PLANI 5-VJEÇAR, I DROGËS - OPINION NGA FRROK ÇUPI

PLANI 5-VJEÇAR, I DROGËS - OPINION NGA FRROK ÇUPI
Nga Frrok Çupi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Jam çuditur sa herë kam dëgjuar se “policia asgjësoi iks tonë kanabis”. Aq më shumë kur kam dëgjuar qeveritarë dhe politikanë, që shfaqen si të munduar: “Oh, çfarë po heqim kundër drogës!”, por “po arrijmë suksese në asgjësimin e bimës narkotike”. Ose janë të gjithë naive, ose janë të gjithë mashtrues të pacipë!

Droga nuk është mbjellë, as është kultivuar, as është korrur... për t’u asgjësuar. Droga është mbjellë si “plan i shtetit”. Nëse nuk do të ishte shteti zot i drogës, atëherë pse doganat do të lejonin hyrjen e farës së kanabisit, komisariatet e policisë do të shpërndanin farën parcelë më parcelë dhe pastaj ta mbronin me armë?!... Shteti hyri në prodhimin e bimës narkotike, mbi bazën e një plani të studiuar mirë. Njësoj siç planifikoi shteti në regjimin komunist, plane 5- vjeçare për ndërtimin e socializmit. Kësaj here shteti planifikoi prodhimin drogës, si ekonomi dhe si politikë.

Me siguri, edhe pse bëhet kaq shumë zhurmë kundër drogës, në pranverë nis puna për prodhimin e ri.

Cili është projekti politik?

Në planin kombëtar, plani i prodhimit të drogës shërben për mbajtjen gjatë, nga një dorë e caktuar, e pushtetit politik. Njësoj siç ka ndodhur dhe ndodh në shtete ikona ku prodhohet drogë me shumicë, si në Amerikën Latine ose në Lindjen e Mesme, ku janë instaluar junta. Në vendin tonë, kjo është hera e parë që plani i prodhimit të drogës ka synim mbajtjen gjatë të pushtetit në duar të klanit që e projektoi. Droga prodhon shumë pará, por, mbi të gjitha, pará të pakontrolluara. Paraja e pakontrolluar përdoret aq sa për të mbajtur në xhepat e shefave të mëdhenj, aq edhe për të joshur të fortët; d.m.th., kriminelët që janë bazë për juntat; ose edhe për të blerë disa vota me çmim shumë të lirë.

Në planin më të gjerë politik, guximi për të kryer aktin e paprecedent me drogën, vjen nga një qendër cikloni që tenton t’i mbajë disa vende të Lindjes (ku mundet), nën pushtetin majtist liberal të financuar nga miliarderi, George Soros. Ndarja mes Soros dhe politikës shtetërore të konservatorëve e sovranistëve të llojit Brexit e Trump, po krijon vijën botërore. Me sa duket, Shqipërinë e kanë garantuar si pjesë soros-iane, për dekada. E para, pse përmes drogës pushteti garantohet për disa dekada; e dyta - sepse edhe opozita është nën influencën e Soros.

Po projekti ekonomik?

1.

Kompensimi i paaftësisë shtetërore, për të zhvilluar një ekonomi të shëndetshme, mungesa e investimeve, pazotësia për të krijuar klimë të mirë për biznesin, mungesa e besimit te kapitali vendas, tendenca për ekonomi informale e të pakontrolluar..., të gjitha së bashku, e gjetën parajsën te droga. Droga është punë e lehtë, punë e mallkuar, ku shteti bën çfarë i do qejfi. Pasi ka shpenzuar një pjesë të madhe të të ardhurave për mbajtjen e pushtetit, qeveria ndan ca kacidhe edhe për të vobektit, duke lënë shijen se e mira vjen nga droga.

2.

Krijimi i idesë së punësimit

Të paktën, dy vitet e fundit, pavarësisht çfarë thuhej në foltoren e Parlamentit dhe në media, shumë njerëz hynë në iluzionin se kemi punë. Shumë gra, burra e të rinj, merreshin që në mëngjes me makinë nga shefi, dërgoheshin fshehurazi në parcelat e drogës, sillnin pak para në shtëpi..., dhe ideja se po punojmë, u përhap kudo. Parulla e qeverisë se “kemi punë, por nuk kemi specialistë”, iu hyri njerëzve në kokë, si një thirrje ndaj vetes: “Shko te droga, se ti nuk ke shkollë, as profesion”. Opozita, kur bëri sikur luftonte kultivimin e drogës, u pa me sy urrejtjeje nga votuesit, madje edhe nga militantët e vet. Ishin gati të thërrisnin: “Po ju, do të na lini pa bukë?!” Modeli i zgjedhjeve lokale në Dibër, është dëshmia e ndërtuar si nga regjisorë të mirë: Aty ku e djathta antikanabis kishte bastionin e vet, aty humbi shumë thellë. Po pse? Sepse të gjithë ishin të punësuar me drogën. Edhe në zgjedhjet e 25 qershorit, duhej të premtoje drogën “nën gju”.

Cilat janë mjetet për planin 5-vjeçar?

Fillimisht, u duk sikur togfjalëshin plan 5-vjeçar e përdora si atavizëm të ekonomisë së kontrolluar komuniste... Jo vetëm për këtë. Por projekti për të mbajtur drogën si plan shtetëror, rezulton se do të jetë disavjeçar; ndoshta, deri sa Shqipëria të vendoset në krahun tjetër politik konservativ e sovranist. Por kjo, Ohu..., sa larg është!

Nga dita në ditë. shikoj se po ndërtohen skaletat e një filmi të ri me drogën:

E para, grumbullimi i farës së drogës nëpër qendra shumë të sigurta dhe të ruajtura nga shteti. Punonjës policie, deri edhe komisarë, po informojnë çfarë po ndodh. Droga e re është gati të mbillet.

E dyta, ndërtimi i infrastrukturave shtetërore: Emërimi i të gjithë prefektëve, nga radhët e oficerëve të dalë në lirim, është sinjal i qartë. Të 12 prej tyre, janë ish- oficerë. Këta janë gati të zbatojnë urdhrin e eprorëve me çdo kusht, madje edhe me sakrificë. Në këtë linjë do të emërohen të gjithë funksionarët e tjerë.

E treta, rokada në lojën e shahut qeveritar. Nëse kapet një ministër, si p.sh., Tahiri, ky ngrihet derisa nevojitet, pastaj hidhet. Në vend të tij vjen një ministër tjetër si Tahiri... Është skema tipike në mafie.

“Tradita” nga vjen projekti:

Fillimisht është klika, klani familjar. Xafier Raufer - një nga kërkuesit më të famshëm të kohës mbi krimet bashkëkohore, që në vitin 2000 shkruante se, “mafia shqiptare është mafie e vërtetë”. Kjo është një mafie klanore, familjare, tipike mesdhetare dhe piramidale kriminale, - sipas studiuesit. Nëse keni pak vëmendje, në pikat kyçe të organeve ligjzbatuese shtetërore, emërohen njerëz me lidhje familjare besnike me qeverinë. Rasti Tahiri-Habilaj është në dritë të diellit.

Tradita e krijuar këto vite:

Qeveria e sulmoi Lazaratin, jo për ta zhdukur, por për ta kultivuar drogën në të gjithë vendin. Por kultivimi i drogës nuk kishte lindur në Lazarat. Shqipëria ishte shënuar në hartën e vendeve të rrezikshme qysh në vitin 1992. Raportet në Europë tregonin se qysh më 1992, ishin mbjellë qindra hektarë kanabis. Ndërsa në vitin 1994, u kapën sasitë e para të eksportuara në Itali.

Në vitin 1994, - sipas Interpolit, - u kapën 92 kg. kanabis në Bari, ardhur nga Shqipëria. Në vitin 1995, 482 kg; në vitin 1996, 1449 kg.

Këtë vit në Itali, është kapur një sasi prej 13 tonë; 100 tonë të tjerë presin në Durrës - sipas të dhënave të komisarit të policisë që ka lënë detyrën.

Tani droga është plan shtetëror, nuk është drogë rastësisht.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: