“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Zbulohet ditari i gjermanit të fundit: U larguam nga Shqipëria, më 31 nëntor 1944...!

“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Zbulohet ditari i gjermanit të fundit: U larguam nga Shqipëria, më 31 nëntor 1944...!
Satirë

"Antena Jashtë Familjes" hapet sot, me një lajm të mirë. Kryeministri ynë u takua me të njëjtin e tij të Kosovës, apo siç i thonë në gazetari, homologun.

Me meqë ra llafi te Kosova, po ju spiunojmë se, atje dolën rezultatet e votimit për pushtetin lokal. Bëjmë me dije se, shtëpia që bleu mami i shokut Shpend Ahmeti në Shëngjin, para disa muajve, ka qenë ogurmirë. Shpendi ka arritur të fitojë zgjedhjet për bashkinë e Prishtinës, apo siç i thonë në Kosovë, ku italishtja është gjuhë mjaft e përdorur, komunë.

I urojmë Shpendit, suksese! Shpresojmë që shoku Shpend, ta mbajë llafin që na tha përpara dy muajsh se, kur ai të rifitojë, mami i tij do të blejë shtëpi më të madhe në bregdet.

Harruam të theksojmë se, shoku Shpend, direkt sa mori vesh se kishte fituar, na telefonoi neve të parët. Shpendi fluturonte si shpend nga gëzimi që do të jepte energjitë e tij rinore për begatinë e qytetit të tij, e ta bëjë siç janë qytetet në Gjermani.

E meqë ra llafi të ky vend. Ne si redaksi, kemi zbuluar ditarin e një ushtari nazist. Në këtë ditar të shkruajtur në dialektin bavarez, bëhet e ditur se tri gra, ushtare të Rajhut, ishin kapur nga forcat balliste, në rrugën Kukës-Prizren.

Këtë ngjarje e thotë edhe historiani i njohur, shoku Paskal Milo, te libri i tij, "Udhëkryqe shqiptaro-gjermane". Shoku Paskal thotë që, këto gjermankat u kapën nga forcat partizane, por kjo nuk është e vërtetë.

Sqarojmë se profesor Paskali, nuk e ka lexuar këtë ditar, i cili tashmë ndodhet në gjirin e një kolegeje, që është në gjirin e kolektivit tonë punonjës. Shoqja jonë e punës, këtë ditar e mban, siç mbanin traktet, luftëtarët e Ballit.

Në ditarin e këtij ushtari, nuk thuhet se ç'ndodhi me këto gjermankat, se sigurisht ai nuk i pa më ato vajza. "Ishte rob zoti! Ta pije në kupë!", shkruan ky gjermani në ditar, për njërën nga vajzat e kapura robe.

Nga fjala "kupë", kuptojmë se gjermani, megjithëse kohë lufte, e ka pasur mendjen te zhvillimi i aktiviteteve sportive mbarëgjermane, ku fitoheshin kupa.

Nuk dimë të themi me saktësi se cilin klub sportiv përkrahte ky gjermani. Dimë të themi se, ai megjithëse bavarez, nuk besojmë se ka qenë tifoz me Bavarinë-Bajernin e Mynihut. E themi këtë gjë, pasi në ato vite, Bajerni ishte një klub i rëndomtë, i persekutuar për shkak të trashëgimisë së tij hebreje, e luante në kampionatet e landeve, e s'kishte mundësi të fitonte kupa.

Ky ushtar shkruan se, gjatë tërheqjes së formacioneve naziste nga Shkodra, u hodh nga kamioni që po largohej në drejtim të Malit të Zi. Pasi u hodh, u fsheh në disa ferra, derisa iku gjithë autokolona.

Nga ditari mësojmë se, nazisti duke ecur ferrë më ferrë e stallë më stallë, takoi edhe dy gjermanë të tjerë. Edhe këta, sipas kujtimeve në ditar, ishin hedhur nga kamionët në kërkim të gjermankave të kapura robe nga formacionet luftarake të Ballit.

"Te një stallë u takuam të tre", shkruhet në ditar. Unë doja të përmirrja dhe ashtu bëra. Ula pantallonat dhe... Këtë veprim e fotografoi ushtari Hofman."

Me ç'mendojmë, bëhet llaf për foton e famshme kur një ushtar gjerman është duke përmjerrë...

Nga ky ditar, mësojmë se kjo ngjarje me rëndësi historike për Luftën e Dytë Botërore, është zhvilluar në tokën tonë. "Është rast i rrallë të shikosh një të huaj të përmjerrë në Shqipëri, - tha një gazetare e redaksisë së gazetës sonë. Ne rrallë kemi patur nevojë, që të huajt t'ia bënin nevojën këtij vendi", - shtoi ajo.

Ditari vazhdon: "Pasi u bëmë tre vetë, u nisëm për të kërkuar tri gjermankat, që kishin humbur në rrugën Kukës-Prizren. Rrugës patëm shkëmbim zjarri me një grup ballistësh.

"Ishte e enjte e datës 30 nëntor 1944. Ballistët nuk na ndaheshin. Na ishin qepur këmba-këmbës, siç i qepeshin partizanët pulave. Ne ik e ata pas nesh. Ndjekja vazhdoi me ditë të tëra, e shpesh herë me ta pati edhe shkëmbime zjarri", - shkruhet në ditar.

Nga këto që shkruhen, kuptojmë që lufta e ballistëve ndaj nazistëve gjermanë, ka vazhduar përtej datës 29 nëntor të vitit 1944. Në ditar gjithashtu, shkruhet: "Forcat balliste të përforcuara nga aviacioni britanik, na godisnin pa pushim. U detyruam që në sabahun e datës 31 nëntor, të tërhiqeshim.

I kërkuam një partizani të na jepte një mushkë. Ai na i dha me dëshirë, e me të kaluam kufirin e Shqipërisë, siç kalojnë tashmë hashashin, disa banorë të zonës."

Ja pra, dokumenti e shpreh qartë se gjermani i fundit u largua nga Shqipëria, në dt. 31 nëntor të vitit 1944, nën presionin e forcave balliste...

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: