“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Flet shoku Vangjush Dako: Edhe Edi Ramës duhet t'i refuzonin vizën amerikane!

“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Flet shoku Vangjush Dako: Edhe Edi Ramës duhet t'i refuzonin vizën amerikane!
Satirë

"Antena Jashtë Familjes" sjell sot deklaratën e shokut Vangjush Dako, kryebashkiakut të Durrësit. Deklarata ka të bëjë me çështjen e kundërshtimit, apo siç i thonë në gazetari, refuzimit, të kërkesës për vizë amerikane. Në këtë shpallje, bëhen të hapura arsyet e mosdhënies së vizës. Duke ju uruar lexim të këndshëm, ju urojmë një të martë të mbarë dhe shikim të këndshëm të telenovelave në mbrëmje!

I dashur popull i Durrësit!

Para disa ditësh, unë, ashtu si çdo njeri i thjeshtë, qëndrova në radhë në derën e ambasadës së SHBA-ve, për të dorëzuar dokumentet, për pajisjen me vizë amerikane.

Bëj me dije se, qëndrimi im atje ishte korrekt, pa prishur aspak radhën, megjithëse shumë vetë përpara meje më thanë që të kaloja në vend të tyre. Ndërgjegjja e lartë qytetare nuk ma lejoi të ndërmarrja një hap të tillë. Unë jam rritur në kohën e radhëve për vajguri, e paçe plënci, e nuk e kisha problem të qëndroja aty së bashku me njerëzit e thjeshtë.

Mbaj mend që dy vetë, sa më panë, më tërhoqën nga xhaketa, duke më detyruar që t'ju zija vendin e tyre në rresht. "Ne jena durrsak, merr dak, ene ti ke bo për Durrsin më shumë se ç'kanë bo ata që kanë qenë para teje!", -më thanë. Unë nuk pranova. Nuk mund t'ua u bëja një gjë të tillë, duke iu marrë radhën, aq më tepër që ishin durrsakë. Edhe kavajsë të kishin qenë, nuk do e bëja, pavarësisht se me ta nuk kemi shkuar mirë në futboll.

Unë nuk e kuptoj se si kanë dalë llafe që gjasme mua më është refuzuar viza, sepse kam përfituar nga pushteti. Nëse kjo do ishte arsyeja, sipas kësaj logjike mediatike, viza do t’ju ishte refuzuar shumë politikanëve, që kanë bërë më shumë pasuri se unë.

Kanë dalë llafe kazano-mediatike se kam shkatërruar Durrësin, e ndaj nuk më është dhënë viza. Gjepura! Nuk kanë se ku të më zënë, ndaj thonë gjëra të tilla, pa lidhje logjike. Po Tirana që u shkatërrua fare, e s'ka mbetur ndërtesë e vjetër pa u bërë pallat...?! Me këtë logjikë që flet "Media e Kazanit", i bie që edhe ish Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, shokut tim që s'dua t'i përmend emrin, do t’i ishte refuzuar viza, gjithashtu.

Disa media, po të kazanit, thonë që më kanë refuzuar vizën, se gjasme unë kam përfituar nga detyra që më është dhënë nga qytetarët e Durrësit, e kam bërë pasuri të madhe dhe e kam fshehur atë. Sipas kësaj logjike, i bie që edhe atyre këngëtarëve irlandezë të grupit U2, mos t'u jepet viza për të kënduar në Amerikë, pasi ju doli emri se kanë fshehur para nëpër ishuj, ku nuk paguajnë shumë taksa. D.m.th. edhe Madonës, apo mikut të Edi Ramës, të madhit Xhorxh Soros, që ju doli emri se edhe ata kanë fshehur para... Le që ata s'kanë nevojë për vizë, se janë amerikanë. Mjerë ata, do e hanë nga drejtësia atje! Mua e shumta, një vizë do më refuzojnë.

Pale, kishte thënë "Media e Kazanit" që medemek mua ma kanë refuzuar vizën amerikane, se jam lidhur me banda. Është e vërtetë që në Durrës kemi një bandë muzikore, që del dhe luan muzikë kur ka festë qyteti, por unë personalisht nuk njoh asnjë prej tyre, e jo më të kem lidhje me ta. Unë asnjë vegle muzikore nuk di t'i bie. Edhe nëse lidhem me anëtarët e kësaj bande muzikore, s'kam se ç'biseda të bëj.

"Media e Kazanit" thoshte gjithashtu se, mua nuk më japin vizë, pasi kam bërë pallate në vende arkeologjike, e kështu kam shkatërruar historinë e qytetit. Vërtet nuk e kuptoj këtë gjë! Nëse unë do kisha shkatërruar historinë e Durrësit, populli i zgjuar i këtij qyteti dy mijë e ca vjeçar, do më kishte ndëshkuar, duke mos më thënë votën, për herën e tretë si kryebashkiak i këtij qyteti me plot kulturë. Ja e zëmë se u gënjyen herën e parë. Po herën e dytë përse ma dhanë? E zëmë se e hëngrën dhe u gënjyen edhe herën e dytë. Po herën e tretë, përse më votuan e më dhanë mbi 13 mijë e 700 vota më shumë mua?!

Edhe nëse kam ndërtuar në vende arkeologjike, ç'punë i prish SHBA-ve kjo gjë!

Unë atje nuk do shkoja për t'u  bërë kryebashkiak i ndonjë qyteti. Edhe sikur të ma kërkonte komuniteti i ndonjë qyteti atje, unë nuk do pranoja. Do t’ju thosha sinqerisht, "me zemër në dorë" siç i thonë amerikanët, që, unë nuk jam mësuar të drejtoj një qytet pa vende arkeologjike. Amerika është një vend me histori vetëm 600 vjeçare, e nuk ka sajte arkeologjike. Të ishte se do më thoshte komuniteti italian që të bëhesha kryebashkiak në Napoli p.sh, apo në Palermo, ndryshonte puna, se ato janë qytete me plot arkeologji...

Arsyeja e refuzimit të vizës, është mjaft e thjeshtë:

Teksa isha në radhë, gabimisht njeri që plotësonte formularët me lekë aty jashtë ambasadës, ma shënoi mbiemrin "Daku", në vend të "Dako". Nuk i bë faj të gjorit. Dëgjoi që disa vetë që ishin në radhë, më thoshin me përkëdheli; "Ku je mer dak? Shyqyr që të kena ty më Durrës, se do kishim mbet me ato vendet arkeologjike të shpifme, mer dak"

E kështu ai i gjori, duke dëgjuar sa më vlerësonin mua durrsakët që po prisnin në radhë, ma shënoi mbiemrin "Daku". Për një "o" mbeta pa marrë vizën.

Gjithsesi, ju jam mirënjohës të gjithëve atyre që më zgjedhin mua si kryebashkiak. Do mbetem për ta një "dak" i vërtetë. Uji do të rrjedhë, e koha do ta tregojë që populli i Durrësit, ka për të më votuar edhe herë të tjera.

Meqë ra llafi te uji: Përshëndes vendimin e Kryeministrit, për ndalimin e lidhjeve të paligjshme të ujit! Durrësi ka pasur kanalizime për ujin, që para 2700 vjetësh. Ju premtoj se do e kemi atë 24 orë në rubinetat tona pas 2700 ditësh të tjera, që unë do të jem në krye të Bashkisë së Durrësit.

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: