Moti i keq prek tërë Ballkanin, vonohen tragetet në Portin e Vlorës

Moti i keq prek tërë Ballkanin, vonohen tragetet në Portin e Vlorës
Moti i keq që ka përfshirë tërë rajonin e Ballkanit ka shkaktuar problemet e para edhe në Shqipëri. Ka pasur vonesa në Portin e Vlorës, pasi trageti i linjës Brindisi-Vlorë nuk ka mbërritur në port rreth orës 07:00 të mëngjesit.

Forca e dallgëve në det të hapur shkon deri në 6 ballë, duke vështirësuar lundrimin.

Autoritetet portuale presin mbërritjen e tragetit rreth orës 12:00, nëse kushtet e motit nuk përkeqësohen.

Por problemet më të mëdha me motin po i përjetojnë vendet fqinje. Në Greqi janë shkaktuar probleme serioze nga reshjet e fuqishme të shiut, paraditen e të mërkurës.

Në Nea Perama dhe Megara, zona në afërsi të Athinës,  janë përmbytur banesa, si dhe janë shumë njerëz janë bllokuar brenda në makinat e tyre.

Në aksin rrugor Athinë-Korinth qarkullimi i mjeteve bëhet vetëm në një korsi. Sipas shërbimit zjarrfikës, brenda një ore pati 160 thirrje për ndihmë nga qytetarët.

Shkollat e zonave të përmbytura janë mbyllur këtë të mërkurë.

Në Korfuz, një turist anglez humbi jetën kur makinën ia morën ujërat e rrëmbyer. Në disa ishuj u shpall gjendja e jashtëzakonshme.

Shërbimi meteorologjik i ka vënë emrin “Eurydiki” valës së motit të keq, që pritet të vazhdojë deri në fundjavë.

Por probleme kanë pasur edhe vendet e tjera të rajonit. Reshjet e dëborës dhe moti i keq kanë shkaktuar probleme serioze të qarkullimit në Sllovenia, Kroaci e Bosnje-Hercegovinë.

Kroacia u prej nga një stuhi bore, e cila i detyroi autoritetet të ndalonin lëvizjen e trageteve. Zonat më të prekura ishin ato përreth Capella-s, Slim-it dhe Gorski Kotarit.

Zyrtarët vendas kanë lëshuar paralajmërime për rrëshqitje dheu e kanë kërkuar të mos lëvizet me kamionë me rimorkio.

Pika e kontrollit Pasay në kufirin kroat me Slloveninë është mbyllur, ndërsa në Slloveni në rrugën Lubjane-Koper trafiku u bllokua për shkak të motit.

Temperaturat ranë ndjeshëm dhe në kryeqytetin e Bosnjës dhe Hercegovinës, Sarajevë, ku bora nisi të hënën.

Reshjet e rrëmbyeshme të shiut gjatë 48 orëve të fundit kanë bërë që të rritet ndjeshëm edhe niveli i lumenjve në Mal të Zi, ku shiu pritet të vazhdojë edhe përgjatë ditëve në vijim, ndonëse me intensitet më të dobët.

/a.m/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: