"Shqipëria në listën e zezë të SHBA-ve", Basha: Të hetohet edhe projekti 1 miliard euro

"Shqipëria në listën e zezë të SHBA-ve", Basha: Të hetohet edhe projekti 1 miliard euro
Janë me qindra milionë euro të grumbulluara nga trafiku i drogës. Nuk ka dyshim që kur pallatet ndërtohen në kohë krize ekonomike janë para nga trafiku i drogës. Nuk ka dyshim që kontratat e koncesioneve që Rama i mban të fshehta të jenë pastrim i parave të drogës”. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ngriti sërish shqetësimin se paratë e pista të drogës do të injektohen në ekonominë e vendit.

Ai shtoi se amerikanët e kanë futur Shqipërinë në listën e vendeve problematike sa i përket pastrimit të parave.

Në mars 2017, Departamenti Amerikan i Shtetit e vendosi Shqipërinë në listën e zezë të vendeve kryesore të pastrimit të parave në botë, e quajtur zyrtarisht Lista e Vendeve Kryesore të Pastrimit të Parave. Është hera e parë që Shqipëria është përfshirë në këtë listë që përditësohet çdo vit. E gjeni në faqen 8 të raportit për Strategjinë e Kontrollit Ndërkombëtar të Narkotikëve që Departamenti i Shtetit i dërgoi zyrtarisht Kongresit Amerikan,” tha Basha.

Më tej kreu i PD kërkoi që të ndalet projekti “1 miliard euro”.

Për katër vjet me radhë ai u kërkoi shqiptarëve të qeshnin me akuzat se në Shqipëri mbillej kanabis dhe trafikohej drogë. Edi Rama u tha shqiptarëve të qeshnin se opozita ngatërronte mushkonjat me avionët. Edi Rama u tha shqiptarëve të qeshnin me opozitën që e thërrisnin Elvisin, Evis. Edi Rama ulej me fshatarët dhe i pyeste me shaka ç’thotë kanabisi. Edi Rama u tha shqiptarëve që të qeshnin me akuzat e opozitës se Saimir Tahiri ishte trafikant”.

Depërtimi i krimit në ekonomi duhet ndalur tani. Projekti 1 miliardë euro duhet ndalur tani. Çdo koncesion, çdo investim që përfshin qeverinë duhet të bëhet transparent në çdo detaj. Prokuroria e ndihmuar nga partnerët ndërkombëtarë duhet të hetojë pastrimin e parave dhe krimin e lidhur me të,” tha Basha, i cili ironizoi edhe deklaratat e kryeministrit. - “Herën e fundit që dëgjuam Ramën kur na tha të qeshnim, Shqipëria u kthye në hambar droge dhe zonë të lirë të krimit. Tani po na fton përsëri të qeshim. Në fakt është koha të shqetësohemi dhe t’i themi ndal Edi Ramës dhe krimit në politikë dhe në ekonomi,” – nënvizoi Basha.

/a.m/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: