Me buxhetin e vitit 2018 do të rikonstruktohet dhe pajiset me të gjitha pajisjet biomjekësore gjithashtu edhe poliklinika e qytetit të Peshkopisë. Falë planifikimit të mirë, spitali i Peshkopisë nuk ka mungesë barnash për trajtimin e pacientëve dhe sipas mjekut kirurg Gazmend Xhembulla, nevojat janë të plotësuara për të gjithë vitin. "Më vjen mirë që në Peshkopi shohim këtë situatë me barnat dhe dua të sjell në vëmendje edhe një angazhim tjetër të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, për të garantuar që tani furnizimin me barna për 90 qendrat shëndetësore në zonat e thella malore për të gjithë periudhën e bllokimit nga dëbora apo moti i keq", tha Ministrja e MShMS.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ndoqi nga afër edhe aksionin e çlirimit të hapësirave brenda spitalit nga ndërtimet e paligjshme. “Jemi të vendosur t’i kthejmë personelit mjekësor dhe qytetarëve hapësirat e zëna pa leje me aktivitete që nuk kanë aspak lidhje me spitalin”, u shpreh Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale gjatë aksionit të pastrim-higjienizimit në spitalin Rajonal Dibër. /s.i/afp/