NA DUHET NJË MBRETËRI – OPINION NGA FRROK ÇUPI

NA DUHET NJË MBRETËRI – OPINION NGA FRROK ÇUPI
Nga Frrok Çupi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Mund të mos ktheheshim në rendin politik të monarkisë, por mund të quheshim "mbretër". Mund të silleshim me krenarinë si të ishim të gjithë mbretër, pa pasur nevojë të kthehemi pas, në një rend kushtetues të kaluar...

M’u bë se, Mbretëria e Arabisë Saudite mundi të shkundë botën, me lajmin që përcolli nga Ryadi: Brenda pak minutash, vuri në pranga princin trashëgimtar të Kurorës, Alwaleed bin Talal, 11 princa të tjerë, katër ministra dhe disa ish-ministra të qeverisë. Të gjithë u vunë në gjykim, me akuzën "për korrupsion".

Pse na vjen të lavdërojmë mbretërinë në këtë rast?

Mund të mos jetë veç një Pallat ose Kurorë, një mbret ose një ligj i vetëm mbretëror, që kreu veprën e bujshme. Por, si në gjithë natyrën njerëzore, ajo çfarë të mungon në shtetin tënd e në shtëpinë tënde, pikërisht ajo të duket se është shkaku që të bën ta shikosh tjetrin me zili.

A, pse vetëm se na mungon mbretëria?

Jo, sigurisht. Por sepse na mungon rendi i vërtetë i ndëshkimit ndaj krimit dhe korrupsionit. Korrupsioni i zyrtarëve të lartë të shtetit, na ka ardhur deri aty sa, po na zë frymën. Ndoshta edhe po të kishim mbretërinë si rend, përsëri po kaq shumë korrupsion do të kishim. Por tani që shikoj një mbretëri, qoftë edhe arabike, më bëhet të them se mbretëria, ajo që kreu veprën e lavdërueshme në atë tokë të nxehtë, pikërisht ajo vegël na mungon... Se çfarë tjetër? A jemi një komb i lashtë, aq i lashtë dhe i qytetëruar sa popujt më të ndritur rreth nesh?

A jemi krenar për një pjesë të hershme nga historia jonë, por jo nga historia e tanishme?! A jemi ata që mezi presim në kuvende mes të huajve të dëshmojmë se jemi të hershëm dhe në radhë me të ndriturit? A jemi nga ata racistë të padenjë që mburremi para gjermanëve se, kur ne vishnim frak, ju jetonit mbi pemë. Por tre çapaçulë, të paditur e të pacipë, na kanë ulur kokën,  duke trafikuar nëpër botë,  duke na vjedhur nëpër xhepa e duke na përqeshur nëpër ekrane...

Çudira! E kërkojmë nderin dhe krenarinë, por me sjelljet e gjeneratës sonë, biem në gropë...

Ja pse e kërkojmë mbretërinë e Arabisë Saudite, veç për të na ngritur kokën që na e ka ulur korrupsioni dhe krimi i shtetarëve. Arabia Saudite i vuri në pranga mbretin e nesërm, Princin Alwaleed bin Talal, që ishte gati të kapërcente nga froni i princit në fronin e kurorës, 11 kandidatë të tjerë mbretërorë që quhen princa dhe disa ish-ministra...

Arabët që dje, të paktën nga dita e djeshme, e kanë kokën lart. Jo veç para botës, por në radhë të parë, para vetes dhe familjes. Sepse shkojnë në shtëpi dhe nuk mund t'i shikojë fëmija me poshtërim: "Hë mo, ti që rraskapitesh gjithë ditën, por djersën ta vjedh ministri!" Jo.

Ja për këtë them se, çfarë tjetër na mungon vallë. Ne jemi një komb që na vjen të krenohemi, por në mbrëmje nuk i kemi parat tona në xhep, na i ka grabitur ministri dhe ish-ministri... Duhet mbreti që t’i verë në pranga.

Me siguri nuk është problemi thjesht te mbreti, sepse mbreti me shpirt të korruptuar, të shkatërron jetën më keq. Por kemi ardhur në pikën e helmit, kur i themi vetes "edhe me mbret, edhe me hekur të nxehtë..., veç ta zhdukim vjedhjen e zyrtarëve, krimin e shtetit dhe të marrim frymë vetë". E keni vënë re se kur njeriu është në dhimbje të tmerrshme të gjymtyrës, i  lutet mjekut: "preje këmbën që të gjej prehje". E keni vënë re se sa shpesh, kur ndodhin krime makabre mes nesh, themi: "të kthejmë dënimin me vdekje". Keni dëgjuar se si thonë disa të dëshpëruar se, "duhen prapë burgjet e Enverit". Njeriu ka të drejtë të jetë i padrejtë me veten dhe të pijë “helmin” për të shpëtuar...

Jemi vendi më i korruptuar në rajonin tonë dhe në pjesën e përparuar të botës që quhet Europë. Çdo lloj spurdhjaku, pa asnjë atribut e pa asnjë vlerë, bëhet ministër, i hyn me not pronës së popullit, ligjeve të shtetit, krenarisë së kombit dhe iu ul kokën të gjithëve. Mbretëria do të kishte përdorur gijotinën. Për të shpëtuar prej kësaj, kërkohet “helmi”.

A të shpëton Mbretëria? Dënimi me vdekje ose prerja e gjymtyrës? Sigurisht që nuk ka shanse, por pyesim çfarë na mungon nga ata që shpëtojnë prej kancerit?!... Në rastin tonë, në raport me Arabinë, na mungon Mbretëria. Atëherë, këtë kërkojmë si shpëtim; kërkojmë çdo gjë që na shpëton...

Mbretëria mund të na bënte padrejtësi, mund të na shkelte të drejta demokratike, por nuk na lë të na poshtërojnë e varfërojnë një dorë kopukësh. Sigurisht, kështu është.

Edhe në rastin e tanishëm me princër e ministra të Arabisë Saudite, bota po komenton se akti u krye për të ruajtur pozitat e mbretit e të Mbretërisë... Mund të jetë edhe kjo një arsye.

Mund të ketë edhe një arsye pse nuk e duan mbretërinë, d.m.th., krenarinë kombëtare dhe ndëshkimin e krimit këtu mes nesh. Se po të ishte kapur një ministër trafikant droge dhe me 800 mijë euro në makinë, mbretëria e Arabisë do t'i kishte prerë të dy duart!

Mbretëria i bën banorët të ndjehen mbretërorë e të mos e mbajnë kokën ulur. Prandaj e kërkojmë  mbretërinë kur na mungon ajo që kërkojmë, me gjithë të këqijat e saj. A nuk e dinë kombet se cilat janë të këqijat e dënimit dhe të mbretërisë?...Po atëherë, pse na kanë shijuar tragjeditë e Athinës dhe dramat e Shekspirit?

Kemi nevojë të ndjehemi mbretër për vete, pa Sajmirë e sejmenë në qafë...

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: