TË PESHKOSH NË DETIN E VDEKUR – OPINION NGA SONILA MEÇO

TË PESHKOSH NË DETIN E VDEKUR – OPINION NGA SONILA MEÇO
Nga Sonila Meço

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Ndryshimi midis vdekjes e taksave është se, vdekja nuk bëhet më e rëndë sa herë i teket qeverisë. Dhe qeverisë i është tekur, pa asnjë transparencë, të rëndojë xhepat e shqiptarëve, teksa është në ditët e veta më të vështira në raport me paligjshmërinë, krimin dhe informalitetin. Jo vetëm që ka futur duart në xhepa, jo vetëm që zgjedh kujt t’i marrë e kujt t’i japë, jo vetëm që vendos pa njoftuar e nuk të përgjigjet kur i kërkon llogari ç’po bën, por të lë edhe të pa informuar, duke u kujdesur të bëjë të qartë se “atë e di unë” (d.m.th., qeveria që ende nuk i ka pohuar shqiptarëve se, mënyra si i kontrolloi xhepat, në fakt, qe bastisje dhe thellim i hendekut të pabarazisë).

Qeverisë i duhet të financojë çfarë shoqëria konsideron të rëndësishme dhe atë çfarë duhet të prodhojë, për ta siguruar. Taksimi shërben edhe si mjet për të transferuar pasurinë nga ata që kanë shumë, tek ata që kanë më pak. Taksimi është burimi kryesor për të siguruar të ardhurat për shpenzimet qeveritare, në shërbime dhe infrastrukturë. Taksimi është i rëndësishëm për të përballuar shpenzimet publike. Gjithashtu është mjet për të siguruar barazinë sociale. E me të drejtë, publikut i takon ta dijë (megjithëse rezulton tejet i painformuar), se si do të përdoren këto para, që i shërbejnë shërbimeve bazë, përfshi edukimin e shëndetësinë e ç’na mbetet për të patur në jetë (jo thjesht për të marrë frymë).

Duke njohur rekordet e kësaj qeverisjeje në mandatin e kaluar, akuzat e forta për kapjen e saj nga krimi, dyshimet e ushqyera për një paaftësi në menaxhimin e ekonomisë, thellimin e hendekut mes të pasurve e të varfërve, krijimin e një klime jo të favorshme të të bërit biznes dhe mbylljen e mijëra bizneseve vetëm në 9-mujorin e parë të këtij viti, shtimin e evazionit dhe informalitetit, publiku ndihet i alarmuar. Sepse kostot e rekordeve negative për arsyet e mësipërme, po i faturohen popullit, i cili në këmbim të lakut që po i shtrëngon fytin, ka vendosur të largohet dhe masivisht, duke shërbyer si fuqi punëtore për vendet e BE-së.

Kur çdo ditë, pataksja nga provat e lidhjes së trafikut të drogës dhe krimit me qeverinë, e bën qytetarin të ndihet edhe më i vogël, edhe më i pafuqishëm, edhe më i pashpresë e i dërrmuar, kur në të kundërt duhet ta mobilizonte drejt një akti masiv refuzimi e proteste, na ka mbetur vetëm të kërkojmë kthjellimin, para se të na rrëmbejë një herë e përgjithmonë ankthi si sëmundje kolektive.

Le të nisim të qartësohemi: Nëse ekonomia nuk i shërben më shoqërisë, çon në katastrofë. Ndërsa kërkojnë të na ushqejnë kureshtinë me peshq të mëdhenj a të vegjël që mund të bien rrjetave të drejtësisë (se nuk mund t’u besosh më peshkatarëve që gjejnë kënaqësi, teksa mashtrojnë për madhësinë e peshkut), në anën tjetër, greminës i afrohemi me kusuret e varfërisë që po thellohet, me kusuret e shtetit që nuk bën dot më ekonomi.

Dhe ju ftoj të njiheni me atë që nuk ua thonë, ose e ndërlikojnë nëpër fraza të pakuptueshme nga publiku, ose e kalojnë të fundit për nga rëndësia, pas konspiracioneve të mëdha me florë e faunë deti: Ju e dini sa dëshirë ka qeveria të fshihet pas Fondit Monetar Ndërkombëtar, sa herë i duhet të krekoset për shifra mirëqenieje. Kësaj here, Fondi është spostuar e i ka kërkuar qeverisë të zërë vend në rreshtin e parë e t’u thotë shqiptarëve ca të vërteta pa justifikime.

Qeveria ka prezantuar një reformë të re fiskale, në mesin e debateve të mëdha për një tjetër reformë, atë në drejtësi.

Ndryshimet në politikën e taksave, shihen si rrezik nga Përfaqësuesi i Përhershëm i FMN-së në Shqipëri, Jens Reinke. Sipas tij, ulja e kufirit të TVSH-së, lehtësitë fiskale për hotelet me 4 dhe 5 yje, liria për të vepruar pa transparencë nga Këshilli i Ministrave, në një vend që ende nuk ka bërë bilancin e qartë të përfitimeve nga këto ndryshime, kur ka problem në infrastrukturë dhe të drejtën e pronësisë, përbejnë faktor risku shumë të lartë për ekonominë.

Së pari, ekspertët e FMN-së e kanë këshilluar fuqimisht qeverinë të heqë dorë nga ulja e kufirit të TVSH-së, sepse ndërmarrjet e vogla përbëjnë gjysmën e bizneseve në Shqipëri, dhe sjellin vetëm 2% të transaksioneve të tatueshme. Pra, rëndohen në thelb, duke u rrezikuar mbijetesa e tyre, por nuk i sjellin përfitim të ardhurave publike. Për më tepër, informaliteti dhe evazioni që kanë qenë pasojë e politikave fiskale të deritanishme, do të rriteshin edhe më, përballë një administrate të pamundur për të menaxhuar situatën. E thënë më thjeshtë, qeveria sapo u ka nxirë jetën gjysmës së bizneseve në vend, që rrezikojnë falimentimin e nuk do të mundet të sigurojë të ardhurat e mjaftueshme për të realizuar investimet. Faktet flasin vetë: Raporti i fundit i FMN-së thotë se, gjatë muajve të parë të 2017-ës, tatimet kanë akumuluar 30 milionë euro TVSH të pa rimbursuar. Dhe akumulim i TVSH-së së pa rimbursuar do të thotë rrezik falimentimi për bizneset. T’i shtosh kësaj amullie edhe të tjera biznese, kur administrata ka dëshmuar paaftësi në administrimin e saj, do të thotë të shtosh mundësinë e evazionit dhe falimentimit edhe më tej.

Kur na hedh për konsum mediatik e më pas si propozim konkret e shpëtim të kombit në paketën e re fiskale edhe përjashtimin e hoteleve me katër e pesë yje nga tatimfitimi për 5 vjet, qeveria nuk na thotë se problem real i turizmit nuk është përfitimi nga taksat, por infrastruktura dhe problemet e mprehta të pronësisë. Si mund të joshet një emër i rëndësishëm në hoteleri nga mungesa e taksave, kur nuk di sa të sigurta i ka themelet ku ndërton e kur rrezikon ta përzënë me fraktura nga ky vend, prej konflikteve të pronës. Për të mos folur për infrastrukturën që këto vite, kryesisht, iu dedikua lehtësimit të prodhimit dhe trafikimit të kanabisit.

Por në përpjekjen e qeverisë për të përshpejtuar investimet publike, nuk përfshihet vetëm një paketë e re fiskale që synon përmirësimin e financave, por edhe PPP-të, pra projektet e financuara nëpërmjet partneritetit publik-privat. FMN-ja edhe këtu, shfaqet tejet kërkuese ndaj transparencës së qeverisë, analizës kosto-përfitime dhe standardeve në zbatim, që sipas Fondit nuk përmbushin premisat për projekte cilësore, duke rrezikuar edhe financat edhe borxhin publik.

E mbi të gjitha, shqetësimi shtohet për këtë pushtet të kryeministrit, që tejkalon parlamentin e që krijon kaq shumë konfuzion me ndryshimin e shpeshtë të taksave. Ata që e pësojnë janë taksapaguesit, që veç ndjejnë lakun t’u presë damarët një e nga një, deri në falimentim të plotë.

Por le të vijojmë me analizën. Shqipëria ka norma të larta taksimi, madje më të lartën mbi pagat e larta dhe të ardhurat e tjera, 23%. Kjo normë është më e larta në rajon. Meqë ky popull mban dhe damarët i ka rezistentë në qafë, është vendosur që laku të shtrëngohet edhe ca. Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, ka paralajmëruar se do të përgatitet një projektligj i ri për taksimin progresiv, çdo e ardhur do të llogaritet si një e tërë për një periudhë tatimore dhe do t’i zbatohet norma. Pra, me fjalë të thjeshta, kjo do të thotë automatikisht rritje e tatimit mbi të ardhurat e larta, ku do të mblidhen të gjitha llojet nga burime të ndryshme e mbi të cilat do të aplikohet norma progresive. Por edhe në rastin e një vullneti tejet pozitiv të qeverisë, për të realizuar objektivat e saj fiskalë, mjafton të kontrollosh efikasitetin e përdorimit të skemës së taksës progresive dhe tatimit mbi pagat e larta, për të arritur në konkluzionin që dështimi është i paralajmëruar. Skemat e shmangies së taksave nga individë me paga të larta, janë të njohura, ata regjistrohen si biznes i vogël, duke faturuar ndërmarrjet e kompanitë ku punojnë. Taksimi mbi bizneset e vogla është më i ulët dhe kjo krijon mundësinë që skema të anashkalohet, taksat të shmangen dhe efikasiteti të jetë minimal. Sipas vetë Ministrisë së Financave, të hyrat nga tatimi mbi të ardhurat personale, rezultuan 3,7% më pak se plani në 9-mujorin e këtij viti.

Si për të kuptuar se nismat e ndërmarra nga kjo qeveri, për ndryshimet në sistemin e tatim taksave, nuk i nënshtrohen përvojës, por veç nevojave akute të saj, në ndihmë na vjen edhe një raport i PNUD Albania, i publikuar së fundmi. Ai ka analizuar mënyrën sesi ka ndryshuar varfëria në vend, kush ka hyrë dhe ka dalë nga kjo kategori dhe se sa efikas ka qenë taksimi mbi të ardhurat, i cili ndryshoi në fund të vitit 2013, duke kaluar në sistemin progresiv. Sipas raportit, gjysma e familjeve që i përkisnin klasës së mesme në kategorinë e konsumit më 2008, kaluan në grupin e atyre në nevojë dhe në varfëri në vitin 2014. Ndërkohë që, 17% e familjeve me tendencë drejt varfërisë, u bënë të varfër në 2014.

Dhe për t’i vënë kornizën këtij kaosi gatuar për të zgjidhur emergjencat e një qeverie që nuk di të bëjë ekonomi e aq më pak të qëndrueshme, kryeministri i vendit që e ka parë veten herë prokuror, duke dhënë pretenca, herë gjykatës duke dhënë verdikte, herë lider suprem duke asgjësuar çdo lloj pushteti, tashmë arrin edhe një tjetër rekord autoritarizmi: ndryshimet e taksave mund të ndodhin me vendim kryeministri dhe jo si ligje në parlamentin e të zgjedhurve nga populli, që ka të drejtë të kërkojë llogari si përdoren taksat e tij, ku dhe pse.

Sot, konsumi i debatit publik orientohet drejt peshqve, të mëdhenj e të vegjël, që drejtësia duhet të kapë me rrjetat e saj, ende të shqyera. Por nëse ka një peshkaqen që sot mund të gëlltisë edhe vetë peshkatarët, është tendenca autoristariste për ta bërë ekonominë një mjet në duart e një lideri, që jo vetëm nuk e njeh, por as nuk do të mësojë. E që me gjasë, do të vijojë të shtrydhë masën për të mbajtur kastën, që në fund do të jetojë si një ishull në detin e vdekur flore dhe faune.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: