“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Mblidhet FSHF dhe diskuton për "vezët e Bleonës"

“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Mblidhet FSHF dhe diskuton për "vezët e Bleonës"
Satirë

"Antena Jashtë Familjes" së pari, ju uron lexim dhe pastaj, fundjavë të mbarë!

Ka qenë një javë plot me ngjarje dramatike, ku ndër të tjera mësuam se, katër zyrtarë të lartë të policisë, ia kanë pasur me hile publikut dhe qeverisë.

E lëmë dramaticitetin, e kalojmë te ngjarjet që na mbushin me frymëzim, apo siç i thonë në gazetari, me optimizëm. Sapo morëm vesh një lajm shumë të mirë.

Bashkia e Tiranës ka vendosur që, në katër shkolla këtu në kryeqytet, të vendosë sistemin e vendeve të jashtme, ku nxënësit shkojnë në sabah në shkollë, e dalin mbasdite prej saj.

E përshëndesim këtë vendim të bashkisë, që do të bëjë të mundur punësimin e motoristëve, picierëve dhe kuzhinierëve të rinj. Ja pra, si rritet punësimi! Me ide dhe masat e duhura.

Duam të shtojmë dhe të theksojmë se, ne nuk besojmë se këtë tender, pra gatimin e ushqimit dhe shpërndarjen e saj, do e marrë ndonjë person që ka media. Jemi të bindur për këtë që themi.

Urojmë mësuesit që do punojnë orë shtesë me nxënësit, që mos të kenë fatin e policëve, që pasi mbarojnë shërbimin 8-orësh, shkojnë dhe bëjnë shërbim në stadiume, e për këtë nuk paguhen.

E meqë ra llafi te sporti dhe stadiumet...

Para disa ditësh, nëse ju kujtohet, klubi i futbollit Flamurrrrtari të Vlorrrrës, u dënua që të zhvillonte disa ndeshje pa tifozë. Shkaku ishte se, disa sportdashës kishin shpalosur një parullë ku shkruhej bukur dhe pa gabime; "Pulave u ka hije të kakarisin vetëm në kotec!"

Dukej që kjo parullë ishte ideuar dhe shkruajtur nga ndonjë që e ka mbaruar shkollën tetëvjeçare. Themi kështu, pasi parulla nuk kishte gabime shkrimore.

FSHF-ja u mblodh menjëherë pas ndeshjes dhe doli në përfundimin se Ajo, pra Federata në rastin konkret, ishte "Koteci", ndërsa kur flitej për "Pulat", nuk bëhej fjalë për anëtarët e FSHF-së, pasi asnjë prej tyre nuk rri si pulë përpara Presidentit të institucionit.

Në këtë rast, flitej për vetë drejtuesin e tij, shokun Armand Duka, i cili merret në kohën e lirë me biznesin e pulave dhe kur ato pula duan të lëshojnë, merret edhe me vezët e tyre.

E sollëm në kujtesë këtë ngjarje, apo siç i thonë në gazetari "event", pasi rubrika jonë mësoi se, pardje në orën 18 pa 18 minuta, u mblodh me urgjencë, Komiteti i Disiplinës në  Federatën e Futbollit.

Ne kemi mundur të sigurojmë nëpërmjet metodave tona të spiunimit, se ç'ndodhi në atë mbledhje që zgjati deri në afrimin e ditës tjetër.

Kush foli, sa minuta foli, a dribloi kur foli, apo i tha gjërat troç, a përdori kohën shtesë kur kuvendoi dhe kur foli, sa herë e pa në sy Presidentin...?

Të gjithë mbledhjen e kemi në kasafortë. Aty kemi gjithashtu tërë procesverbalin si edhe deklaratën që do t’i shpërndahet shtypit në muajin mars, përpara se të hidhet në sulm, shoku Bashkim Fino, që të marrë drejtimin e Federatës së Futbollit.

S'keni parë asgjë akoma!", as në fushën e futbollit. Duroni deri në muajin mars! Nejse, e kishim llafin te shpallja...!

Ja deklarata:

Ne anëtarët e Komitëtit Ekzekutiv, të mbledhur sot përpara se të dalim të hamë ndonjë darkë së bashku, shqyrtuam me hollësi deklaratën e këngëtores Bleona Qereti.

E kemi llafin për thënien e saj, "Po ngrij vezët!".

Në fillim dyshuam se, ç'ka dashur të thotë ajo me llafin "vezët".

U dhanë shumë versione, rrahëm shumë mendime pa dhunë, e jo siç rrihen gjyqtarët nga fëmijët në kampionatet e tyre, që varen nga ne.

Në fund, u arrit në përfundimin se: zonjusha në fjalë, ndryshe nga tifozët "flamurrrrtaras", nuk e ka patur fjalën për vezët e pularisë së Presidentit tonë, Armand Duka.

Ndaj këngëtores, nuk do merret asnjë masë.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

Në procesverbal flitet, ndër të tjera, edhe për këngëtaren me origjinë kosovaro-shqiptare Rita Sahati, apo e thënë ndryshe, Rita Ora.

Edhe kjo këngëtare ka deklaruar përpara disa kohësh, në një media britanike se, ka ngrirë vezët në një laborator mjaft modern.

Nga procesverbali i Komisionit të Disiplinës në FSHF, marrim vesh se, ka patur debate të shumta në shqip midis anëtarëve të këtij Komisioni, edhe për rastin në fjalë, megjithëse asnjë nuk e ka kuptuar kur Rita ka folur, pasi ajo ka llafosur anglisht.

Është dashur ndërhyrja e një anëtari të Tij, që të thotë se ky organ, pra Komisioni që vepron vetëm brenda Republikës së Shqipërisë, nuk e ka tagrin juridik të merret me vezët që ngrijnë dhe shkrijnë në vende të tjera.

Vezët e Ritës i përkasin Britanisë së Madhe, e për to mbajnë përgjegjësi Institucionet, apo edhe Federatat e Futbollit të vendeve që përbëjnë këtë shtet.

Nuk dihet nëse Rita i ka ngrirë ato në Angli, Wells, Irlandë të Veriut, apo Skoci.

E rëndësishme për anëtarët e Komisionit të Disiplinës  sonë është që vezët, nuk kanë qenë të Presidentit të Federatës së Futbollit...

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: