Të bësh biznes, në Shqipëri akoma më e vështirë

Të bësh biznes, në Shqipëri akoma më e vështirë
Të bësh biznes në Shqipëri, duket se mbetet ende një mision i vështirë. Dhe ato që ta bëjnë më tepër të tillë janë problemet me energjinë elektrike, pronat, taksat, por edhe me lejet e ndërtimit. Që të treja këto, pengesa serioze që po e kthejnë vendin tonë në më pak të besueshëm për investitorët, teksa fqinjët duket se po bëjnë përpara në këtë aspekt. Fakte këto, të pohuara nga vetë Banka Botërore, në raportin e saj më të fundit “Të Bësh Biznes 2018”, i cili e ka zbritur Shqipërinë me plot shtatë pozicione më poshtë në renditjen globale.

Konkretisht, ky raport e rendit vendin tonë në pozicionin e 65-të në lehtësinë e të bërit biznes, krahasuar me atë të 58-tin që ai zinte në raportin e vitit të kaluar. Duke treguar në këtë mënyrë se ai po paraqet nga viti në vit më shumë vështirësi para të gjithë atyre që duan të ushtrojnë një aktivitet privat në territorin e saj, qofshin këta investitorë vendas apo të huaj. Kjo sidomos, vlen të thuhet për çështjen e energjisë elektrike, për të cilën Shqipëria renditet e 157-ta në botë, pra në një pozicion mjaft të pafavorshëm të renditjes globale. Dihet se bizneset tek ne përballen vazhdimisht me këtë problem, porse ai tani ka zënë vend edhe në raportet ndërkombëtare që masin leverdinë nëse ia vlen të bësh biznes në këtë vend apo jo. Sikundër  e njëjta gjë vlen të thuhet edhe për çështjen e pronës, mjaft delikate kjo sidomos për sipërmarrje të huaja që duan të hedhin paratë e tyre në Shqipëri, por përballen në këtë vend me gjyqe për pronësinë e tokës, tjetërsim të saj etj, duke bërë që ajo të renditet e 103-ta në botë, pikërisht për problematikën e pronës si të tillë. Për të vijuar më tej edhe me atë që vihet re në aspektin e taksave, ku për vështirësinë e pagesave të tyre, Banka Botërore i ka lënë Shqipërisë vendin e 125-të në renditjen globale. Pasuar, me një pozicionim gjithashtu inferior kundrejt vendeve të tjera, i 120-ti, sa u përket kontratave të detyrueshme që lidhen në Shqipëri për të bërë një biznes. Që të gjitha këto, renditje mjaft të ulëta, po t’i krahasosh me atë të përgjithshmin, në vendin e 65-të që Shqipëria zë në tërësinë e të gjithë faktorëve që ndikojnë tek i bëri biznesi, kundrejt vendeve të tjera në mbarë botën. Gjithsesi, ekspertët e Bankës Botërore nuk lënë pa përmendur as edhe faktin se Shqipëria ka shënuar edhe përmirësime në disa fusha, të tilla si ato në aksesin në kreditim, sikundër edhe në amendimin e legjislacionit për të ulur numrin maksimal të orëve të punës.

ARRITJET

Raporti “Doing Business 2018” i Bankës Botërore nënvizon si një nga arritjet kryesore të Shqipërisë për këtë vit ndryshimet në Kodin Civil, në Ligjin për Barrën Siguruese, si dhe miratimit të Ligjit të ri mbi Falimentimin.

 

TVSH, “rrugë” e gjatë për rimbursim biznesit

“Në Shqipëri duhen 37 javë për të marrë njërimbursim të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar”

“Në Shqipëri duhen 37 javë për të marrë një rimbursim të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar”. Ky është një tjetër konstatim që bën raporti “Të Bësh Biznes 2018” për vendin tonë, duke pohuar në këtë mënyrë një tjetër vështirësi me të cilën përballen bizneset e tij. Duke sqaruar më tej faktin sesi kërkesa për rimbursim pasohet nga një kontroll i autoriteteve tatimore. Dhe se duhen të paktën katër javë që kontrolli I autoritetit tatimor të fillojë punën e  tij. “Taksapaguesit shpenzojnë 8.6 javë me kontrollin tatimor dhe presin edhe katër janë të tjera deri në vlerësimin final. Ata mund të marrin këtë rimbursim vetëm pasi është mbyllur kontrolli. Gjithashtu, ata duhet të presin pesë javë për pagesën e rimbursimit të TVSH-së”, thuhet më tej në raportin në fjalë. Për të nënvizuar në fund se procedura vijon edhe me një seri javësh të tjera pritje dhe kushtesh që duhen plotësuar. E për të dhënë kështu idenë se mjafton vetëm të mendosh rrugën e gjatë për të përfituar rimbursimin e TVSH-së, një biznes duhet të mendohet mirë para se të nisë aktivitetin e tij privat në Shqipëri.

 

Rajoni i Ballkanit vijon që të performojë ende problematika për aktivitetet private

Rajoni i Ballkanit, ku bën pjesë edhe Shqipëria, vijon që të performojë ende problematika për bizneset private që ushtrojnë aktivitetin në territorin e tij. Sipas raportit “Të bësh biznes 2018”, rajoni vijon të jetë nën potencialin e tij në lidhje me lejet e ndërtimit dhe marrjen e energjisë elektrike. “Duhen mesatarisht 168 ditë për të marrë një leje ndërtimi në rajon, krahasuar me mesataren globale prej 158 ditësh. Një sipër-marrësi i duhet 114 ditë të lidhet me rrjetin e energjisë elektrike në rajon, krahasuar me mesataren globale prej 92 ditësh”, cilësojnë ekspertët e “Të bësh biznes 2018”. Duke shtuar se ekonomitë e rajonit të Evropës Lindore të renditura më mirë janë Gjeorgjia, në vendin e 9-të, Maqedonia në vendin e 11-të dhe Lituania në vendin e 16-të.

REFORMAT

Kosova është njëri nga vendet kryesore që raporti i Bankës Botërore “Të bësh biznes” e lavdëron për arritjet e saj sidomos në atë të reformave që e mundësojnë lehtësinë e të bërit biznes. “Kosova lehtësoi procedurat për zgjidhjen e paaftësisë paguese duke hartuar një kuadër ligjor për falimentimin e korporatave”, citon ai. Duke shtuar më tej se që prej fillimit të hartimit të raportit “Të bësh biznes”, si i tillë, rajoni ynë ka ndërmarrë një total prej 673 reformash.

“Hapja e një biznesi, me 120 reforma, është treguesi kryesor për reformat rajonale, i ndjekur nga pagesa a taksave dhe marrja e kredisë me përkatësisht 108 dhe 87 reforma”, citon ai. Duke shtuar këtu edhe faktin se përpara 15 vjetësh, duheshin mesatarisht 42 ditë për të hapur një biznes në rajon, tani duhen 10 ditë.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: