Diskutohet buxheti për vitin që vjen, por po ndryshohet ende i sivjetshmi

Diskutohet buxheti për vitin që vjen, por po ndryshohet ende i sivjetshmi
Qeveria është duke dhënë llogari në Kuvend për buxhetin e vitit të ardhshëm, 2018, kur në fakt është ende duke ndryshuar atë të këtij viti që po mbyllet. Kjo është ajo që po ndodh me dokumentet themeltare të financave të shtetit, nga njëri vit në tjetrin, teksa për asnjërin duket se nuk paraqitet garancia e plotë prej ekspertëve të Financave nëse do të zbatohen sipas parashikimeve deri në fund të tyre. Ka qenë vetë ministri i Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj, i cili dje në komision parlamentar, teksa po shqyrtohej projekt-buxheti 2018, është shprehur se ai mund të shoqërohet edhe me risqe. E thënë ndryshe, nuk mund të realizohen të gjitha të ardhurat e parashikuara rreth tij, e kësisoj, ai mund të ndryshohet gjatë muajve në vijim. Konkretisht, sipas tij, risku parashikohet të jetë deri në nivelin prej 1.5 miliardë lekësh dhe faktorët e kësaj mund të jenë akciza dhe kursi i këmbimit valutor. “Në krahun e të ardhurave, risqet fiskale parashikohen në një mosimportim sa duhet të cigareve me më pak se 200 ton, me efekt prej 0.5 miliardë lekë etj”, ishte një shembull konkret që ai dha pikërisht me mosrealizimin e të ardhurave të parashikuara gjatë vitit të ardhshëm, 2018. Fakt ky që është hedhur poshtë nga deputetët e opozitës, sipas të cilëve qeveria nuk po bën planifikim real të të ardhurave, pasi ndër vite ka ndryshuar barra fiskale ndaj qytetarëve. “Në raport me vitin 2013, presupozohet që ka një rritje të të ardhurave prej 3%. Po çarë ka ndodhur gjatë këtyre katër viteve? Edhe barra fiskale është rritur me 3%. Pra qeveria do mbledhë sërish të njëjtat pará, si edhe katër vjet më parë”, deklaroi lidhur me një fakt të tillë, deputetja demokrate, Jorida Tabaku.

Me një akt të ri normativ, qeveria ka ndryshuar ditët e fundit sërish buxhetin e këtij viti, duke realizuar kështu ndërhyrjen e dytë në të dhënat e tij vetëm brenda 10 muajsh. Kujtojmë sakaq se ndryshimi i mëparshëm i realizuar në buxhetin 2017 ishte ai i stinës së verës, për shkak të thatësirës dhe nevojiteshin fonde shtesë për blerje të re të energjisë elektrike

Akti normativ, si e ndryshoi sërish qeveria Buxhetin 2017

 Ajo që bie në sy në dokumentin e rishikuar të Buxhetit 2017 është fakti se qeveria ka ndërhyrë në administratën publike. Konkretisht, në kuadrin e procesit të riorganizimit strukturor të ministrive dhe drejtorive të rëndësishme në rang vendi, ajo duket se ka reduktuar numrin e punonjësve të tyre. Në detaje, administrata publike, me përllogaritjet e reja që janë bërë në Buxhetin 2017, do të ketë 81.465 punonjës nga 81 mijë e 718 që ka aktualisht. Që do të thotë se qeveria ka reduktuar numrin e tyre me 253 të tillë. Ndërsa parashikon mes të tjerash që 100 punonjës t’i mbajë rezervë për institucionet e drejtësisë dhe 25 të tjerë për organet e qeverisjes qendrore. E para në listë për nga numri i lartë i punonjësve të tyre është Ministria e Arsimit me 31.067 të tillë, pasuar nga ministria e Brendshme me 14.269 punonjës, duke vijuar me ministrinë e Mbrojtjes që ka 8.860 punonjës apo ministria e Financave dhe Ekonomisë, e cila do të ketë në organikë 5.708 punonjës etj.

Me akt normativ, buxheti ndryshon thuajse çdo verë

Ndryshimi i buxhetit të shtetit me akt normativ gjatë stinës së verës, duket se është një veprim që ndodh çdo vit. Kështu ka ndodhur edhe vitin e kaluar, kur pikërisht më 31 korrik, në Fletoren Zyrtare u publikua akti i radhës për  ndryshimin e buxhetit. Dhe vetë ministri i Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj, iu është kundërpërgjigjur akuzave të atëhershme të opozitës se një gjë e tillë nuk bie ndesh aspak me Kushtetutën ose me ligjet e vendit, porse sipas tij, ai është “një ndryshim rutinë”, por edhe një  “instrument i cili përdoret prej vitesh”. Gjë që nënkupton me këtë mënyrë se qeveria e ka të ligjshme të ndërhyjë në ligjin themeltar të financave të shtetit. Dhe madje të domosdoshme që ta bëjë këtë çdo gjysmë viti, ndërsa këtë vit, një gjë e tillë ndodhi dy herë.

Buxheti 2017, rriten të ardhurave dhe shpenzimet, por deficiti mbetet njësoj

Një rritje të ardhurash, sikundër edhe shpenzimesh, por me një deficit i cili mbetet njëjsoj. Këto janë ndryshimet e reja të parashikuara me aktin e fundit normativ për Buxhetin 2017. Sikundër, parashikohet, edhe një ulje e shpenzimeve të pushtetit vendor, si edhe rritje e shpenzimeve për sigurimet shoqërore dhe për garancitë shtetërore. “Buxheti për vitin 2017 është: Të ardhurat 442.901 milionë lekë; rriten me 4.5 miliardë lekë; Shpenzimet 474.100 milionë lekë, rriten 4.5 miliardë lekë; Deficiti 31.199 milionë lekë; mbetet i pandryshuar”, saktësohet në aktin normativ të qeverisë. Duke shtuar më tej se vetëm buxheti i shtetit do të ketë të ardhura 336.801 milionë lekë dhe shpenzime 368.000 milionë lekë, me një deficit që qëndron sërish në nivelin prej  31.199 milionë lekësh.

Debati për tatimin progresiv, Ahmetaj: Taksohen pak persona, PD: Po rriten taksat

“Sistemi progresiv ka funksionuar në mënyrë të shkëlqyer dhe ka liruar nga ngarkesa fiskale 97% të të punësuarve në Shqipëri”. Kështu e ka komentuar ministri i Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj nismën më të re të qeverisë për të taksuar me tatimin progresiv gjithë të ardhurat e një individi. Teksa sipas tij, me nivelin prej 23% të tatimit progresiv, në Shqipëri taksohen aktualisht vetëm 1500 persona, që marrin një pagë mbi 4 milionë lekë të vjetra. Por deputetja demokrate, Jorida Tabaku, ka dalë kundër kësaj mase, duke thënë se qeveria po varfëron shtresën e mesme, dhe me shtimin e saj, do të rrisë dhe më tepër evazionin në mbledhjen e kësaj takse. “Qeveria është duke shpikur mënyra të reja sesi të rrisë të ardhurat nga rritja e taksave. Ajo është duke konceptuar mënyra të reja se si mundet që të taksojë sa më shumë qytetarët”, tha ajo.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: