“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Zbardhet takimi Meta-Beqiraj: Mos u qaj, Gudar! Presidenca nuk ka fonde as për llokume...

“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Zbardhet takimi Meta-Beqiraj: Mos u qaj, Gudar! Presidenca nuk ka fonde as për llokume...
"Antena Jashtë Familjes" sot, në këtë ditë feste për vendin tonë, sjell bashkëllafosjen midis shokut Ilir Meta, burrit të drejtueses së LSI-së e, për fat, Presidentit të Republikës dhe shokut Gudar Beqiraj, ish-kreut të Akademisë së Shkencave. Për sqarim hyrës, apo siç i thonë në gazetari, parantezë, ditën e sotme e quajtëm ditë feste, pasi jo më vonë se pa u mbyllur e djeshmja, i dërguari nga Europa, politikani Han, na bëri të ditur se Shqipëria nuk është aspak një han. Ajo nuk do të futet në BE në vitin 2050, siç kanë shkruar disa media dashakeqe, por më shpejt.

100-vjetori i çlirimit të vendit nga nazistët gjermano-austriakë, do e gjejë Shqipërinë në gjirin e Brukselit. E pas këtij lajmi të mirë për vendin, që po e japim EKSKLUZIVISHT, po sjellim për ju bashkëllafosjen që bëmë në Presidencë, me dy figurat që i paraqitëm më lart. Duke ju uruar lexim të këndshëm, sidomos lexuesve pensionistë kryeqytetas me kafetë 20-lekëshe që ka bërë të mundur shoku Erion Veliaj, ju urojmë gjithashtu fundjavë të mbarë nga reumatizma...

Antena: Përshëndetje, shokë...!

Gudar Beqiraj: Përshëndetje edhe juve!

Antena: Si shkoi takimi?

Gudar Beqiraj: Ashtu siç e kisha parashikuar...

Antena: Si e kishit parashikuar?

Gudar Beqiraj: Si çdo takim që bëhet pa lekë. Si mund të shkojnë takimet kur, asnjë nga ata që takohen, nuk kanë lekë? Tamam si dy pensionistë që takohen në bordura, e fillojmë të luajnë domino së bashku.

Ilir Meta: Mua shyqyr që më mban gjallë pasioni për punën, se të qe për lekët që marr...

Antena: Edhe ju shoku President, jeni i pakënaqur nga mungesa e parave...?

Ilir Meta: E kush nuk është?! Edhe Presidencës i dhanë fonde të pamjaftueshme. Ja, më erdhi ish-gjyqtari im sportiv, e as me një karamele “Zana”, nuk e qerasa dot.

Gudar Beqiraj: Mos u mërzit Ilir! Vërtet nuk më qerase me karamele, ama më dhe llokume. Pavarësisht se atë nuk e hëngra, se ndikon keq në shëndet...

Ilir Meta: Ato llokume që të dhashë, nuk janë blerë me fondet e Presidencës. I ka bërë Monika me duart e saj, e m'i ka dhënë të qeras njerëzit që vijnë, e më takojnë. Shyqyr që nuk e hëngre, që ta kem për ndonjë person tjetër që më vjen në zyrë! Lëre Gudar se, qëparë, u turpërova fare me ty...!

Antena: Përse u turpëruat, a mund ta dinë edhe lexuesit tanë?

Ilir Meta: Sigurisht që po. I nxora llokumet në kuti. As tabaka nuk kemi. S'ka fonde Presidenca të blejë. Kam harruar të marr ndonjë tabaka nga shtëpia. Më ka thënë dhjetëra herë Monika, por ku ta kem mendjen më parë. E gjeta Presidencën bosh. As një pije nuk kishte, kur erdha këtu. Shyqyr që kisha ca raki Skrapari, që ma kishte sjellë Petriti në shtëpi. Atë raki përdor kur vijnë delegacionet e huaja.

Antena: Cili Petrit? ...Vasili?

Ilir Meta: Një Petrit-sypetrit ka partia, mos bëj pyetje koti!

Antena: Ju pëlqen rakia të huajve?

Ilir Meta: Ju pëlqen, s'ju pëlqen, atë kam. Fonde për uiski, campari dhe vodka, nuk kemi të blejmë. Edhe rakinë, e nxjerr me shishe, pasi nuk kemi asnjë gotë.

Antena: Si me shishe? Ju vë shishen përpara?

Gudar Beqiraj: Mua jo, se Iliri e di që nga koha kur merrej me peshëngritje, se unë nuk e pi.

Ilir Meta: Po pra, me shishe, pse habitesh?

Antena: Unë mora vesh nga "Media e Kazanit" që, shoku Gudar kishte ardhur të ankohej për fonde. Ju si Presidencë, qenkeni më keq...

Gudar Beqiraj: Jo mor mik, s'erdha të ankohesha. Më thirri Iliri t'i bëja ca llogari matematikore, se si të kalojë krizën financiare, që i ka rënë Presidencës.

Antena: Pra, nuk erdhët për t'u ankuar për Akademinë e Shkencave, d.m.th.? Po ky qenka lajm i thënë ekskluzivisht për ne...

Gudar Beqiraj: Punën e fondeve e dija unë që nuk shtoheshin. E njoh Edi Ramën që kur ishte basketbollist dhe unë gjyqtar i peshëngritjes.

Ilir Meta: E njeh që atëherë Gudari dhe e di se ç'kokë ka. Po ju mbush mendja Edit, s'ka burrë nëne dhe burrë shkence që t'ia mbushë mendjen! Gudarin e mora unë miqësisht të më tregojë ndonjë formulë, se si ta kaloj vitin, me kaq pak para që marr nga qeveria.

Antena: Ju tregoi?

Ilir Meta: Më tregoi, por s'mora vesh gjë. Kam vite pa u ushtruar në matematikë dhe financa. Apo jo profesor?

Gudar Beqiraj: ...edhe në peshëngritje, madje.

Ilir Meta: Po edhe në atë, kam vite pa bërë shtanga. Ama, ju dhashë llafin profesor se, do bëj dy herë në javë.

Gudar Beqiraj: Më shpesh të bësh, Ilir! Të bën mirë për shëndetin.

Ilir Meta: Si fillim, dy herë në javë profesor. Tani jam disi i zënë me aktivitete presidenciale.

Antena: Më falni, por këto paskeni diskutuar ju, atë njëorësh që qëndruat së bashku? Unë kujtova mos keni diskutuar për Akademinë e Shkencave?

Gudar Beqiraj: Shkenca ka mbaruar qysh kur, për paratë që do marrim, vendos një piktor. Ishallah lënë ndonjë foto të Akademisë në pallatin që do ndërtojnë aty.

Ilir Meta: Profesor, ju të paktën ua paguajnë ata që ju ftojnë nëpër seminare jashtë vendit. Unë i ziu që as në Skrapar nuk shkoj dot, nëse më ftojnë, me këto fonde që më ka lënë Edi.

Gufar Beqiraj: Ilir, dorëheqjen ta lashë mbi tavolinë. Mos harro ta bësh publike!

Ilir Meta: E lum si ti! Dorëhiqesh e s'ta ndjen! Unë, po hoqa dorë nga ky kolltuk, më pi e zeza!

Shpërndajeni me miqtë tuaj: