Shtrëngohet “dara” për azilkërkuesit, edhe policia shqiptare “po zgjohet”

Shtrëngohet “dara” për azilkërkuesit, edhe policia shqiptare “po zgjohet”
Si kanë ndryshuar shifrat e shqiptarëve të kthyer në kufi gjatë tre muajve të fundit. Efektet e një operacioni të imponuar nga Europa, nën kërcënimin e “heqjes së vizave”. Ndërsa Europa vijon të sjellë në Rinas avionë me azilkërkues të refuzuar, policia po tenton t’i bllokojë që në dalje

Pas kërcënimeve të organeve ligjzbatuese në disa vende evropiane dhe zyrtarëve të lartë të këtyre vendeve për heqjen e lëvizjes pa viza për shqiptarët, policia shqiptare duket se “është zgjuar”.

Ndërsa ministri Ditmir Bushati premtoi në Francë një seri masash kundër azilkërkuesve dhe “afati” tremujor “ka skaduar”, shifrat tregojnë një situatë të ndryshme.

Policia e Shtetit ka raportuar se në periudhën gusht-tetor të këtij viti janë ndaluar për të ikur jashtë territorit të Shqipërisë 7315 persona. Nga këta, 6630 të rritur dhe 682 minorenë.

Drejtoresha e Departamentit për Kufirin dhe Migracionin Aida Hajnaj tha se këta persona nuk plotësojnë dokumentacionin e kërkuar.

“Duke filluar që nga 1 gushti i vitit 2017, datë në të cilën filloi edhe zbatimi i këtyre masave, trendi i shtetasve që kanë kërkuar azil në vendet e BE-së ose në Schengen është në ulje”, tha dje drejtoresha Hajnaj.

Ndërkohë, avionët me shqiptarë të riatdhesuar vijojnë të mbërrijnë në Rinas, të nisur nga Franca, Belgjika apo Gjermania.

I fundit që mbërriti dje, kishte 36 shqiptarë në bord, të cilëve iu është refuzuar azili  nga autoritetet franceze dhe belge.

Zëvendësministrja e Brendshme, Romina Kuko, zyrtarë të ambasadës franceze dhe oficeri i kontaktit në Shqipëri, kishin dalë dje në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” për të pritur avionin me 36 shqiptarët e riatdhesuar. Një rast më shumë për të konfirmuar përpara telekamerave se “nuk ka azil në Europë”.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: