Mbillen 1 mijë pemë të reja në zonën e Liqenet  të Thatë në Tiranë

Mbillen 1 mijë pemë të reja në zonën e Liqenet  të Thatë në Tiranë
Zona e Liqenit të Thatë po shndërrohet ditë pas dite në një mjedis çlodhës për komunitetin e shtuar të banorëve, si dhe për qytetarët e tjerë të kryeqytetit. Bashkia e Tiranës dhe Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit vijojnë gjelbërimin e rrugëve dytësore te Liqeni i Thatë, në të dyja anët e autostradës, nga nënkalimi në drejtim të Saukut. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u bë pjesë e aksionit për mbjelljen e 1000 pemëve të reja, ku theksoi se ky projekt do të vijojë përgjatë gjithë unazës së jashtme të Tiranës, që është edhe kufiri i Pyllit Orbital. “Po ndjekim gjithë Unazën e jashtme të Tiranës, e cila në fakt është konturi dhe kufiri i Pyllit Orbital. Sot po mbjellim 1000 rrapë, që i kemi donacion. Dua të falënderoj të gjithë donatorët që po aplikojnë konceptin që kemi propozuar, pra për çdo makinë, dy pemë të mbjella, për të zeruar impaktin që ka në mjedis ndotja që vjen nga makinat. Jam entuziast për faktin se na janë përgjigjur shumë kompani, shumë më shumë se ç’e kishim menduar”, tha Veliaj, i cili u shpreh optimist se me ritmet me të cilat po punohet, do të arrihet një numër rekord i mbjelljes së pemëve të reja në mbi 100 mijë në vit.

Kreu i Bashkisë e vlerësoi si shumë të rëndësishëm misionin për të shtuar gjelbërimin në qytet dhe ftoi bizneset apo individët e ndryshëm që të kontribuojnë, duke i lënë qytetit trashëgiminë më të mirë.

Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit, Blendi Gonxhe tha se me miratimin e Planit të ri rregullues të Bashkisë së Tiranës, ka nisur puna për të kthyer në realitet projektet e parashikuara për transformimin e qytetit. /s.i/afp/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: