“Beteja për ujin”, Rama lëshon ultimatumin

“Beteja për ujin”, Rama lëshon ultimatumin

Kryeministri Rala paralajmëron afatin 90-ditësh, pas të cilit fillojnë ndëshkimet penale për lidhjet e paligjshme të ujit të pijshëm. Reagon LSI. Monika Kryemadhi: Rama ka objektiv që të burgosë ata që nuk kanë bukë dhe jo të paguajnë ujin dhe energjinë

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar fillimin e reformës për ujin e pijshëm, të ngjashme me atë për energjinë elektrike.

Në fjalimin përpara kryebashkiakëve, prefektëve dhe punonjësve të sektorit, Rama lëshoi edhe ultimatumin 90-ditësh për qytetarët që kanë lidhje të paligjshme.

“Të gjithë ata që furnizohen me ujë në rrugë të paligjshme kanë 90 ditë kohë të rregullojnë situatën, nuk do nisim me penalizime, vjedhja e ujit dënohet nga Kodi Penal. Ne do të fillojmë menjëherë prerjen e lodhjeve të paligjshme por nuk do të shoqërohet me penalizime”, tha Rama.

Sipas tij, ndjekjet penale do të fillojnë më 1 shkurt të vitit të ardhshëm.

Rama tha se fenomeni i abuzimeve me ujin e pijshëm është masiv në vend.

“Janë 270 mijë familje apo subjekte që nuk përdorin matës, kjo nuk tolerohet më dhe të gjithë duhet të ftohen të legalizohen vetë”, bëri të ditur Kryeministri.

Ai kërkoi edhe pajisjen me leje shfrytëzimi të personave që kanë hapur puse privatisht për furnizim me ujë, duke paralajmëruar ndëshkime edhe për këta konsumatorë.

“25 mijë puse rezultojnë të hapura në vend, vetëm 265 kanë leje, një barbari më vetë. Brenda 2018 çdo konsumator që do të përdorë ujërat nëntokësore duhet të ketë leje për ta shfrytëzuar këtë pasuri të përbashkët. Formalizimi i puseve dhe mbyllja e atyre që nuk plotësojnë kushtet teknike do të jetë pjesë e këtij operacioni”, ishte paralajmërimi i kryetarit të Qeverisë.

Reforma e re e Qeverisë është kundërshtuar nga LSI, partia e dytë në opozitë.

“Rama ka objektiv që të burgosë të varfrit, të madh e të vogël, ata që nuk kanë bukë dhe jo të paguajnë ujin dhe energjinë”, tha kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.

Ndërsa Petrit Vasili është edhe më i ashpër.

“Kryeministri llafazan dhe punëhiç do t’u zhvatë para edhe të varfërve, që i la pa ujë dhe që bënë me thonj, me djersë dhe me paratë e tyre nga një pus për ujë për nevojat me minimale të jetesës. Turp i padëgjuar! ...Nuk u çoi as ujësjellës dhe as ujë në shtëpi. Tani të varfrit duhet të paguajnë për ato puse uji, që kanë ndërtuar po vetë”, shkruan kryetari i grupit parlamentar të LSI-së.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: