Shoqërohen 7 zyrtarë të Hipotekës Kavajë, regjistruesit në 11 qarqet e tjera “presin radhën”

Shoqërohen 7 zyrtarë të Hipotekës Kavajë, regjistruesit në 11 qarqet e tjera “presin radhën”
Shtatë zyrtarë të Hipotekës së Kavajës u ndaluan dhe u shoqëruan në polici, pasi ndaj tyre janë ngritur dyshime  se  kanë kryer abuzime në regjistrimin e pronave.

Punonjësit e ZRPP Kavajë dyshohet se tjetërsuan pronat publike kundrejt parave.

Të shoqëruarit janë shtetasit: Dashamir Çullhai, Aida Kollçaku, Behxhet Pjeci, Nezir Lecini, Ilir Kaja, Dritan Kazezi si dhe Andi Gjeci.

Kavaja është pjesë e qarkut të Tiranës, që duket se ka nisur i pari në sitën e hetimeve për punën e hipotekave.

Katër persona mes të cilëve tre zyrtarë janë ndaluar me urdhër të Prokurorisë së Tiranës dy ditë më parë nën akuzën e korrupsionit, pasi kanë marrë një shumë prej 6 mijë eurosh për legalizimin e një banese në zonën e Laprakës në Tiranë.

Në pranga përfunduan shtetasit M. Bezhani, përgjegjës zyre ALUIZNI, Laprakë, Tiranë, B. Belli, punonjëse e ZVRPP (Hipoteka) Tiranë, K.Sala, punonjës policie (aplikante) si dhe shtetasi S.Musallaj, i cili ka shërbyer në rolin e sekserit.

Pas kryeqytetit, do të nisë verifikimi i regjistrimit të pasurive të të gjitha hipotekave në vend.

Ka pasur denoncime të shumta nga qytetarë. Madje edhe analisti Preç Zogaj u shpreh pak ditë më parë se vetëm në Lezhë janë bërë regjistrime si të ishin toka bujqësore pjesë të bregdetit dhe territore pa fund, që më parë ishin prona publike.  E njëjta situatë dyshohet se ka ndodhur përgjatë gjithë bregdetit, por abuzime të shumta ka pasur edhe me përvetësimin e objekteve publike apo të pasurisë së tjetrit, nëpërmjet ryshfetit, çka pritet që të gjitha dosjet në të gjithë vendin të kalojnë sërish nën sitë nga ekspertët e regjistrimit të pronave.

/a.m/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: