD.

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: