Turqi, Panucci vjen ndryshe nga De Biasi

Turqi, Panucci vjen ndryshe nga De Biasi
Trajneri i kombëtares, në miqësoren e parë ndaj Turqisë më 13 nëntor, do të testojë së pari lojtarët që i ka besuar vetë, për t’i alternuar me ata që do të jetë “baza kuqezi”, shumica pjesë e Seria A

Aranit Muraçi

Kuqezinjtë vijojnë përgatitjet në Antalia, në vigjilje të miqësores ndaj Turqisë, që do të luhet më 13 nëntor, e para miqësore për trajnerin Christian Panucci, që kur italiani mori drejtimin e Kombëtares. Panucci drejtoi kuqezinjtë në katër ndeshjet e fundit kualifikuese të botërorit rus, duke nisur edhe ndryshimet e para në radhët e kombëtares, por më të mëdhatë nisin të martën tjetër dhe përfundojnë shtatë muaj më vonë.

Ndryshe nga paraardhësi i tij Gianni de Biasi, listës me 25 lojtarë i janë shtuar emra të rinj si: Ivan Balliu (Metz), Valon Ahmedi (Maribor), Astrit Ajdareviç (Aek), Ylber Ramadani (Veilje), dhe pas dëmtimit të Amir Abrashit, surpriza më e madhe e listës së Panucci-t, ishte Kamer Qaka (mesfushor i lindur në Prishtinë e luan në Rumani). Naser Aliji (pa ekip) e  Sabien Lilaj i Skënderbeut, sikurse më herët Taulant Xhaka, janë disa nga rikthimet e spikatura që vendosi Panucci, po ashtu si ndryshime nga epoka De Biasi. Të gjithë të përzgjedhur e Panucci-t, me siguri nuk janë thirrur për “turizëm” në Antalia. Si e para ndeshje testuese para rindërtimit të ekipit që do të konkurrojë në kualifikueset “Euro 2020”, disa duhet të presin një moment të dytë, pasi shihet si e pamundur të debutojnë të gjithë, por pjesë më e madhe, nga burime pranë stafit kuqezi për “Albanian Free Press”, mësohet se do të testohen në miqësore ndaj Turqisë. Shqipëria do të zbresë në fushë me një formacion krejt ndryshe nga skuadra që luajti ndeshjen e fundit me Italinë.

Panucci nuk ka asnjë dilemë për rifreskimin e kombëtares, përkundrazi, ai kishte paralajmëruar se disa nga senatorët që mosha ka nisur t’i “tradhtojë” do të largohen para se Shqipëria të kualifikohet në Euro 2020, siç edhe është objektivi. Disa janë larguar dhe disa janë ende në pritje të vendimit, pas kësaj miqësoreje. Dilemat e trajnerit janë përzgjedhja mes lojtarëve të të njëjtit rol, atyre që do të jenë baza e skuadrës së ardhshme dhe që gëzojnë të njëjtën formë. Mjafton shembulli i dy portierëve, Etrit Berisha dhe Thomas Strakosha. Të dy po shkëlqejnë në Seria A, Berisha me Atalantën e Strakosha me Lazio. Ka shërbyer gjithnjë zgjedhje e parë Berisha, por për t’i besuar Strakoshës mjaftojnë fjalët e ish-portierit të Lazio, Alberto Fontana. ”Kampionati është i bukur, Juventus mbetet favorit, por besoj titulli vendoset në javët e fundit. Napoli luan futbollin më të bukur, kurse Roma është realiteti më i bukur i këtij sezoni. Lazio nëse fiton me Udine mbetet një pikë larg kreut. Ka shumë lojtarët të rinj e të talentuar, mbi të gjithë portierët. Më pëlqen shumë Strakosha.” Portieri i Lazio, sipas medieve italiane, konsiderohet portieri më i vlerësuar deri tani ndaj edhe presioni bie mbi Panucci-n, të cilit i duhet të zgjedhë për portën. Ndaj Turqisë pritet një alternim,  secili portier një pjesë loje, ashtu sikurse do të veprohet me çdo dilemë të krijuar edhe për repartet e tjera. Në kampin tjetër, Turqia ka grumbulluar ekipin me lojtarët më të mirë të mundshëm dhe ka të njëjtin qëllim, testimin e tyre para kualifikueseve Euro 2020.

 

Albian Ajeti, sulmi kuqezi nuk dorëzohet  

Albian Ajeti, vëllai i mbrojtësit të Kombëtares Shqiptare, Arlind Ajeti, u shpall Lojtari i Muajit në Zvicër. Ai luan me Basel, ndërkohë që ftesa nga Panucci e stafi kuqezi i është bërë me kohë. Por për të zgjedhur Shqipërinë Arlind Ajetin e pengon Zvicra, ndonëse Taulant Xhaka me të cilin sulmuesi ka miqësi, është shprehur në Turqi gjatë grumbullimit se “nuk ka vendosur ende”. Arlindi, një ndër mbrojtësit më në formë të kombëtares, ka thënë më herët se “Albiani do ta marrë vendimin sipas dëshirës së tij”. Ndërkohë Panucci nga tentativat e kaluara, e konsideroi të vështirë që Arlindi të vishet kuqezi, pasi “sirenat helvete” prej kohësh bien rreth tij. Bekim Balaj u riaftësua por Panucci nuk e ka thirrur ende, sikurse Sokol Cikalleshin, çka tregon se po vëzhgon sulmues të rinj.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: