Taksat 2018, biznesi paraqet propozimet: Si të ndryshohen

Taksat 2018, biznesi paraqet propozimet: Si të ndryshohen
Taksat që do të rëndojnë në “kurrizin” e biznesit gjatë vitit të ardhshëm duhet të hartohen me kujdes. Ky është apeli që kjo kategori i drejton politikës, teksa në Kuvend tashmë është duke u diskutuar Paketa Fiskale 2018. Kështu, biznesi i vogël, por edhe ai i madh kanë paraqitur propozimet e tyre konkrete sesi ajo mund të jetë më efikase dhe aspak një barrë e rëndë për aktivitetin e tyre privat, para se deputetët t’i japin dritën jeshile në seancë plenare. Konkretisht, Shoqata e  Biznesit të Mesëm dhe të Vogël, nga ana e saj, rekomandim kryesor të sajin ka pikërisht uljen e  Tatimit të Vlerës së Shtuar në masën prej 12%, nga 20% që është ajo ekzistuese. Mesa duket, kjo kategori nuk është mjaftuar me vendimin e qeverisë për përjashtimin nga skema e TVSH-së për bizneset me xhiro vjetore nën 20 milionë lekë, por kërkon të tjera masa lehtë-suese në lidhur me këtë taksë, duke e zvogëluar atë deri në 12%. E në këtë rast, ka si argument faktin që shumë vende të rajonit tashmë aplikojnë një normë lehtësuese të TVSH-së, deri në masën prej 10%. Nga ana tjetër, ky grupim shkon edhe më tej, duke i kërkuar qeverisë që çdo biznes i cili do të hapet mot, për dy vjet me radhë të mos taksohet fare. Për të shkuar më tej, edhe me kërkesën për taksën e pronës ndaj biznesit, që ajo të jetë deri në 0.7% të vlerës së subjektit.

Sikundër, bizneset e vogla kërkojnë që atyre t’u hiqet edhe pagesa për mirëmbajtjen e kasës fiskale, por edhe t’u ulet me pagesa për sigurimet personale të detyruara me -40%. Nga ana tjetër, një organizëm i njohur i biznesit siç është Dhoma Amerikane e Tregtisë, ka dorëzuar zyrtarisht plot 23 komente dhe rekomandime sesi mund të ndryshojë Paketa Fiskale 2017. Madje, ajo shkon edhe më tej, duke përfshirë në to edhe propozime lidhur me taksa të papërfshira fare brenda saj. Konkretisht, është fjala për “futjen e një takse doganore në formë akcize ndoshta për pajisjet IT të përdorura që importohen në Shqipëri”, apo edhe “heqjen e procedurave doganore për  pjesët e këmbimit deri në 100 euro”. Më tej, në lidhje me TVSH-në, ky organizëm kërkon që brenda skemës së saj të mos futen bizneset shumë të vogla. “Shqetësim përbën kapaciteti i administratës tatimore për manaxhimin e një numri të madh subjektesh në TVSH. Kostoja e saj për menaxhimin dhe kontrollin e këtyre subjekteve duhet të justifikohet me të ardhurat që ata do të sjellin në buxhet”, citojnë bizneset. Duke shtuar në këtë kuadër se “fokusi i administratës tatimore nuk duhet të zhvendoset tek tatim-paguesit e vegjël”, pasi sipas tyre, “dëmi më i madh në buxhet shumicën e rasteve bëhet nga të mëdhenjtë”. “Në këtë rast zgjidhja më e mirë do të ishte që klasifikimi i biznesit të bëhet në bazën e fitimit”, rekomandojnë më tej ata.

 

KRITIKA

Taksa e pronës sipas tregut, e parakohshme

Taksimi i pasurive të paluajtshme të shqiptarëve mbi bazën e vlerës së tregut dhe jo mbi bazë fikse, është e parakohshme për Shqipërinë. Ky është qëndrimi i biznesit lidhur me taksën e re që është përfshirë tashmë në Paketën Fiskale 2018. Duke e kundërshtuar atë, ai argumenton se aktualisht, niveli dhe standardi i jetesës në Shqipëri është shumë i ulët, krahasuar me vendet e tjera të rajonit ku kjo taksë aplikohet si përqindje mbi vlerën e tregut dhe prandaj nuk duhet të gjejë aspak zbatim, por të lihet siç është. “Do të rëndonte shumë buxhetin e një familjeje shqiptare duke ulur nivelin e konsumit dhe do ketë impakt negativ në ekonomi. Përpara se të ndërmerren hapa të tillë duhet të analizohet një herë standardi i jetesës dhe mundësia për ta përballuar nga një qytetar shqiptar”, cilëson biznesi mbi këtë taksë.

 

DEBATI

Vendorët: Të taksohen dhe ndërtimet e pambaruara

Me taksën e re të pronës sipas vlerës së tregut, të taksohen edhe ndërtimet e papërfunduara. Ky propozim ëhstë bërë dje nga Bashkia e Tiranës, në kuadrin e debatit mes përfaqësuesve vendorë për Paketën Fiskale 2018. Kështu, duke qenë dakord për këtë lloj takse në parim, ajo kërkon që mos shpëtojnë prej saj edhe banesat ende në ndërtim e sipër, duke menduar se në këtë mënyrë do t’i jepet një zgjidhje problematikës së mospërfundimit ende të shumë banesave. “Qytetet tona janë të mbushura me ndërtesa, që kanë ngelur karkasë dhe nuk kanë mbaruar kurrë. Ligji deri dje u kërkonte bashkive që të vinin një gjobë modeste për shtyrje të lejes. Por qeveria ka marrë parasysh propozimin tonë për t’i venë ekuivalenten e 30% të taksës së pronës këtyre ndërtesave në momentin që u ka kaluar afati i lejes së ndërtimit. Pra, fillon paguhet taksa e pronës edhe për ta”, citoi kryebashkiaku i Tiranës.

 

REKOMANDIMET

Prodhuesit: E duam 0.05% taksën e pronës për veprimtaritë e sektorit tonë

Edhe Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë, nga ana e tij, ka paraqitur dje 9 propozime e sugjerime lidhur me paketën e re fiskale. Kështu, ata kërkojnë që taksa e re për pronën të bëhet në nivelin prej 0.05% për ndërtesat që shfrytëzohen për veprimtari prodhuese. Nga ana tjetër, ata kërkojnë që kufiri minimal i regjistrimit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar të jetë pa shkallëzimin e pragut prej 2 milionë lekësh të xhiros vjetore për njësitë tregtuese. Sikundër, kërkojnë që  hiqet edhe akciza për lëndët e para djegëse. Kurse sa u përket propozimeve shtesë, industria prodhuese kërkon heqjen e taksave doganore për artikujt që janë lëndë e parë për industrinë prodhuese, reduktimin e taksës për disa produkte plastike, si edhe heqjen e plotë të TVSH në import për makineritë/pajisjet për prodhuesit vendas.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: