Gjergj Buxhuku: Çmimet e larta të karburanteve, tregues i pranisë së karteleve, oligopoleve

Gjergj Buxhuku: Çmimet e larta të karburanteve, tregues i pranisë së karteleve, oligopoleve
Është diçka e njohur prej kohësh se tregu i hidrokarbureve në Shqipëri shfaq një sjellje të dyfishtë në rastin e lëvizjes së çmimeve. I këtij mendimi shprehet kreu i Konfindustria-s, Gjergj Buxhuku, për “Albanian Free Press”, lidhur me rritjen e re të çmimeve në rang vendi, e cila sipas tij, menjëherë përcjell rritjen e çmimeve në tregjet botërore dhe ndërkohë me mjaft vonesë në kohë pasqyron uljen e çmimeve të bursave ndërkombëtare. “Kulmi i kësaj të fundit është fakti, që Shqipëria prej disa vitesh renditet ndër vendet me çmimin më të lartë të karburanteve në Evropë.

Një funksionim i tillë i tregut më të madh në vend me mbi 1 miliard euro/vit ose mbi 12% të PBB-së është me pasoja deri katastrofale për ekonominë dhe mirëqenien e qytetarëve shqiptarë”, thekson ai. Duke shtuar se “shfaqja e përhershme e dukurisë së çmimeve të larta në tregun e karburanteve është treguesi më i qartë i shfaqjes më të qartë të pranisë së karteleve, oligopoleve të pranuara edhe nga institucionet shtetërore”. Megjithatë, asgjë sipas tij nuk ndodh në praktikë.

“Kjo në rastin më të mirë është paaftësi e plotë e institucioneve shtetërore dhe në rastin më normal është mosveprim i qëllimshëm, që çon në përfundimin e frikshëm të pranisë së shfaqjes më të lartë të korrupsionit "kapje e shtetit/state capture", nënvizon lidhur me një fakt të tillë, kreu i Konfindustria-s. Por sipas tij, në rastin e Shqipërisë çmimet e larta të karburanteve në treg janë të papranueshme edhe për një fakt tjetër. Sepse ajo, teorikisht të paktën 35%-40% të tyre e prodhon ne vend dhe kemi mundësi të plotësojmë deri në 60%. “Kjo do të thotë që do duhej të kishim një mundësi më shume për t’u përballur me shtetet e tjera në çmimet e karburantit. Ndërkohe, ndodh krejt e kundërta”, konfirmon ai.

Nga ana tjetër, sipas tij, “kostot e cilësisë të përllogaritura jashtë standardit të karburanteve jo vetëm që çojnë në nivele çmimesh faktike shumë më të larta, por njëkohësisht tregojnë për fajësinë e drejtpërdrejtë të ekzekutivit dhe vendimmarrjes politike”. Duke konkluduar se “zgjidhjet për të dalë nga gjendja tejet e papranueshme dhe me pasoja shkatërruese për biznesin, qytetaret, shëndetin dhe mjedisin janë plotësisht të mundshme. Të pamundura bëhen kur mungon krejtësisht vullneti politik, që mesa duket është ortak me oligopolet!”.

“Më e rëndë sesa çmimi nga më të lartët në Europë i karburanteve të tregtuara ne Shqipëri, është cilësia në shumicën dërrmuese të rasteve krejt jashtë standardit, që e bën edhe më shumë alarmante gjendjen”.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: