Lamtumira e një legjende

Lamtumira e një legjende
Italia pas 60 vjetësh, do t’i mungojë finaleve të botërorit. Eliminohet përmes lotëve të  Gianluigi Buffon, ironia e kampionit të portës që nuk e meritonte një lamtumirë kaq të trishtë    

Aranit Muraçi

Gianluigi Buffon  i thotë lamtumirë Kombëtares italiane, përmes lotësh. Ai ishte ndoshta i vetmi nga kampi italian, që mori përgëzime pa fund nga Italia e mbarë bota. Pjesa tjetër e kombëtares italiane, duke nisur nga federata, trajneri e lojtarët, do t’i nënshtrohet një analize të thellë dhe një revolucioni që, për analistët në Itali, është më se i domosdoshëm.

Fituesi i Kupës së Botës 2006,  Gigi Buffon, pas eliminimit të Italisë, uli perden e një karriere te shkëlqyer ndërkombëtare. Në rast pjesëmarrjeje në Rusi 2018, portieri 39-vjeçar i Italisë dhe i Juventus-it, do të arrinte rekordin e portierit të Meksikës,  Antonio Carbajal, e atë të mesfushorit të Gjermanisë, Lothar Matthaus. Por Buffon nuk ia doli të merrte pjesë në finalet e gjashta radhazi të Kupës së Botës edhe pse ai luajti si zëvendësues në botërorin e parë, Francë ’98.

“Nuk më vjen keq për veten time, por për tërë futbollin italian,” – tha Buffon. “Ky është pengu i vetëm që kam dhe lamtumira ime rastis me dështimin për t’u kualifikuar në botëror.”

Buffon zhvilloi ndeshjen e 175 me fanellën e Italisë ndaj Suedisë. Portierët Gigione Donnarumma e Mattia Perin, ai thotë se, do ta zëvendësojnë në të ardhmen ku shpreson edhe në ringritjen e Italisë. “Lamtumira e një legjende” – ishte titulli i “FIFA.com”. Kësisoj mundet të kesh shkruar historinë, të jesh pranë një rekordi, të vlerësohesh për vite me radhë e të konsiderohesh portieri më i mirë në botë, madje edhe të krahasohesh me më të mirët e historisë së futbollit botëror. Por ironia ndodh pikërisht pas një karrierë të tillë të shkëlqyer, prej dy dekadash. Sepse ndodh të largohesh ashtu siç edhe rivalët nuk do ta dëshironin. Italia, pas plot 60 vjetësh, nuk do të marrë pjesë në finalet e Kupës së Botës. Katër herë kampionët e botës do të mungojnë në Botërorin e verës “Rusi 2018”, përmes një dëshpërimi që ka prekur tërë kombin italian, ndërsa legjenda Giggi Buffon i dha lamtumirë Kombëtares së tij, përmes lotëve, pikërisht pas përfundimit të ndeshjes me Suedinë. U mbyll në barazim pa gola ndeshja e dytë “play-off”, rezultat që la Italinë jashtë Botërorit, pasi e kishte humbur ndeshjen e kaluar në Solna, 1-0.

Thomas Strakosha, portieri i kombëtares shqiptare, shkroi në “Instagram”, mbi vendimin për largimin nga kombëtarja të idhullit të tij.

“Nuk e meritonte këtë mbyllje me Kombëtaren. Je dhe do të mbetesh gjithnjë më i miri!”

Strakosha me paraqitjet e tij, shihet edhe si pasues i mundshëm i Buffon te bardhezinjtë.

Pse më mban me Insigne-n në stol? De Rossi përplaset me stafin italian

Mesfushori veteran i Italisë, Daniele de Rossi, është kapur i inatosur teksa rrinte në stol, duke i thënë trajnerit Giampiero Ventura se, duhet të luajë në sulm dhe jo i tërhequr për të pritur dështimin dhe eliminimin e hidhur në barazimin pa gola ndaj Suedisë.

“Fut ndonjë tjetër në lojë (duke parë edhe nga Insigne), ne duhet të fitojmë jo të barazojmë,” ka thënë De Rossi, i cila nga disfata pas ndeshjes ishte një tjetër italian që i dha fund karrierës ndërkombëtare.

“Është një ditë e errët për futbollin italian. Ka shumë të rinj të talentuar në Itali. Besoj se, tani ka ardhur koha e tyre”  u shpeh pas vendimit De Rossi.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: