Negociatat me Greqinë, dy ministrat pranojnë dialogun

Negociatat me Greqinë, dy ministrat pranojnë dialogun
Ministrat e Punëve të Jashtme të Shqipërisë dhe Greqisë, Ditmir Bushati dhe Nikos Kotzias, zhvilluan bisedime në Kretë  prej dy ditësh duke u fokusuar në çështjet e hapura dypalëshe. Sipas MPJ gjatë bisedimeve, të cilat u zhvilluan në një atmosferë miqësore dhe konstruktive, u krye një punë substanciale.

Të dyja palët pranuan rëndësinë e dialogut në zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura dhe ranë dakord për hapat e mëtejshëm që duhen ndërmarrë për të arritur rezultate pozitive duke u mbështetur në vlerat dhe normat  evropiane, në të mirë të dy vendeve dhe popujve të tyre.

Bisedimet përbënë një hap të rëndësishëm përpara dhe përpjekjet për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme për problemet ekzistuese prej një kohe të gjatë do të vijojnë. Në dritën e këtyre zhvillimeve, u ra dakord që ministrat të takohen sërish në Shqipëri në vijim, në mënyrë që të vlerësojnë progresin e arritur dhe të vendosin për hapat e mëtejshëm konkret përpara. /s.i/afp/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: