Rama: I plotësuam kushtet, Hahn: Presim Vetingun

Rama: I plotësuam kushtet, Hahn: Presim Vetingun
Kryeministri Rama i paraqet Komisionerit për Zgjerimin, Johanes Hahn, listën me “detyrat e shtëpisë’ të përfunduara. Rama: Shqipëria meriton të hapë negociatat. Por Komisioneri europian e merr shtruar: Presim që rezultatet e para të vettingut t'i shikojmë në fillim të vitit 2018

Kryeministri Rama i kërkoi dje Komisionerit europian për Zgjerimin, Johannes Hahn, hapjen e negociatave për anëtarësimin në BE. Rama tha se vendi ynë i ka plotësuar kushtet për hapjen e negociatave dhe e meriton hapjen e tyre.

“Biseduam për suksesin e qartë të luftës kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit, i mishëruar në raportin analitik të dalë pas monitorimit të qenësishëm të Guardia di Finanza dhe i konsideruar prej qeverisë shqiptare si përmbyllja e fazës së parë”, tha Rama, duke folur për vazhdimin e kësaj beteje përmes task-forcës speciale dhe operacionit “Forca e Ligjit”.

“Shqipëria meriton të hapë negociatat” - tha Rama.

Përkundrejt kërkesës shqiptare, Komisioneri Hahn vlerësoi progresin, por u shpreh i rezervuar për hapjen e negociatave:

“Presim që rezultatet e para të vettingut t'i shikojmë në fillim të vitit 2018”.

Komisioneri për Zgjerimin vlerësoi se ka patur arritje në luftën kundër kanabisit, e po ashtu edhe uljen e numrit të azilkërkuesve.

“Në vlerësimin tonë Shqipëria është në rrugën e duhur dhe aspirata europiane duhet të jetë një objektiv kombëtar që mbështetet nga të gjithë elementët, partitë politike, shoqëria civile e madje edhe media”, deklaroi Komisioneri Hahn, i cili nënvizoi se nuk është shtyrë raporti për Shqipërinë, por një raport kompleks për Ballkanin Perëndimor do të paraqitet në shkurtin e ardhshëm.

Kryeministri Edi Rama, gjatë konferencës, bëri të ditur se do të takojë në fillim të dhjetorit Presidentin e Komisionit Europian Jean-Claude Juncker. Kryeministri pranoi se ka marrë një ftesë nga Presidenti, dhe në qendër të diskutimeve do të jetë integrimi i Shqipërisë në BE.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: