Debati për patriotizmin, “ndizen gjakrat”  në Kuvend

Debati për patriotizmin, “ndizen gjakrat”  në Kuvend
Kryeministri Rama, ish-Kryeministri Berisha, Kryetari i PD, Lulzim Basha dhe kryetari i PBDNJ, Vangjel Dule shkëmbejnë një sërë akuzash dhe replikash për çështje nacionalizmi. Rama akuzon opozitën se po shfrytëzon Himarën për të bllokuar negociatat për anëtarësimin në BE. Basha: Paratë e drogës po financojnë terrorizmin

Seanca e djeshme parlamentare është shoqëruar me debate dhe replika të ashpra për çështjen e patriotizmit. Në debate u përfshinë kryesisht Kryeministri Rama, kryetari i PD, Lulzim Basha, ish-Kryeministri Berisha dhe kryetari i PBDNJ, Vangjel Dule.

Ish-kryeministri, Sali Berisha, solli një video, ku Rama po mbante një fjalim greqisht për Papandreun, por që vetë Rama e mohoi duke thënë se ai nuk di greqisht.

“Dua t’i tregoj Noriegës se përsa i përket patetizmit tënd dhe problemit me Greqinë ftoj shqiptarët të dëgjojnë këtë zotëri, ky është Rama duke mbajtur fjalim për Papandreun. Antishqiptarit më të madh të rajonit”, tha Berisha.

Kryeministri Rama u përgjigj me ironi:

“Qirje Saliu, Shqipëria është nën akuzë nga fqinjët për shkelje të të drejtave të minoritetit në Himarë. Ajo që të takonte ty dhe që të takonte ty është që kur të vije këtu të mos flasësh nga havaja por si ish-kryeministër i Shqipërisë”.

Pikërisht çështja e prishjes së disa ndërtimeve në Himarë është shndërruar në “benzinën” që ndezi “zjarrin” e debatit parlamentar.

Akuzave të opozitës, Kryeministri Rama iu përgjigj me një sërë pyetjesh:

“Çfarë donte PD dje në Himarë? Pse bashkove dje zërin e PD-së me zërin e atyre që nxjerrin bishta pa asnjë bazë lidhur me një projekt të rilindjes urbane në Himarë? Jepu përgjigje çfarë është Himara për ty? Si ka mundësi që PD u shfaq në Himarë sapo u publikua një letër e opozitës greke drejtuar komisionit evropian?”

Edi Rama iu drejtua Lulzim Bashës se “je njeriu që mban përgjegjësi për dorëzimin e një cope toke Greqisë,” lidhur me çështjen detare, duke i kujtuar edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Pikërisht për këtë fakt Rama tha se “ne si qeveri jemi vënë në konflikt me Greqinë.”

Por kjo shkaktoi reagimin e Lulzim Bashës, i cili e akuzoi Ramën për paratë e drogës që po financojnë terrorizmin.

“Ky është klloun që nuk i përgjigjet pyetjes pse e zhyte Shqipërinë në drogë. Je bërë karikaturë. Streha e fundit e maskarait është pseudopatriotizmi”, tha Basha.

Kryeministri akuzoi edhe deputetin Vangjel Dule. “Ti minoritetin e ke biznes politik, unë nuk kam biznes politik”, tha Rama.

Ndërsa Dule i kujtoi se ka dy rekorde në politikë: Atë të Ramës në Pushtet dhe të Dules në opozitë.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: