Kujtim Prodani: Ju rrëfej fëmijërinë time prej “rebeli”

Kujtim Prodani: Ju rrëfej fëmijërinë time prej “rebeli”
Me kantautorin e njohur, Kujtim Prodani, u ulëm diku e duke respektuar zakonin e marrë nga jeta në Vienë, një birrë na shoqëroi, teksa kujtonim fëmijërinë e tij. Se disa gjëra i vendosëm më parë, që do të bisedonim shtruar për fëmijërinë e unë do i drejtohesha me “ti”. Në fakt, nuk është se të ndodh shpesh të flasësh hapur e me sinqeritet për një pjesë të jetës, që ka qenë baza e asaj që jemi sot. Dhe Kujtim Prodani, biri i një prej kompozitorëve më të mëdhenj shqiptarë të kohëve moderne, dhe i biri i Anitës së fisme e me zë të ëmbël si një përrua në pranverë, kishte se çfarë të tregonte, sepse nga rebel e me pasion pikturën, sot është përsëri një shpirti i lirë, por një nga kantautorët më të njohur që kemi.

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

Do më pëlqente të më tregoje për fëmijërinë tënde të hershme...

Së pari, dua të them se unë nuk kam pasur fëmijëri dhe së dyti, do të flas me ty për fëmijërinë time, ha ha ha. Kam qenë tre vjeç, kur në shtëpinë time filloi të bëhej zhurmë, po shumë zhurmë. Pse? Nuk lija tenxhere e kapak pa marrë dhe me dy shkopinj, krijoja figura sikur të ishte bateri. Në gjuhën muzikore quhen sinkopa, thyerje të forta ritmi, të cilat janë të pazakonta për një moshë trevjeçare. Duhet të kesh dëgjuar shumë muzikë, ta kesh stërvitur veshin shumë, që të mund të riprodhosh faktorë të tillë ritmikë. Ka raste të tilla, unë kam dëgjuar edhe talente shqiptare, fëmijë të vegjël që luajnë shumë këndshëm. Në fakt, s’mund të thuash “luajnë”, por mbajnë ritmin këndshëm, sepse veshin ritmik e kanë tepër të zhvilluar. Ndoshta, këtu im atë e mori për herë të parë shtysën e do të ketë menduar: “Ky djalë nuk është bosh.” Ky mendim do të ketë ardhur nga fakti se, ai si kompozitor e muzikant që ishte, e dinte mirë që këto fraktura ritmike mund t’i bënte vetëm një profesionist i rritur e jo një fëmijë trevjeçar.

Pra, që në këtë moshë, muzika u bë pasioni ty i madh?

Mbaj mend që erdhi një kohë e nëpërmjet estradës, më siguroi një minibateri të vogël që të stërvitesha. Ai e ndjente se, unë humbisja kur luaja në atë minibateri dhe pasi mbaroja, ulesha në tavolinë e nuk lija letra pa zhgarravitur. Pasioni im i madh si trevjeçar ishte piktura, të vizatoja, të zhgarravisja. Kisha disa piktura në shtëpi, i vendosja letër kalk përsipër dhe i kopjoja në format A4. Ha ha ha...e më pas i ngjyrosja sipas qejfit tim e jo sipas shijes së piktorit. Kjo vazhdoi deri në moshën 5 apo 6-vjeçare. Kur isha 6 vjeç e gjysmë lindi ideja që të filloja të merrja mësime në një instrument. Dëshira ime ishte të mësoja violinën, sepse shikoja në rrugë çuna e goca që ecnin me violinë në dorë dhe më dukej argëtuese. Më dukej atëherë më e thjeshtë për të luajtur violinën, duke qenë se e merrje me vete në shtëpi e kudo, edhe në një mjedis festiv, jo si pianoja që nuk e lëviz dot nga shtëpia. Mirëpo, im atë këmbënguli që unë të filloja të studioja pianon, duke qenë se e kisha edhe në shtëpi. U angazhua edhe zysh Lali, e ndjera Lali Hakiu, e kështu fillova mësimet privatisht, në vitin e parë e të dytë. Në vitin e tretë të fillores, unë dhashë një provim për të hyrë në shkollën e muzikës “Kongresi i Përmetit” ku edhe fitova. E hyra në klasë të tretë.

Këto historitë e mia nuk kanë të sosur, sepse kam qenë gjithmonë kontrapedal.

Në dy vitet e para, në cilën shkollë ke qenë?

Në klasë të parë në shkollën “Luigj Gurakuqi”, në klasë të dytë në kombinat, në qytet të nxënësve, sepse ishte mësimi paradite dhe në klasë të tretë tek “Kongresi i Përmetit”. Që nga data 1 shtator e klasës së parë e deri në 30 qershor të vitit 1988, çdo ditë, mua donin të më përjashtonin nga shkolla.

Pse, çfarë bëje? Ishe harrakat?

Gjithçka që nuk duhet të bëhej, e bëja. Gjithçka që ishte “e ndaluar” në atë kohë, mua më lindte dëshira ta bëja. E gjora Anitë, çfarë ka hequr me mua atëherë, nëpër takime me prindër! Shpesh përpiqesha t’ia fshija takimet, jo po është mësuesja sëmurë, jo po është duke u lyer shkolla etj.

Po kjo është fëmijëri, ti më the që s’kam kaluar fëmijëri...

Megjithatë nuk kam kaluar fëmijëri, sepse im atë që ishte në këtë fushë, ishte artist dhe krijues, shpesh më thoshte fraza që unë sot i kuptoj, por kur je 6 apo 7 apo 8 vjeç, të hyjnë nga njëri vesh e nga tjetri të dalin, pa lënë asnjë lloj gjurme. “Ti s’e kupton, bir i babit, ku po hyn. Nuk e kupton se në çfarë mjedisi po hyn, - më thoshte.

Ndonëse mësueset në 8-vjeçare më vlerësonin me notën 10 me yll, këto rezultate unë i arrija vetëm me 20 minuta studim në ditë. Im atë kërkonte nga unë 4 ose 5 orë studim, pikërisht për të kërkuar maksimalen, sepse ai vetë ishte njeri që nuk kënaqej lehtë. Ishte një njeri që nuk më tha kurrë bravo në sy, e kjo është një nga gjërat që më ka ngelur merak. Por Anita më thoshte se kur unë largohesha, ai kënaqej e fliste bukur.

Po në adoleshencë, vazhdoi të qenit rebel?

Në moshën 12 dhe 13 vjeç luaja shumë basketboll. Gdhihesha e ngrysesha me top basketbolli, ishte pasion shumë i fuqishëm i kohës. Ne banonim tek 21 dhjetori dhe ishte një park shumë i famshëm, parku i xha Tomit, ku stërvitej 17 nëntori në atë kohë. Unë shpesh e gjeja veten tek rrija pas telave tek vështroja stërvitjen dhe imagjinoja veten basketbollist, por kurrë muzikant ose kompozitor. Trajnerët trokisnin shpesh në shtëpi dhe më kërkonin tek im atë: “Agim, na e jep se është i talentuar dhe i gjatë”. Por im atë nuk pranonte, kurrsesi. “Në asnjë mënyrë, unë jua jap! Çfarë do të bëjë ai, kur të bëhet 30 vjeç, se nuk është nga ata që i bën edhe sportin, edhe muzikën, ha ha ha! - u thoshte.

Kështu që mbarova 8-vjeçaren për piano dhe unë e braktisa pianon. Im atë u dorëzua me mua. Nuk do, nuk do, s’kam çfarë t’i bëj. Fillova gjimnazin “Qemal Stafa”.

U “shtrove” disi në gjimnaz?

Joooo... Edhe aty donin të më përjashtonin. Në gjimnaz, o kisha notën maksimale, si në histori ose gjeografi, ose isha dobët si në matematikë ose fizikë. Pra, nuk kisha rezultate të ndërmjetme, o majën ose fundin, o më pëlqente ose nuk më pëlqente.

Si një kurbë elektrokardiogrami...

Ha ha ha... po, fiks. Në klasë të shtatë a në klasë të tetë, në mos gaboj, pranoheshin të gjithë të rinjtë në organizatën e rinisë, duke na dhënë teserën e rinisë, mua nuk më pranuan. Natyrisht që unë si 13-vjeçar nuk kisha kurrfarë problemi me këtë, por vajti letra në shtëpi.

Kjo ishte rezultante e bëmave që kishe bërë?

Po, për të gjitha “shkeljet e disiplinës”, ikja nga aksioni, lija orët e mësimit, ngacmohesha me çunat. Gjëra normale sot, por ishin kohë delikate. Të shkretët prindër ç’kanë hequr! Ndërkohë që unë qeshja dhe e merrja me shaka. Pas dy viteve të gjimnazit “Qemal Stafa”, im atë e kuptoi se nuk kishte rrugë tjetër me mua. “Historian s’do bëhet, gjeograf gjithashtu, ha ha ha, sportist jo, na mbeti në shtëpi, - tha ai.

Ndërkohë me pianon, çfarë bëhej?

E kisha braktisur prej dy vitesh pianon.  Kujtoj se ishim duke shkuar me pushime, po bëheshim gati për në Sarandë. Unë u ula në piano dhe shkrova një miniaturë pianistike, pa u konsultuar me tim atë, aspak. Rreth tre minuta e gjysmë muzikë. Përpara se të niseshim, i them tim eti ta dëgjonte: “Po kur e ke shkruar, se unë kam dy vite që nuk dëgjoj piano. Hajde, hajde të ta dëgjoj”, - më tha ai. Unë e luajta partiturën e cila i pëlqeu dhe vendosi se nuk do të dorëzohej, derisa të më fuste në linjë. Pas pushimeve, shkoi në gjimnaz dhe u tha se unë nuk do të shkoja më. Në atë kohë, ishte mundësia e ndjekjes së shkollës, pa shkëputje nga puna, në Liceun Artistik “Mihal Grameno”. Por që të vazhdoje atë shkollë, duhet të ishe në marrëdhënie pune.

Mos po më thua që të futën në prodhim?

Në artistiken “Migjeni” u gjet një vend. Unë isha 16 vjeç, në repartin e skalitjes së drurit, ku kam një eksperiencë mjaft të mirë me njerëz shumë të mirë.

U riktheve tek pasioni i vjetër, piktura...

U ktheva tek dalta dhe ngjyrat. Por as kjo nuk mjaftonte, duheshin njohuri të një instrumenti muzikor dhe piano nuk më bënte punë, sepse duhej instrument shoqërues, si p.sh., fizarmonika ose lahuta. Supozohej që do të dilje në turne e do t’ju shërbeje masave që të argëtoheshin. Fillova të mësoja fizarmonikën që ishte një tmerr, pjesa e baseve, e dorës së djathtë, që nuk shikohet, është vërtetë e vështirë. Më pas më angazhoi grupi i valleve “Migjeni”, nga ku dhe u rekomandova të vazhdoja shkollën. Në Lice dola me rezultate të shkëlqyera, gjë që ishte e lehtë, me eksperiencën që kisha.

Këtu mbaroi dhe fëmijëria ime e çuditshme, se të bukur nuk e quaj dot. Unë i kam larë me lot tastet e pianos, sepse nuk doja të studioja aq shumë. Agimi ankohej tek pedagogët, sepse ata i thoshin se isha shumë i talentuar e se nuk duhej të shqetësohej. “Po pse o ba, të studioj kaq shumë! Ja ku i kam dhjetat me yll në mësim”, - i thosha duke qarë. “Ç’dhjetë more, dhjetën ta ka vënë jot ëmë kur të lindi. Unë nga ty dua njëzetë! Ku e di ti sa i vështirë është arti dhe marrëdhënia me kolegët!” - më përgjigjej ai, dhe kishte të drejtë, por hajde t’i mbushësh mendjen një djali të vogël.

Në gjithë këtë rrugëtim në muzikë, mamaja çfarë qëndrimi mbante?

Anita ishte e tërhequr në atë periudhë, i përkushtohej plotësisht familjes, por jo formimit tim muzikor. Ishte Agimi që i kishte vënë gjoksin formimit tim artistik. Babai ishte në profesion të lirë, pra nuk kishte ato oraret 8 me 5 si të gjithë prindërit. Kjo do të thotë që unë e kisha në shtëpi, doja s’doja isha nën kontroll total. Nëna ime ishte një nënë......kaq, kam vendosur të mos flas më për këtë ose për jetën time private.

Kur ka ardhur kompozimi i parë në muzikën e lehtë?

Ka ardhur shumë vonë, sepse nuk më lejonte im atë. Më thoshte se do të mendonin se e kishte shkruar ai. Ai më drejtoi drejt muzikës klasike, atë që gabimisht e quajnë serioze. Ç’do të thotë serioze e ku ndryshon me joseriozen? Këtë seriozen e bëjnë ata që nuk bëjnë dot joseriozen? Kurrë s’e kam kuptuar këtë ndarje! Por unë ju binda babait, pavarësisht se muzika klasike nuk flinte fare brenda meje. Im atë ndërroi jetë shumë shpejt. Mua m’u shemb kolona e shtëpisë, m’u shemb shtëpia. Ishte një humbje e disafishtë, prind, pedagog, ekzistencë, bashkëbisedim, leksion, filozofi, gjithçka, Agimi për mua ishte gjithça e këtu e mori Anita situatën në dorë. Aty doli Anita lidere.

Me muzikën, çfarë ndodhi?

Pas pak ditësh që kishte ndërruar jetë im atë, unë i telefonoj poetes Zhuliana Jorganxhi dhe i them: Zysh, kam bërë një këngë. Ia paraqita vijën melodike, i pëlqeu dhe kështu doli kënga ime e parë që quhet “Mirënjohje”, kushtuar prindit, babait të mirë, kolegut. Kjo ishte kënga ime e parë.

Të gjitha partiturat me të cilat kisha dalë me rezultate të shkëlqyera në Institutin e Arteve, i vura mbi dollap e nuk i preka më. Iu përkushtova muzikës “joserioze”. Më bën të ndihem mirë e nuk jam ndarë më kurrë prej saj. Ndihem drejt realizimit, sepse realizimi im do të zgjasë shumë dekada ende, komunikoj me njerëzit, luaj në piano, ndihem mirë.

Nuk e di historinë e ikjes tënde në Austri; si rrodhën ngjarjet?

Ishte një turmë shqiptarësh që donin të iknin më 1991, pa kuptuar ku e si. Nuk hymë dot në ambasadën franceze, edhe pse na ftonin të hynim. U poqën gjërat dhe u larguam në drejtim të Austrisë, ku janë në shtëpi edhe dy piano të miat. Po shkoj gjithmonë e më rrallë, pavarësisht se kam jetuar 10 vjet atje. Kam krijuar rehatinë time në Tiranën që dua, njerëzit më duan e i dua, por edhe mosha bën të vetën. Më mungojnë njerëzit tani, dua t’i kem pranë.

Miqtë zënë vend shumë të rëndësishëm tek ti, por ka sot mirënjohje?

Gjithmonë e më pak, por ka. Unë kam krijuar një oaz timin. Populli thotë se njeriu ka një ose dy miq. Unë fatmirësisht kam ca më tepër dhe jetoj brenda oazit tim e nuk më intereson fare, çfarë ndodh rreth e qark. Për mua Shqipëria nuk është tre milionë, por 20 ose 30 bashkëpunëtorë të ngushtë e miq, që mua më rrethojnë, edhe pse më vjen keq. Shtëpi, punë, studio, një kafe, një birrë, një darkë a drekë kur mundemi dhe kaq. Jam shkëputur nga jeta artistike që bëja dikur, një teatër, një opera, jetë që e bëja përpara viteve ’90. Sot nuk bëhet fjalë. Më vjen keq, por kjo më ndodh vetëm në Shqipëri, jashtë ende e kam këtë dëshirë. Miqtë janë edhe një pjesë e rëndësishme me të cilët edhe punoj disa herë në javë. Ata nuk presin që t’i të kërkosh ndihmë ose të trokasësh, por të pyesin vetë, a ke nevojë për ndihmë. Kujtohen për ty, nga njerëzit më të thjeshtë e deri tek biznesmenë të fuqishëm. Kam disa dhe më janë gjendur, jam me fat!

E quan veten njeri me fat?

Të dish se sa halle kanë njerëzit në këtë vend, është e paimagjinueshme. Jam me fat e nuk jam me fat. Ja me fat, sepse bëj atë që dua, ushtroj profesionin që dua. Por nuk jam me fat, sepse ushtroj profesionin që dua, bashkë me kolegët e mi, në një periudhë kur interesi është minimal për artin dhe artistët. Jo më larg se përpara disa netësh, po ndiqja në televizion një aktivitet ku ishin ftuar rreth 300 a më shumë artistë, nga më të mëdhenjtë e deri tek më të rinjtë. Artistë që i kanë dhënë shpirtin këtij vendi e sa herë kamera lëvizte nëpër sallë, unë psherëtija, sepse ishin dhe janë shumë të varfër. Jo shpirtërisht, por janë njerëz që kanë punuar 40, 50 a 60 vjet dhe shpërblehen me pensione me nga 200 mijë lekë të vjetra. Unë u ndjeva keq. Isha në shtëpi përballë ekranit. Mund të thuash se çfarë rëndësi ka. Po, ka shumë rëndësi, se atyre nuk u qeshte buza. Jetojmë në një periudhë të pamerituar nga shumë artistë, këtu fus edhe veten time. Nuk e kisha menduar, qoftë edhe përpara 15 viteve, se sa vështirësi do të kisha në këtë vendin tim, në këtë Tiranë që unë e dua, ku jetesa dhe ekzistenca janë shumë të vështira. Fat i madh, nëse mund ta quajmë kështu, që jetoj vetëm, nuk kam fëmijë për të ushqyer, edukuar e shkolluar e vetëm nuk kaloj keq. Por kur mendoj artistët, kolegët, bashkëmoshatarët e mi, me sa sakrifica drejtojnë familjet, ndihem keq. Ata janë zbardhur duke bërë muzikë, por ja që jeta kështu është. Ndaj unë vazhdoj të këmbëngul duke thënë se, jeta duhet marrë si të vijë. Unë ashtu bëj.

 

 

 

 

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: