VRASJET QË NDRYSHUAN HISTORINË E SHQIPËRISË: SI U VRA AZEM HAJDARI

VRASJET QË NDRYSHUAN HISTORINË E SHQIPËRISË: SI U VRA AZEM HAJDARI
Gazeta “Albanian Free Press” publikon nga numri i sotëm, materiale të plota mbi disa nga vrasjet më të bujshme në Shqipëri. Ato janë pjesë e librit më të ri të publicistit Roland Qafoku, opinionist i “Albanian Free Press”, “100 vrasjet më të bujshme në historinë e shtetit shqiptar 1912-2017”, një libër që vjen në kuadrin e 105-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Në numrin e sotëm, lexoni “Si u vra Azem Hajdari”

 

PËRSE KËTO 100 VRASJE?

Çdokush që lexon këtë libër ka të drejtë të pyesë: përse pikërisht këto 100 vrasje? Përse nuk është vendosur x vrasje dhe përse kam përfshirë y vrasje? Përgjigjja ime është e thjeshtë: sepse kështu mendoj unë. Pasi bëra një listë me rreth 300 vrasje që për mua ishin më të bujshme, më të rëndësishme, më specifike dhe më me ndikim në jetën politike dhe shoqërore, bëra një përzgjedhje të dytë, më pas një të tretë. Duke diskutuar dhe u këshilluar me shumë miq, kolegë gazetarë, studiues dhe historianë dhe pasi vura disa kushte në hartimin e saj, vendosa pikërisht për këtë 100-ëshe.

VRASJE QË NDRYSHUAN HISTORINË

Disa vrasje nuk kanë qenë thjesht ekzekutim me viktima, por kanë sjellë deri ndryshim të historisë. Ato kanë ndikuar që të ketë deri zhvillime të rëndësishme politike në Shqipëri. Kështu vrasja e gjeneralit italian Enrico Tellini-t më 27 gusht 1923, i cili kishte projektuar që kufiri mes Shqipërisë dhe Greqisë të ishte matanë Janinës, solli që ky kufi të tërhiqej deri në Konispol. Vrasja e Robert Coleman-it dhe George De Long-ut më 6 prill 1924 solli zemërimin amerikan, për shkak të të cilit anije luftarake qëndruan për një kohë të gjatë në detin Adriatik. Atentati ndaj Avni Rustemit më 20 prill 1924 solli atë që u quajt revolucioni i qershorit, por që në fakt ishte një grusht i pastër shteti. Vrasja e Daut Hoxhës më 14 qershor 1940 në Konispol solli luftën italo-greke. Vrasja e Artur Rustemit më 10 shkurt 1997 solli rebelimin e armatosur në Vlorë. Vrasja e Azem Hajdarit më 12 shtator 1998 solli dy ditë më vonë kryengritjen e armatosur që synoi marrjen e pushtetit me dhunë dhe dorëheqjen e kryeministrit Fatos Nano. Janë të gjitha vrasje që kanë ndryshuar historinë.

30 POLITIKANË TË VRARË

Fundja nuk është romancë, por politikë. Të jesh pjesë e establishmentit shtetëror në Shqipëri ka qenë aq rrezik sa më mirë se kushdo e ka thënë At Zef Pllumi: Nëse je politikan në Shqipëri, një këmbë e ke në varr dhe një këmbë e ke në burg. Nga ministri i Financave të qeverisë së Esad Pashë Toptanit e deri te deputeti Azem Hajdari janë 30 politikanë që janë pjesë e 100 vrasjeve. Mes tyre ka politikanë të të gjitha rangjeve që nisin nga kryeministra si Esad Pashë Toptani, Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Qazim Koculi, Idhomen Kosturi, Kostaq Kotte e deri te Mehmet Shehu. Por edhe zëvendëskryeministër si Preng Bibë Doda, ose ministra si Mark Gjon Markaj, Lefter Kosova, Nako Spiru, etj. Në listën e të vrarëve janë edhe deputetë, si Azem Hajdari dhe Fatmir Xhindi e deri te politikanë të disa rangjeve që nisin me firmëtarët e Pavarësisë, si Xhelal Koprëncka e deri te Luigj Gurakuqi, Bajram Curri e Avdyl Ypi.

 

SI U VRA AZEM HAJDARI

Nga ROLAND QAFOKU

Data 12 shtator 1998 mori një plagë edhe më të rëndë: Vrasjen e deputetit dhe kryetarit të parë të Partisë Demokratike, Azem Hajdari. Njeriu simbol i rrëzimit të sistemit komunist teksa drejtoi lëvizjen studentore në dhjetor 1990, u vra duke shënuar kulmin e të gjitha vrasjeve politike në Shqipëri, që nga themelimi i shtetit. Ishte ora 21.12, kur dalja e beftë Azem Hajdarit nga selia e PD-së i shoqëruar nga dy badigardët e tij e vuri përballë tre personave të armatosur, Fatmir Haklaj, Jaho Salihi dhe Naim Çangu. Debati me fjalë ia la vendin breshërive të armëve nga të cilat mbetën të vdekur Azem Hajdari, badigardi i tij Besim Çerja, dhe u plagosën badigardi tjetër i tij Zenel Neza dhe Naim Çangu, i cili ndërroi jetë në spital.

SKENA E KRIMIT

I veshur me një kostum gri dhe me një këmishë bojëqielli, në orën 21.10., të 12 shtatorit 1998, Azem Hajdari doli nga selia e Partisë Demokratike dhe mori rrugën në të majtë të godinës. Vetëm 30 metra larg saj ishte parkuar një makinë brenda së cilës ndodheshin disa persona që e prisnin. Dikush nga brenda selisë e kishte njoftuar Azem Hajdarin se e kërkonin jashtë dhe ai nuk ngurroi të dilte. Dy badigardët e tij, Besim Çerja dhe Zenel Neza, sapo panë shefin e tyre që doli nga godina, nxituan dhe iu afruan për ta shoqëruar. Të tre së bashku bënë me shpejtësi 10 metra rrugë, deri te trotuari i rrugës “Abdi Toptani”. Grupi hetimor i ngjarjes ka arritur ta rindërtojë skenën e krimit që ndodhi pas këtij momenti mbi bazën e dëshmive, të dhënave, ekspertizave dhe eksperimenteve për gjithçka që ka ndodhur në pak minuta pas takimit të tyre. Nga makina e parkuar aty, nga dera e shoferit, i pari doli Fatmir Haklaj. Pas tij doli Jaho Salihi dhe u vendos në të djathtë të Haklajt dhe pas tij Naim Çangu që u pozicionua në të majtë, të tre në duar mbanin armë. Pra në këto momente, Azem Hajdari vetë i tretë, ka qenë përballë Fatmir Haklajt vetë i tretë me uniformë policie. I pari që ka kryer një veprim ka qenë badigardi i Azem Hajdarit, Besim Çerja, i cili i ka bllokuar armën kallashnikov Fatmir Haklajt duke ia kapur armën me të dy duart për ta penguar ta përdorë. Kjo ka sjellë reagimin e menjëhershëm të Jaho Salihit, i cili me pistoletë qëlloi menjëherë Besim Çerjan në kokë duke e lënë të vdekur në vend. Në të njëjtën kohë arma që Çerja mbante të bllokuar bëri një qitje të pavullnetshme duke qëlluar në trup Zenel Nezën dhe Naim Çangun, edhe ata të dy u rrëzuan në tokë. I vetmi i paprekur në këto momente ka qenë Azem Hajdari, i cili instinktivisht ka ngritur dorën për t’u mbrojtur. Por ndaj tij është derdhur një breshëri e tërë plumbash. Plumbi i parë e ka marrë në dorë, ndërkohë që shumë të tjerë e kanë prekur në të gjithë trupin duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Me Azem Hajdarin të vrarë dhe dy badigardët e tij të mbuluar në gjak, Fatmir Haklaj e Jaho Salihi morën Naim Çangun e plagosur e futën në makinën e tyre, dhe u larguan me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Çangu ndërroi jetë pas disa orësh në spital.

PËRSE E VRANË AZEM HAJDARIN

Fatmir Haklaj së pari mori përsipër vrasjen. Ai është shprehur se nuk ka dashur ta vriste Azem Hajdarin, por në momentin kur ka parë se ai ishte i armatosur me një pistoletë me silenciator në dorë, vendosi ta qëllonte. Sipas Haklajt, vrasja e Çangut tregon se nuk ishin pozicionuar për ta vrarë Azem Hajdarin. Sipas Gjykatës, Fatmir Haklaj e vrau Hajdarin sepse ai dyshonte që ai kishte gisht në vrasjen e të vëllait, Shkëlqim Haklajt, më 5 janar 1998 në Qafën e Luzhës. Përballja mes Fatmir Haklajt dhe Azem Hajdarit ka nisur që në 1997, kur Azem Hajdari vendosi kandidaturën për deputet në Tropojë në zgjedhjet parlamentare të 29 Qershorit të atij viti. Gjatë fjalës që presidenti në detyrë, Sali Berisha, mbajti në Tropojë gjatë asaj fushate, është lëshuar një breshëri automatike në ajër që Berisha e mori si sfidë. Pyetja se kush ishte ai që qëlloi ka marrë përgjigjen “Fatmir Haklaj” dhe më pas Berisha mësohet të jetë shprehur se “e dua të gjallë apo të vdekur në Tiranë”. Në vendimin e trupit gjykues është shkruar se “Fatmiri e ka akuzuar deputetin Hajdari se kishte pasur dorë në vrasjen e të vëllait, Shkëlqimit”. Vetëm 8 muaj pas këtij incidenti, Shkëlqim Haklaj u ekzekutua. Por i vëllai, Fatmiri, nisi hakmarrjen me bindjen se vrasja kishte ardhur nga Tirana, duke marrë vendimin që kufoma të mos varrosej pa i marrë hakun. Më 7 janar vriten në një pritë oficeri i policisë, Avdyl Matoshi, Gj. Kolbucaj dhe Naim Dizdari. Shkëlqimi u varros, por hakmarrja vazhdoi teksa më 9 janar 1999 Fatmir Haklaj ekzekutoi në zyrën e tij oficerin e policisë të fisit Hoxha. Pas kësaj nisi konflikti mes Fatmir Haklajt dhe Azem Hajdarit. Në disa fjalime në Parlament Hajdari e kishte përmendur emrin e Fatmir Hakljat, duke kërkuar ndjekje penale dhe kjo e kishte zemëruar jo pak atë. Në vendimin e trupit gjykues është nënvizuar se “Këto dyshime u konsoliduan, duke marrë formën e një vendimi për ekzekutimin e tij” . Përpjekja e parë për të vrarë Azem Hajdarin ka qenë më 3 qershor 1998, në qendër të Bajram Currit, në një atentat nga i cili ai shpëtoi. Përpara atentatit SHISH e kishte informuar ministrin e Brendshëm, Perikli Teta, se Fatmir Haklaj ishte shprehur: Shkëlqimi u vra me 18 plumba, ndaj kemi vrarë 9, e do të vrasim edhe 9 të tjerë, përfshi edhe Azem Hajdarin”. I ndodhur në këtë situatë Azem Hajdari nisi të merrte masat e veta. Për ta zgjidhur këtë mosmarrëveshje ai takoi plakun e familjes, Muharrem Haklan. Më 2 shtator 1998 Azem Hajdari dhe Muharrem Haklaj u takuan në zyrën e Hajdarit, në Tiranë, me ndërmjetësimin e një miku të Azemit. Biseda pa praninë e askujt që është edhe një kyç i rëndësishëm për gjithë historinë e konfliktit, është bërë publike nga vetë Muharremi në vitin 2000. Sipas Muharrem Hakljat, Azemi sqaroi se nuk kishte gisht në vrasjen e të birit, Shkëlqim Haklajt, në Qafën e Luzhës. Gjithnjë sipas Muharremit, ai i kërkoi 10 ditë kohë t’i kthente Azemit përgjigje. Në fakt, 10 ditë më pas, më 12 shtator, Fatmir Haklaj mbërriti në Tiranë për t’ia kthyer përgjigjen, që në fakt ishte vrasja e Azem Hajdarit.

POLICË NË VRASJE

Në udhëtimin e tij nga Tropoja në Tiranë, duke qenë person në kërkim për vrasje, Fatmir Haklaj mori si shoqërues disa punonjës policie dhe me makina policie. I pari ishte Jaho Mulosmani, shefi i rendit në Tropojë, shefi i qarkullimit në Tropojë, Ismet Haxhia dhe disa punonjës të tjerë, bashkë me një furgon Iveco. Fatmir Haklaj është ndalur në fshatin Nikël të Krujës, në të cilin ka marrë si shoqërues edhe mikun e tij, Naim Çangu. Prokuroria ka nxjerrë si konkuzion se me të mbërritur në Tiranë Fatmir Haklaj ka takuar një nga badigardët e Sali Berishës, Izet Haxhinë, me anë të të cilit ai njoftoi Azem Hajda rin që ta takonte. Sipas prokurorisë, gjatë ditës së 12 shtatorit, Azem Hajdarit i janë bërë disa telefonata. Ai ndodhej në një miting në Fier dhe telefonuesit i kërkuan të kthehej në Tiranë.

12 SHTATORI QË SOLLI 14 SHTATORIN

Vrasja e deputetit Azem Hajdari e tronditi nga themelet shtetin shqiptar. Dy ditë pas ekzekutimit, ndodhi një kryengritje e armatosur për të marrë qeverinë, ashtu siç ka ndodhur në janar të vitit 1914 ndaj qeverisë së Ismail Qemalit, ashtu siç ka ndodhur në 1914 ndaj princ Wied-it, si në mars 1922 ndaj qeverisë së Xhaferr Ypit, si në qershor të vitit 1924 ndaj kryeministrit Shefqet Vërlaci, si në dhjetor 1924 ndaj kryeministrit Fan Noli dhe si ndaj qeverisë së Aleksandër Meksit në mars 1997. Ceremonia e varrimit të Hajdarit, më 14 shtator, u shndërrua në një tentativë të turmave të armatosura për të marrë pushtetin me dhunë. Gjithçka nisi me homazhet në sheshin “Skënderbej” në orën

10.00 të 14 shtatorit. Por pas kalimit përpara arkivolit të mijëra njerëzve, një pjesë e turmës e ngriti arkivolin në krah dhe në vend që të drejtohej për nga varrezat e Sharrës, ku do të prehej trupi, u drejtua për nga godina e Kryeministrisë, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Kjo u shoqërua me vandalizëm të njëjtë me atë të trazirave të marsit të vitit 1997. U shkatërruan dhe u grabitën të gjitha zyrat ministrive, iu vu flaka godinave qeveritare dhe makinave të zyrtarëve. U grabitën në ambientet e Gardës armë, municione dhe deri tanket e saj e, në fund, u tentua të pushtohej edhe godina e Kryeministrisë. Trupi i pajetë i Azem Hajdarit u harrua dhe turma mё shumë po impenjohej nëse qeveria e kryeministrit Fatos Nano kishte rënë, sesa të nderonte kufomën e Hajdarit. Kjo edhe për shkak se fshehtas vetë kryeministri Nano u largua për në Maqedoni. Vetëm me ndërhyrjen e diplomatëve dhe përfaqësive të huaja, turmat u tërhoqën dhe situata u normalizua, por stabiliteti në vend dhe imazhi i Shqipërisë u dëmtua mjaft rëndë, ndoshta më rëndë edhe se në trazirat e marsit 1997.

 

AZEM HAJDARI KUR U PLAGOS: “Doktor Berisha, jam i lumtur të vdes për ty!

 

VIKTIMA:

AZEM HAJDARI

VIKTIMA TË TJERA:

Besim Çerja

TË PLAGOSUR:

Zenel Neza

POZITA E VIKTIMËS NË MOMENTIN E VRASJES:

Deputet në Kuvendin e Shqipërisë

POZITAT E TJERA TË VIKTIMËS PËRPARA VRASJES:

Kryetari i parë i Partisë Demokratike në themelim, pesë herë i zgjedhur deputet i PD-së, kryetar i Komisionit Parlamentar të Sigurisë Kombëtare, kryetar i bordit drejtues të gazetës “Koha Jonë”

DATËLINDJA:

11.03.1963

VENDLINDJA:

Tropojë, Shqipëri

DATA E VRASJES:

E shtunë, 12 shtator 1998, ora 21.13

MOSHA E VIKTIMËS:

35 vjeç, 6 muaj e 1 ditë

VENDI I VRASJES:

Rruga“Abdi Toptani”, 30 metra larg selisë së Partisë Demokratike, Tiranë, Shqipëri

AUTORI I VRASJES:

Jaho Salihi, Fatmir Haklaj

POZITA E AUTORIT:

Shef i Komisariatit të Policisë Tropojë

VERSIONI ZYRTAR I NGJARJES:

Vrasje për hakmarrje

VERSIONI JOZYRTAR:

Sipas Partisë Demokratike, Azem Hajdari u vra për arsye politike nga përfaqësues të qeverisë të drejtuar nga kryeministri i asaj kohe, Fatos Nano

 

10 FAKTE

1          Azem Hajdari ishte deputet i Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë kur u vra më 12 shtator 1998

2          Kryetari i parë i Partisë Demokratike nga themelimi deri më 13 shkurt 1991, kur u zgjodh Sali Berisha

3          Azem Hajdari ishte lideri kryesori Lëvizjes Studentore në dhjetor të vitit 1990, nga e cila u rrëzua komunizmi

4          Vrasja e Azem Hajdarit është një nga më të bujshmet dhe më të rënda për nga rëndësia që ka ndodhur në historinë e shtetit shqiptar

5          Vrasja e Azem Hajdarit shërbeu si shkëndijë për rebelimin e turmave më 14 shtator, për të përmbysur pushtetin me dhunë, por kjo nuk u arrit

6

I gjithë procesi hetimor i ngjarjes është monitoruar nga një grup ekspertësh të OSBE-së

7          Fatmir Haklaj u vra më 4 nëntor 1999, në Tropojë, në një pritë në të cilën mbeti i vdekur edhe Sami Kërnaja, ndërsa Jaho Salihi u plagos

8          Azem Hajdari u plagos në sallën e Kuvendit, më 18 shtator 1997, teksa u qëllua me pesë plumba nga deputeti Gafurr Mazreku, por për fat Hajdari shpëtoi nga vdekja

9          Katër herë deputet i zgjedhur në Kuvend, kryetar i këshillit botues të gazetës “Koha Jonë”, kryetar i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë

10        Procesi hetimor dhe gjyqësor për vrasjen e Azem Hajdarit ka kërkuar më shumë impenjim, juristë, hetues, prokurorë, gjykatës dhe ekspertë vendas e të huaj se çdo proces tjetër në historinë e drejtësisë shqiptare

 

10 MISTERE

1          Përse nuk është gjetur kurrë celulari që Azem Hajdari mbante në momentin e vrasjes?

2          Që kur u bë publike e deri më sot, nuk është bërë asnjëherë e ditur se kush i mori 200 mijë dollarë amerikanë të vënë në dispozicion për informatorët e zbardhjes së kësaj ngjarjeje?

3          Përse dhe kush e lidhi ngjarjen e 12 shtatorit me rebelimin e 14 shtatorit që solli sulmin në institucionet shtetërore?

4          Si ka mundësi që persona të implikuar në vrasjen e Azem Hajdarit ishin shumë aktivë në ngjarjen e 14 shtatorit, kur institucionet e shtetit u sulmuan dhe u shkatërruan?

5          Cili ishte roli i 30 kosovarëve të arrestuar më 16 shtator të konsideruar si pjesë e FARK-ut, (Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës)?

6          Si u arrit të rindërtohet skena e ngjarjes nga grupi hetimor, kur policia nuk arriti ta ruajë vendin e ngjarjes?

7          Përse hetimet nuk zbuluan në asnjë rrethanë dhe asnjë rast që në këtë ngjarje kishin dorë shërbimet sekrete të huaja, si ato serbe dhe greke?

8          Përse vazhdimisht përfaqësues të Partisë Demokratike kanë deklaruar se nuk kishin besim që do të gjendeshin vrasësit dhe kur ata u zbuluan, arrestuan e dënuan, ky mosbesim vijoi dhe në asnjë rast nuk është përshëndetur puna e bërë nga grupi hetimor i ngjarjes?

9          Përse nuk dëshmoi përpara grupit hetimor kryetari i PD-së, Sali Berisha?

10        Si u arrit të rindërtohet skena e krimit nga grupi hetimor, kur policia nuk arriti ta ruajë vendin e ngjarjes?

 

DEKLARATA TË BUJSHME PËR VRASJEN

Azem Hajdari, deklaratë më 8 dhjetor, 1990 në “Qytetin Studenti”

“Po qe se keni kërkesa politike, jam me ju. Ju vë në hipotekë dy fëmijët e mi.”

 

Azem Hajdari, intervistë e Blendi Fevziut për revistën“Klan”, 28 dhjetor 1997

“Kam besim te puna, Zoti dhe fati”

 

POLITIKANËT

Sali Berisha, kryetar i PD kur ndodhi ngjarja:

Deklarata 1.

“Azem Hajdarin e vrau Nano dhe Sllobodani. Në atentatin e parë më kishte thënë: Jam i lumtur që vdes për ty. E kishte fjalën për demokracinë”.

Deklarata 2:

“Kemi të dhëna se zëdhënësi i kryeministrit Nano ka pagëzuar sot vrasësin në emër të Nanos. Vrasësi është Fatos Nano. Ai ka vetëm 24 orë kohë. Nëse nuk jep dorëheqjen, ne nuk mund t’i përmbajmë turmat”.

 

Ilir Meta, kryeministër dhjetor 2000:

“Të gjenden vrasësit e vrasësve të Azem Hajdarit”

 

SIRI FRIGHARD, prokurore norvegjeze që asistoi grupin hetimor shqiptar që hetoi çështjen, në gazetën “Koha Jonë”, 2003:

“Sa kam unë informacion, më rezulton se vrasja e Azem Hajdarit nuk kishte arsye politike”

 

6

ATENTATE

I janë bërë Azem Hajdarit gjatë jetës së tij. I pari ndodhi në qershor të vitit 1997, në Shkallnuer të Durrësit. I dyti, kur në gusht iu zu pritë në Qafën e Buallit, në Sarandë. I treti më 18 shtator 1997, ku mbetet i plagosur, i qëlluar me pesë plumba nga deputeti i PS-së, Gafurr Mazreku, në Kuvend. I katërti më 14 shkurt 1998, kur iu organizua një pritë në Milot, ku makina e tij e blinduar u qëllua me breshëri. I pesti, më 3 qershor 1998, në Tropojë, ndërkohë që mbeti i plagosur ish-drejtori i RTSH-së, Bardhyl Pollo. Dhe i 6-i më 12 shtator 1998, ku mbeti i vrarë.

 

VENDIMI I DREJTËSISË:

VENDIMI  I  GJYKATËS SË TIRANËS

Jaho Mulosmani - burgim i përjetshëm

Izet Haxhia - 25 vjet burg (në mungesë)

Isamedin Haxhia - 30 muaj burg

Ismet Haxhia - 20 vjet burg

Fatmir Meta - i pafajshëm

 

PLAGOSJA ME 5 PLUMBA

Në historinë e Parlamentit shqiptar janë shënuar dy atentate me armë brenda sallës së Parlamentit. I pari ndaj Ahmet Zogut, më 1924, dhe i dyti ndaj Azem Hajdarit, në shtator 1997. Pas një debati me fjalë e më pas me përleshje fizike deputeti i PS-së Gafurr Mazreku e qëlloi Azem Hajdarin me pesë plumba në trup, duke e lënë të plagosur, por për fat shpëtoi. Vetë Azem Hajdari për këtë ngjarje ka thënë:

“Ka qenë një atentat politik ndaj meje. Për këtë jam i sigurt dhe kam prova. Ka pasur një plan të hershëm për ekzekutimin tim që nga janari 1997. Arsyeja ishte goditja e historisë. Atentati është organizuar nga Meidani, Nano, Dokle e Gjinushi. Mbase ky i fundit nuk ka qenë aktiv. I kam të gjitha provat. Nuk i nxjerr tani, por në një moment të duhur”.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: