Sekseri "i 300 mln lekëve" në banesë, mbetet në burg edhe kushëriri i gjyqtarit Miri

Sekseri "i 300 mln lekëve" në banesë, mbetet në burg edhe kushëriri i gjyqtarit Miri
Gjykata e Krimeve të Rënda dha masën e sigurisë “arrest me burg” për kushëririn e gjyqtarit Shkëlqim Miri, i cili dyshohet se ka luajtur rolin e sekserit në marrjen e 300 mln lekëve që iu gjetën në shtëpi gjyqtarit.

Kujtim Miri është një nga personat e arrestuar, i cili akuzohet se ka marrë paratë kryesisht nga familjarët e të dënuarit Gentian Doda, i akuzuar për dy vrasje. Ai u la i lirë nga gjykatësi i Apelit, Shkëlqim Miri.

Një ditë më parë Krimet e Rënda lanë në burg edhe gjyqtarin Miri, ndonëse avokati i tij pretendoi se ai vuante nga një sëmundje e rëndë dhe paratë e gjetura në banesë i kishte për kurim jashtë vendit.

Sipas prokurorisë, shuma prej 30 mijë euro është siguruar nga ana e Alban Buçit, i shpallur në kërkim, dhe një familjari të Gentian Dodës, i identifikuar nga hetimi. Totali është siguruar nga dy shuma të veçanta prej 15 mijë euro.

Sipas dosjes, në një bisedë telefonike të datës 23 maj 2017 në orën 12:00 Gentian Doda udhëzon të afërmin e tij për sigurimin e parave. (fq8)

“Do me plotësu si do që të jetë, kur të japin ky 15 euro. Kështu që ti sa ke aty. I ke 15 euro të gatshme, apo ke 14. Sa janë.

Duhet të plotësosh 30 dhe t’i çosh diku me Albanin”

Pas mbledhjes së parave, prokuroria pretendon se ato i janë dorëzuar Kujtim Mirit, aktualisht i arrestuar, kushëri i gjyqtarit Miri në një lokal në zonën e Fushë-Krujës në 23 maj 2017. Ky veprim është regjistruar nga kamerat e sigurisë.

Pas këtij dorëzimi, Alban Buçi i ka dërguar një sms Gentian Dodës, duke i shkruar në anglisht tekstin “Çdo gjë në rregull tani, nga mesi i muajit tjetër”. Teksti përfundonte me tre emoji duarsh, që sipas prokurorisë ishte gjuhë e koduar, duke nënktuptuar që tre gjyqtarët jepnin miratimin.

Në komunikim telefoinik të datës 25 maj mes Alban Buçit dhe nënës së Gentian Dodës, Buçi i jep asaj garanci se i biri do të lirohej nga burgu.

/a.m/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: