Kroacia e Zvicra, në kërkim të biletave "Rusi 2018" (sot ndeshjet e kthimit play-off)

Kroacia e Zvicra, në kërkim të biletave "Rusi 2018" (sot ndeshjet e kthimit play-off)
Kroacia dhe Zvicra kërkojnë të sigurojnë kualifikimin për në botërorin Rusi 2018.

Ndeshjet e kthimit “play-off”, Greqi-Kroaci dhe Zvicër – Irlandë e Veriut, luhen sot me favoritë kroatët e zviceranët që fituan ndeshjet e para.

Irlanda e Veriut duhet të përmbysë disavantazhin 1-0 të ndeshjes së parë, për kualifikim. Megjithatë fakt është që ekipi i Michael O’Neill e humbi ndeshjen e parë pas një vendimi të debatueshëm të arbitrit Hategan.

Gjyqtari 37-vjeçari rumun akordoi një  11-metërsh, pas topit të përplasur në shpinën e mesfushorit Corry Evans dhe goli i mbrojtësit Ricardo Rodriguez nga pika e bardhë në “Windsor Park” e ka ndërlikuar ëndrrën e Irlandës së Veriut për të shënuar patjetër në St. Jakob – Park. Kjo ndeshje luhet sot ora 18:00.

Pavarësisht pjesëmarrjes në Francë 2016, që ishte edhe e para për “bardhejeshilët” në fazën finale të një evropiani, ekipit të Michael O’Neill i mungon eksperienca në nivele të tilla.

Më e lehtë pritet të jetë detyra e Kroacisë, që duket vërtet pranë pjesëmarrjes së pestë në finalet e Kupës së Botës, duke qenë se e fitoi me rezultatin e thellë 4-1 të ndeshjes së parë, në Stadiumin ‘Maksimir’ të Zagrebit.

Përfaqësueses helene i kthehet nga skualifikimi mbrojtësi Kostas Manolas, por skuadrës së Michael Skibbe-s i nevojiten plot tre gola për të shpresuar në një përmbysje të paprecedentë në historinë e fazës “Play-off”.

Ky takim do të luhet në Pire, ora 20:45, në stadiumin “Georgios Karaiskakis”, me dy përfaqësueset që kanë bilanc krejtësisht të barabartë, 2 fitore në 7 ndeshjet që kanë zhvilluar gjithsej. Nesër luhet Itali-Suedi (0-1) dhe një ditë më pas Irlandë-Danimarkë (0-0), për dy biletat e mbetura nga zona e Europës.

/a.m/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: