Karburantet u japin "gaz" çmimeve

Karburantet u  japin "gaz" çmimeve
Eglantina Nasi

Deri në 187 lekë/litri ... Ky është ekstremi që çmimet e karburanteve kanë arritur gjatë kësaj fundjave në Shqipëri. Saktësisht, i benzinës së llojit 100 oktan. Kurse benzina e llojit 85 oktan vërtitet tek kuota e 173 lekëve/litri. Për të vijuar me naftën, të cilën mund ta gjesh rreth 170-172 lekë/litri. Apo gazin, rreth 60-83 lekë/litri. Kjo është të paktën panorama e shifrave që të ofrojnë pikat e karburantit gjatë aksit rrugor Tiranë-Durrës, për çmimet e produkteve të naftës. Një realitet i ri ky i ditëve të fundit, ku ato kanë pësuar një rritje të dukshme me nivelin mesatar prej 5 lekësh për çdo litër, në rang vendi. Duke bërë kështu që Shqipëria të renditet gjithmonë e më poshtë në listën botërore sa u përket çmimeve të tyre. Konkretisht, sipas listimit më të fundit të ofruar nga agjencia e njohur botërore “Global Petrol Prices”, Shqipëria renditet e 141-ta, mes 160 vendeve të botës për çmimet e karburanteve, me një kuotim prej 1.53 dollarësh për litër. Ku vetëm tre vende pas saj listohet Gjermania me 1.54 dollarë për litër, ndërsa zotëron një nivel shumë më të lartë të ardhurash mesatare për qytetarët e saj. Dhe si gjithmonë, vendi ynë fqinj, Maqedonia, renditet shumë para nes teksa e ka këtë tregues me vetëm 1.19 dollar për litër, duke u renditur e 106-ta në rang botëror. Duke bërë që shpesh, jo pak qytetarë të vendit tonë ta përdorin atë si një vend të leverdisshëm furnizimi me karburant.

Nga ana tjetër, ajo që bie në sy në lidhje me çmimet aktuale të karburanteve, është se rritja e tyre ka ndodhur me të njëjtin nivel në të gjithë territorin e vendit, rreth 5 lekë për litër. E kjo, edhe pse taksa e rilicencimit, që ka nisur para pak javësh të mblidhet nga bashkitë prej pikave të karburanteve dhe e përdorur prej tregtarëve si argumenti kryesor për justifikimin e saj, rezulton se në fakt nuk është e njëjtë për të gjitha rrethet. Konkretisht, ajo është 30 milionë lekë për ato që gjenden nën juridiksionin e Bashkisë së Tiranës dhe 10 milionë lekë nën bashkitë e tjera të vendit. Dukuri kjo që sipas përfaqësuesve të Shoqatës së Hidrokarbureve shpjegohet me raportin më të ulët të të ardhurave që sigurojnë pikat e karburanteve në zonat e tjera të vendit, krahasuar me ato të kryeqytetit. “Sepse në rrethe shesin më pak karburant. Dhe taksa e rilicencimit është takse fikse, nuk ka lidhje me karburantin.  Kështu, në Tiranë apo Durrës, një pikë shet më shumë, 5-7 mijë litra, kurse në rrethe shet 1-2 mijë litra”, sqaron për “Albanian Free Press”, Luigj Aliaj, nga kjo shoqatë, e cila i mbetet parimit se ai që shet më pak, e rrit apriori më shumë çmimin, për të barazuar kostot e të arrijë të mbledhë paratë e duhura që i duhen dhënë bashkisë kundrejt tarifës së re për rilicencimin.

QËNDRIMI

Buxhuku: Çmimet e larta, tregues i pranisë së karteleve, oligopoleve

Është diçka e njohur prej kohësh se tregu i hidrokarbureve në Shqipëri shfaq një sjellje të dyfishtë në rastin e lëvizjes së çmimeve. I këtij mendimi shprehet kreu i Konfindustria-s, Gjergj Buxhuku, për “Albanian Free Press”, lidhur me rritjen e re të çmimeve në rang vendi, e cila sipas tij, menjëherë përcjell rritjen e çmimeve në tregjet botërore dhe ndërkohë me mjaft vonesë në kohë pasqyron uljen e çmimeve të bursave ndërkombëtare. “Kulmi i kësaj të fundit është fakti, që Shqipëria prej disa vitesh renditet ndër vendet me çmimin më të lartë të karburanteve në Evropë. Një funksionim i tillë i tregut më të madh në vend me mbi 1 miliard euro/vit ose mbi 12% të PBB-së është me pasoja deri katastrofale për ekonominë dhe mirëqenien e qytetarëve shqiptarë”, thekson ai. Duke shtuar se “shfaqja e përhershme e dukurisë së çmimeve të larta në tregun e karburanteve është treguesi më i qartë i shfaqjes më të qartë të pranisë së karteleve, oligopoleve të pranuara edhe nga institucionet shtetërore”. Megjithatë, asgjë sipas tij nuk ndodh në praktikë. “Kjo në rastin më të mirë është paaftësi e plotë e institucioneve shtetërore dhe në rastin më normal është mosveprim i qëllimshëm, që çon në përfundimin e frikshëm të pranisë së shfaqjes më të lartë të korrupsionit "kapje e shtetit/state capture", nënvizon lidhur me një fakt të tillë, kreu i Konfindustria-s. Por sipas tij, në rastin e Shqipërisë çmimet e larta të karburanteve në treg janë të papranueshme edhe për një fakt tjetër. Sepse ajo, teorikisht të paktën 35%-40% të tyre e prodhon ne vend dhe kemi mundësi të plotësojmë deri në 60%. “Kjo do të thotë që do duhej të kishim një mundësi më shume për t’u përballur me shtetet e tjera në çmimet e karburantit. Ndërkohe, ndodh krejt e kundërta”, konfirmon ai.

“Më e rëndë sesa çmimi nga më të lartët në Europë i karburanteve të tregtuara ne Shqipëri, është cilësia në shumicën dërrmuese të rasteve krejt jashtë standardit, që e bën edhe më shumë alarmante gjendjen”.

SHTETI

Asnjë ent apo institucion zyrtar s’i  kontrollon luhatjet e çmimeve

Luhatjet e vazhdueshme të çmimeve në tregun e brendshëm të karburanteve kryhen në mënyrë të pavarur prej operatorëve që ushtrojnë aktivitetin e tyre në këtë treg dhe nuk monitorohen aspak nga ndonjë ent apo institucion shtetëror i posaçëm. Ndërsa për cilësinë e tyre ekziston në fakt një i tillë, konkretisht, Drejtoria e Metrologjisë dhe Kalibrimit, e cila merr përsipër të inspektojë në terren mbi respektimin e standardeve të caktuara me ligj rreth saj. Por e vërteta është se në lidhje me çmimet, mungon një rregullator i tillë shtetëror, duke e lënë vetëm në dorë të tregtarëve vendosjen e tyre dhe ndryshimet e herëpashershme. Ku këta të fundit, pohojnë se për këtë u drejtohen gjithmonë rregullave të tregut, varësisë nga çmimet ndërkombëtare, por në të njëjtën kohë edhe binomit kërkesë-ofertë. Ndërsa kreu i Konfindustria-s, Gjergj Buxhuku, citon lidhur me një situatë të tillë se “kostot e cilësisë të përllogaritura jashtë standardit të karburanteve jo vetëm që çojnë në nivele çmimesh faktike shumë më të larta, por njëkohësisht tregojnë për fajësinë e drejtpërdrejtë të ekzekutivit dhe vendimmarrjes politike”.

Shoqata e Konsumatorëve

“Qytetarët, ankesa me shkrim për çmimet e cilësinë e karburanteve”

Përveçse e diskutojnë përditë me njëri-tjetrin, qytetarët shqiptarë shqetësimin e tyre mbi luhatjet e herëparshershme të çmimeve të karburanteve, duket se e kanë bërë konkret edhe përmes ankesave zyrtare. Fjala është pikërisht, për ato me shkrim që ato i kanë drejtuar vazhdimisht Shoqatës së Konsumatorëve. Një fakt i tillë pohohet nga përfaqësuesja e saj për “Albanian Free Press”, Fatmira Biçaku, sipas së cilës, ndër vite pranë këtij organizmi janë regjistruar shumë ankesa të tilla. “Qytetarët janë ankuar pranë nesh jo vetëm në rastin e  rritjes së çmimeve të produkteve të karburanteve, por edhe lidhur me cilësinë që ato ofrojnë, e cila sipas tyre lë për të dëshiruar”, cilëson Biçaku. Sipas saj, kanë qenë të shumtë shoferët në rang vendi që kanë trokitur në dyert e kësaj shoqate për të përcjellë shqetësimin e tyre se nafta apo benzina nuk janë aspak të mira, përmbajnë shumë ulë apo squfur. Si edhe faktin se janë përballur me çmime mjaft të larta të tyre. Duke shtuar se me të gjitha këto ankesa, tashmë institucionet shqiptare kompetente, të tilla si Drejtoria e Metrologjisë dhe e Kalibrimit, por edhe vetë ministria e Energjisë dhe Industrisë, janë njohur herë pas here.

***

INTERVISTA/ Flet për “Albanian Free Press”, kryetari i Shoqatës së Hidrokarbureve, Luigj Aliaj

“Çmimet e karburanteve nuk do të ndalen, konsumatori do ta paguajë”

Z.Aliaj, ditët e fundit është vënë re një rritje e re e çmimit të karburanteve në rang vendi. Përse ka ndodhur një gjë e tillë sipas jush?

Po, është e vërtetë se ka patur një rritje të çmimit të karburanteve. Dhe një gjë e tillë ka ndodhur bazuar në tre faktorë. I pari është ai si efekt i vendosjes së taksës së rilicencimit, i dyti ka të bëjë me rritjen e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare, kurse i treti lidhet me rritjen e dollarit në bursat e huaja.

Mund të na e shpjegoni konkretisht sesi ndikoi menjëherë futja e taksës së rilicencimit të pikave të karburanteve?

Kësaj i duhet mëshuar, sepse bëjnë vetëm rritje taksash dhe nuk bëjnë asgjë tjetër. Në fakt, rritjet e çmimeve të karburanteve nuk bëhen me parashikime, por bëhen me llogaritjet e herëpashershme sesi dalin kostot. Duhet thënë se është tarifë e rëndë në fakt, 30 milionë të vjetra (shënim i redaksisë) për çdo pikë karburanti në Tiranë dhe 10 milionë nëpër rrethe, edhe pse Gjykata Kushtetuese e shpalli të paligjshme, këta e rivunë prapë. Por në fund, populli i paguan. Se nga do dalin taksat? Nga konsumi do dalin, nuk do bien nga qielli.

Domethënë, po thoni se keni qenë të detyruar ta reflektoni vendosjen e kësaj takse në rritjen e çmimit?

Po nga ta çojmë tjetër? Edhe një gazete, po t’ia rritësh taksën e letrës, të zyrës, etj, ajo do rrisë çmimet.

Po si ka mundësi që kjo rritje është e menjëhershme dhe e njëjtë për të gjitha pikat e karburanteve? Ka ekspertë në fakt që thonë se kemi të bëjmë me një rritje çmimesh të bashkërenduar mes tyre...

Nuk bëhet fjalë për këtë. Sepse kostoja del çdo ditë e njëjtë dhe nafta në të gjithë botën është artikull i përqendruar që kuotohet. Domethënë, në gjithë botën, nafta ditën e premte dhe të shtunë është blerë me 55 dollarë për fuçi. Të gjitha gjërat e tjera janë fikse. Taksat janë njëlloj për të gjithë, akcizat janë njësoj për të gjithë dhe u mbarojnë rezervat dhe çmimi del i njëjtë për të gjithë, megjithëse duhet thënë se ka edhe çmime të ndryshme. Prandaj nuk ka marrëveshje të

fshehta midis kompanive, sepse është e pamundur. Nuk ka sesi të ketë. Kompani biznesi janë nja 3-4, por pika karburanti janë mbi 1 mijë. Edhe po të duash, nuk bën dot marrëveshje me kaq shumë të tilla.

Meqë pohuat se ka qenë pikërisht taksa e rilicencimit që ka ndikuar në rritjen e çmimit të karburanteve, kjo do të thotë se nuk mund të ketë një ulje të tyre në të ardhmen?

Se çfarë pritet që të ndodhë në të ardhmen me çmimet e karburanteve në Shqipëri, kjo do të varet nga bursa ndërkombëtare. Por nga faktorët e brendshëm, nuk mund të pritet ulje, se çfarë do të ulim?

“Situata, e njëjtë edhe me gazin”

“Edhe tek gazi ndikon një situatë e tillë, ajo e rritjes së çmimeve të karburanteve në tërësi, tek pikat e tij të shitjes. Sepse edhe ai ka varësi nga bursat ndërkombëtare, del një herë në muaj çmimi i tij atje dhe po të jetë rritur, do të reflektohet edhe te tregu i brendshëm në Shqipëri. Ndërsa referuar faktit se a ekziston ndonjë lidhje e mundshme mes rritjes së çmimeve të karburanteve dhe sasisë së konsumit të tij në vend, pra nëse shqiptarët i blejnë njësoj ato, edhe kur ato rriten, duhet thënë se shqiptarët aktualisht konsumojnë produkte karburantesh në kufijtë e nevojave. Ata janë realisht në kufijtë e konsumit minimal të tyre”, sqaron mes të tjerash, Aliaj.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: