2017 - Ekonomia kryefjalë në çaste krizash, “dorë e dytë” në jetën e përditshme

2017 - Ekonomia kryefjalë në çaste krizash, “dorë e dytë” në jetën e përditshme
Viti që po mbyllet e lançoi në jo pak raste ekonominë në argumentin kryesor të ushqimit politik të ditës. Por në shumë të tjera, ajo kaloi në dorë të dytë, pikërisht kur publikut i servireshin ngjarje me një peshë politike të caktuar. Ulje dhe ngritje të treguesve kryesorë makro-ekonomikë të vendit, amnisti, ndryshime taksash dhe aksione të reja informaliteti. Kjo ishte ajo çka e shoqëroi ekonominë shqiptare gjatë këtij viti... 

Kryefjala e ditës në çaste krizash. Por “dorë e dytë” në jetën e përditshme, atje ku ushqimi politik që qytetarit shqiptar i ofrohet nga pushtetarët, duket se është më i rëndësishëm nga ai me terma ekonomikë. Kjo është ajo çka e ka shoqëruar ekonominë si të tillë gjatë këtij viti që po mbyllet. Mjafton të kujtojmë se në muajt e parë të tij, ajo u përdor rëndom në të ashtuquajturën “çadra e lirisë”, së ngritur prej opozitës së djathtë në bulevardin kryesor të kryeqytetit, në shenjë proteste kundër qeverisë. Ekonomia, me elementë specifikë të saj, të tillë si papunësia, varfëria, deri edhe tek emigracioni, u përdorën prej përfaqësuesve të saj, në fjalimet publike të tyre, pikërisht si një “armë” më shumë. Por që duket se e humbën peshën e tyre, me paktin politik të 18 prillit, arritur mes dy krerëve të politikës shqiptare, Edi Rama dhe Lulzim Basha, për t’i hapur rrugën procesit elektoral të zgjedhjeve të përgjithshme të 25 qershorit. Dhe pikërisht se ishte një vit elektoral, duket se pjesa e parë e tij u shoqërua në të njëjtën kohë edhe me një presion më të madh ndaj ekonomisë si të tillë, duke u marrë më shumë me përmbushjen e kërkesave të qytetarëve dhe të reformave që vijonin nga viti i kaluar. Mjafton të kujtojmë këtu pikërisht vënien në zbatim të disa amnistive, efektet lehtësuese të të cilave u shtrinë në disa prej shtresave të ndryshme të popullatës shqiptare. Konkretisht,

në këto amnisti u përfshi fshirja e taksave të papaguara, gjobat dhe kamatë- vonesat për makinat dhe bizneset, por edhe gjobat për kontributet e papaguara të pensioneve. Të gjitha ato përfshinin periudhat kohore që para viteve 2010, ku për secilën prej tyre, nga qeveria u përcaktuan kritere të veçanta përfitimi, siç ishin faljet vetëm të interesave, për disa madje edhe principali etj. Për shembull, vetëm për makinat, qytetarët përfituan fshirjen e të gjitha taksave të papaguara deri në vitin 2010, ndërsa për periudhën nga 1 janari 2011 deri në dhjetor 2014, u falën vetëm gjobat, me kushtin që të paguhej principali. Përfitimet? Kanë qenë të shumta. Siç raporton

Drejtoria e Tatimeve, nga amnistia kanë përfituar rreth 29 mijë tatimpagues, ndërsa shuma e faljes ka qenë rreth 16 miliardë lekë, apo 117 milionë euro. Teksa një masë tjetër e rëndësishme e ndërmarrë sivjet, kujtojmë se ka qenë edhe ajo e dhënies së mundësisë qytetarëve për ta rivlerësuar shtëpinë e tyre me taksën prej 2%. Një afat ky i programuar deri më 31 maj të këtij viti, por që u shty edhe më pas në kohë, duke u dhënë mundësinë mijëra qytetarëve ta rivlerësojnë pronën e tyre. Në këtë kuadër, vlen të përmendet edhe rritja e re e pagave që qeveria e ndërmori pikërisht në mars të këtij viti, me nivele deri në 7%-36% për të gjithë punonjësit e administratës publike. Mes tyre, mjekët dhe mësuesit apo pedagogët, me një rritje page deri në nivelin prej 10%. Një masë kjo që u shoqërua jo pak, por me 7.2 miliardë lekë si efekt financiar vjetor në buxhetin  e shtetit.

 

AMNISTITË

Kanë qenë të shumta ato që janë aplikuar gjatë këtij viti ndaj qytetarëve shqiptarë, sidomos në pjesën e parë të tij, e cila u parapriu zgjedhjeve të përgjithshme politike të 25 qershorit 2017

 

RISIA

Viti që rriti pagën minimale: 30 mijë shteti, 23 mijë privati

Viti 2017 do të kujtohet në aspektin ekonomik edhe si viti i cili rriti pagën minimale të punonjësve në rang vendi. Konkretisht, paga bazë minimale e atyre që punojnë në administratën shtetërore arriti në 30.000 lekë. Kurse ajo në sektorin privat, pas shumë tryeza konsultimesh që qeveria zhvilloi me biznesin, u arrit që të zyrtarizohet në nivelin prej 23 mijë lekësh. Në një kohë, kur qeveria kërkonte në fakt që ajo të bëhej 24 mijë lekë, por biznesi nga ana e tij pretendonte se do të kishte një humbje të madhe prej aplikimit të një mase të tillë. E për këtë arsye, u vendos një rrugë e mesme, pra shifra prej 23 mijë lekësh. Kurse sa i përket sektorit publik, duhet thënë se paga bruto minimale e tij me rritjen e re shkoi në rreth 37.500 lekë. Përfitues të rritjes së pagës minimale në administratë për vitin 2017 ishin plot 6 900 punonjës mbështetës, një rritje kjo që u përballua nga fondi prej 1 miliard lekësh në vit.

 

AKORDI

Sivjet, Shqipëria marrëdhënie të re me Fondin Monetar Ndërkombëtar

Gjatë këtij viti, Shqipëria kaloi në një marrëdhënie të re me Fondin Monetar Ndërkombëtar. “Është aprovuar në bord marrëdhënia që është pas marrëveshjes 3-vjeçare , monitorimi deri në fund të 2017, për të marrë pastaj një vendim të ri që është tagër i qeverisë “Rama II” për të pasur një program të ri dhe çfarë lloj programi do të jetë”, është shprehur në fillim të këtij viti, vetë ministri i Financave, Arben Ahmetaj lidhur me një fakt të tillë, në mbyllje të programit 3-vjeçar të Shqipërisë me FMN-në. Kujtojmë se më 24 shkurt të vitit 2017, Bordi Ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar përfundoi shqyrtimin e dy kapitujve të fundit, 9 dhe 10 të programit ekonomik të Shqipërisë, ku u disbursua edhe trashi i fundit i marrëveshjes, prej 73.2 milionë euro. Teksa 28 shkurti shënoi edhe fundin zyrtar të marrëveshjes 3-vjeçare të Shqipërisë me FMN-në, me një fond total prej 377.3 milionë eurosh.

 

Anti-informaliteti “3”, njëra nga nismat e cila u përsërit sërish dhe gjatë këtij viti

“Antiinformaliteti 3” ka qenë vetëm njëra nga nismat e qeverisë në aspektin ekonomik, e cila u vu në zbatim edhe gjatë këtij viti. E nisur gjatë vjeshtës së këtij viti, ajo konkludoi me marrjen e një sërë masash nga ana e organeve tatimore ndaj bizneseve që fshihnin detyrimet tatimore, apo fshihnin numrin e vërtetë të punonjësve të tyre. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, në lidhje me këtë aksion ka pohuar se janë verifikuar rreth 20-30 mijë subjekte private, ku rreth çereku i tyre ka rezultuar me shkelje dhe janë penalizuar. “1548 subjekte kanë ndryshuar përgjegjësinë tatimore ku Tirana ka numrin më të madh me 774 subjekte, të ndjekur nga Durrësi 230 dhe Vlora me 116”, është një tjetër e dhënë që organet tatimore japin në lidhje me rezultatet e këtij aksioni. Nga ana tjetër, një nismë që u përsërit edhe këtë vit, si në ato të mëparshmet ka qenë pikërisht edhe ajo e ndryshimeve në buxhetin e shtetit. Kështu, shtimi i fondit për emergjencat civile dhe blerjen e energjisë ka qenë në qendër të ndryshimeve që qeveria ka vendosur të kryejë në buxhetin e vitit 2017. Sikundër, në aktin e posaçëm normativ parashikohen edhe 500 milionë lekë për krijimin dhe funksionimin e organeve të reja të drejtësisë. Mesa duket, thatësira e zgjatur dhe emergjenca e zjarreve që pushtoi Shqipërinë përgjatë gjithë muajve të verës ka sjellë domosdoshmërinë për ndryshime në buxhetin e vitit 2017.

Porse këtij buxheti iu realizuan edhe ndryshime të tjera përveç këtij. Ndërkaq, gjatë këtij viti, Banka e Shqipërisë nuk ndërmori si gjatë atyre të kaluar ndryshime të shpeshta të normës bazë të interesit për monedhën vendase, lekun, siç ka ndodhur edhe gjatë viteve të kaluara. “Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka vlerësuar në mbledhjen e fundit se qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm dhe vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 1.25%. Gjithashtu, Këshilli vendosi të mbajë të pandryshuar normat e interesit të depozitës dhe të kredisë njëditore, respektivisht në nivelet 0.25 dhe 2.25%”, citohet në deklaratën e fundit të bankës qendrore.

 

Viti “zero” për euron. Monedha evropiane sivjet ra në pikiatë

 Viti 2017 mund të cilësohet fare mirë edhe si viti “zero” për monedhën evropiane, euro, e cila arriti në nivelin më të ulët të saj të shënuar gjatë viteve të fundit, deri në atë prej rreth 131 lekësh. Vlerë kjo për të cilën edhe vetë politika tregoi shqetësim, duke arritur deri aty madje sa të kërkohej edhe një hetim i posaçëm rreth saj. Sepse rënia në “pikiatë” e monedhës evropiane, euro, në tregun shqiptar të këmbimit valutor gjatë muajve maj dhe qershor të këtij viti në Shqipëri, sipas tyre, duket se nuk ka qenë e rastësishme. Por aludonin se përveç efekteve sezonale, ajo mund të ketë qenë e stimuluar edhe nga veprime të paligjshme të lidhura me shitblerjen e votës, por edhe të tjera të tilla në kuadrin e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 25 qershorit 2017. “Rekomandohet hetimi i ndryshimeve në tregun valutor për zhvlerësimin e euros që nga data 19.5.2017 deri më 27.6.2017, nëse ndryshimet e valutës janë lidhur me përdorimin e saj në mënyrë informale për shitblerjen e votave apo veprave të tjera penale në fushën e zgjedhjeve”, citohej saktësisht në raportin e ministrave teknikë të qeverisë teknike të krijuar nga marrëveshja PD-PS.

 

Ndërkombëtarët, raporte kontroverse për ecurinë e ekonomisë shqiptarë

Nga ana e tyre, organizatat ndërkombëtare financiare të cilat ndjekin nga afër ecurinë e treguesve makroekonomikë të vendit tonë, gjatë këtij viti kanë paraqitur raporte kontroverse lidhur me ecurinë e ekonomisë shqiptarë. Kështu, nëse disa prej tyre ishin pro atyre që paraqisnin raportet e vazhdueshme të Shqipërisë, disa prej tyre herë pas here parashikonin edhe rënie më të ulët ekonomike se ajo, apo edhe tregues të tjerë më të ulët, të tillë si inflacioni etj. Konkretisht, vetë Fondi Monetar Ndërkombëtar, apo Banka Botërore gjatë gjithë muajve të këtij viti kanë bërë parashikime të ndryshme rreth ecurisë së ekonomisë shqiptare, të cilat jo gjithmonë ishin pro shifrave të publikuara nga qeveria për rritjen, të tilla si ajo deri në 3.6%, apo papunësia 13% etj. Sipas tyre, rritja ekonomike duhet parë edhe me më shumë kujdes, pikërisht për shkak të disa faktorëve që ndikuan në mosarritjen e disa prej objektivave të vëna nga qeveria shqiptare.

 

DEBATI

Buxheti 2018, dhe këtë herë “shumë zhurmë për asgjë”

Mund të thuhet fare mirë se debati që shoqëroi edhe gjatë këtij fundviti miratimin e projektbuxhetit për vitin e ardhshëm 2018, ishte “shumë zhurmë për asgjë”, njësoj si edhe në vitet e tjera. E kjo, pasi pas shumë deklaratave, diskutimeve, apo pretendimeve për ndryshim të tij nga ekspertët, grupet e interesit, apo edhe vetë politikanët, por edhe kundërshtime të shumta të tyre ndaj neneve të posaçme të tij, ai sërish u miratua vetëm me votat e mazhorancës. Duke bërë kështu që dokumenti themeltar i financave të shtetit t’u imponohet shqiptarëve, pa mundur që ata të bëhen pjesë e propozimeve apo ndryshimeve të tij.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: