MARATONA DORË PËR DORE E KRETËS - OPINION NGA PLATON NESTURI

MARATONA DORË PËR DORE E KRETËS - OPINION NGA PLATON NESTURI
Nga Plator Nesturi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Takimi në Kretë i ministrave të jashtëm, Bushati dhe Kotzias, mori një vëmendje të madhe nga opinioni publik dhe mediatik i të dy vendeve. Prej vitesh, Greqia dhe Shqipëria, përveç fqinjësisë, po ndanin mes tyre dhe shumë deklarata të ashpra për çështje të ndryshme, çka reflektonte tensionin që zotëronte në marrëdhëniet midis dy shteteve. Ndonëse në platformën qeverisëse të kabinetit Rama, ku motoja e "Zero problemeve me fqinjët" kishte dhe shtojcën se, Greqia përbënte një "partner strategjik", formulë kjo e mbarsur dhe nga kabinetet paraardhëse, për këdo ishte e qartë në vitet e fundit, ish-strategjia për t’iu përgjigjur sy për sy e dhëmb për dhëmbë, çdo deklarate të diplomacisë greke apo çdo qëndrimi që konsiderohej si ndërhyrje në punët e brendshme. Dhe në këtë ballafaqim duket se po zinin vend gradualisht, nervozizmi dhe evidentimi i çdo gjëje që ishte e ndryshme në konceptim, qëndrim dhe zgjidhje të problemeve që ekzistojnë mes dy vendeve. Nervozizmi i zgjatur gjithashtu, kishte bërë të harroheshin se sa të përbashkëta kemi, në interesa dhe në të ardhmen që e shohim brenda familjes europiane.

Bisedimet Bushati- Kotzias, duhet thënë që vijnë në kohën e duhur. Deklaratat për ndërhyrje në punët e brendshme apo se Greqia mund të vërë edhe veton për hapjen e negociatave në BE për të drejta minoriteti, vetëm sa po mahisnin problemet. Ndërkohë që dhe vetë Traktati i Miqësisë Shqipëri – Greqi ka skaduar dhe nëse dy vendet do të përqafojnë një traktat të ri miqësie, natyrisht duhet të sheshojnë problemet e të hedhin baza të shëndosha për një miqësi dhe marrëdhënie të sinqerta. Me Greqinë, duam apo nuk duam, do të jemi gjithmonë fqinjë dhe me të është më e arsyeshme të shkosh mirë e të gjesh gjuhën e përbashkët, për më tepër që kemi të njëjtën histori e shumë të përbashkëta me njëri-tjetrin.

Një takim 48-orësh në Kretë, midis ministrave të jashtëm, ka qenë një sipërmarrje e madhe dhe e vështirë. Nuk bëhej fjalë për një takim të zakonshëm ku parashtrohen pikat kryesore dhe qëndrimet e palëve. Por një takim ku që në fillim, është pranuar se midis dy vendeve ka probleme dhe se për t’i zgjidhur ato, duhen vullnet dhe parashtrim i gjerë i të gjithë problematikës. Vetë ndarja e bisedimeve sipas kapitujve, dëshmon nga ana tjetër dhe seriozitetin për të gjetur së pari, pika takimi mbi të cilat të punohet për zgjidhje e kompromis. Kufiri detar, ligji i luftës, çështja e vulave apostolike për emigrantët, toponimet, tekstet shkollore të historisë dhe gjeografisë, çështjet e pronave për qytetarët shqiptarë në Greqi, të drejtat e minoritetit grek dhe varrezat për luftëtarët grekë, gjatë luftës italo-greke, tregon se çështjet e hapura për diskutim janë të shumta.

Nëse pritej një produkt pas këtij takimi maratonë, kjo nuk u shpreh me diçka konkrete. Të dy ministrat u treguan të rezervuar dhe në komunikatën e përbashkët për shtyp, u deklarua se bisedimet ishin konstruktive, komplekse dhe me vullnet për të gjetur zgjidhje. Në këtë aspekt, vetë maturia e treguar për të gjetur zgjidhje konkrete, në vijim të bisedimeve në Tiranë apo gjetkë, në vetvete tregon se jemi në rrugë të mbarë. Do të ishte më me pak vlerë nëse do të shpallej se ishte rënë dakord për ndonjë kapitull e të tjerat i lihen kohës, sesa fakti që dakordësia duket se do të jetë komplekse.  Në këtë aspekt, ia vlen të kujtojmë bisedimet që kryhen midis Kosovës dhe Serbisë. Ndonëse ka gjashtë vjet që bisedimet mes tyre vijojnë nën nxitjen e BE-së, dhe ndërkohë janë arritur dhe 38 marrëveshje midis dy vendeve, ato nuk arrijnë të implementohen dhe marrëveshjet në këtë mënyrë, mbeten tekst në letër.

Një skemë marrëveshjeje sipas modelit Kosovë-Serbi, nuk do të kishte vlerë në këtë rast. Për më shumë që, vetë ministrat e jashtëm nuk kanë autoritetin e mjaftueshëm për një sërë çështjes që janë hapur në tryezën e bisedimeve. Për shumë prej tyre, duhet dhe angazhimi i institucioneve të tjera që kanë ligjshmërinë e duhur dhe që marrëveshjet të hyjnë në korniza legale. Gjithsesi, çlirimi nga gjuha e drunjtë dhe gjetja e hapësirave të përbashkëta të bashkëveprimit do të ishte në të mirën e të dy vendeve. Dhe kjo jo vetëm në rrafshin politik. Çlirimi i energjive nga mosbesimi dhe frenimi i bashkëpunimit, do të hapë hapësira të reja, pikërisht në rrafshin e ekonomisë dhe të investimeve, që do të ishte me interes reciprok. Vetë Shqipëria e ka të lidhur këtë interes, jo vetëm nëpërmjet marrëdhënieve tregtare, por dhe për faktin se qindra mijëra emigrantë të vendosur atje, si dhe dhjetëra mijëra punëtorë sezonalë, janë kontribuues që, me paratë e tyre, jo vetëm injektojnë ekonominë shqiptare, por dhe një grupim i fortë interesi që dëshiron marrëdhënie të mira, të qeta dhe dinjitoze. Në fund të fundit, vetë politika nuk mund të mos ndërvaret nga interesat ekonomike të qytetarëve të vet.

 Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: