2018 - ÇFARË NA PRET PAS NJË VITI POLITIK! – OPINION NGA ALFRED PEZA

2018 - ÇFARË NA PRET PAS NJË VITI POLITIK! – OPINION NGA ALFRED PEZA
Alfred Peza

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Viti politik 2017 që po lëmë pas, u dominua nga zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 25 qershorit, reforma në drejtësi dhe zhvillimet diplomatike rreth çështjes së integrimit europian të Shqipërisë. Ndaj, edhe viti 2018 pritet të jetë i ndërvarur dhe i diktuar me siguri, nga kjo dinamikë. Për rrjedhojë, pa dashur të bëjmë as fallxhorin dhe as Nostradamusin, ajo që na pret të gjithëve pas një viti, duket të jetë peisazhi i një pikture të parafytyruar mbi këto indicie e projeksione, pavarësisht se pamja reale mbetet për t’u parë përgjatë 12 muajve të ardhshëm.

Reforma në drejtësi dhe efektet e saj, besoj se do të jenë konstantja që do të na shoqërojnë më së shumti jo vetëm juridikisht, por edhe politikisht, në planin e zhvillimeve tona të brendshme. Kjo për arsyen e thjeshtë se makina e re e drejtësisë, tashmë është vënë në lëvizje dhe ajo pritet që të përshkojë segmentet e para të një rruge të gjatë dhe të mundimshme.

Pas zgjedhjes së Kryeprokurores së re të Përkohshme, është momenti i ngritjes së Këshillit të Lartë të Prokurorisë, që do të çojë në votimin e Kryeprokurorit të përhershëm, e ngritjes së Këshillit të Lartë të Gjyqësorit, e daljes së rezultateve të para të vettingut dhe nisjes së punës së strukturave të reja të sistemit. Ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu ka paralajmëruar se në Janar "peshkarexha e re" do arrijë që të na nxjerrë në breg edhe peshqit e parë të mëdhenj, të korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin në Shqipëri.

Fillimi në këtë mënyrë i vitit të ri 2018, do të diktojë besoj më pas, edhe dinamikën e zhvillimeve të tjera mbi klasën politike në tërësi, Parlamentin, administratën qendrore dhe atë lokale. Janë shumë dosje çështjesh abuzimi e shpërdorimesh galopante korruptive dhe kriminale, që kanë zënë pluhur gjithë këto vite, të cilat nëse hapen siç edhe besohet gjerësisht se do të ndodhë, do të sjellin një tërmet të fuqishëm mbi pjesën e korruptuar dhe të kriminalizuar të elitës së këtij vendit. Një rrugë kjo, nëpër të cilën kanë kaluar pothuajse të gjitha vendet ish-komuniste, përpara se të anëtarësoheshin në Bashkimin Europian.

Procesi i integrimit pritet të jetë një shinë tjetër e rëndësishme, nëpër të cilën do të kalojë jeta politike e Shqipërisë përgjatë vitit të ardhshëm. Kjo për shkak se brenda qershorit, sipas të gjitha gjasave dhe klimës në Bruksel, pritet të kemi një datë të saktë për të nisur procesin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian. Një ëndërr që më në fund, edhe mund të nisë të marrë formë konkrete, për t’u bërë realitet. Ekspertët e integrimit dhe liderët e sotëm europianë, kanë parashikuar se skenari më optimist për Shqipërinë, është ai që mund të jemi pjesë e Unionit, diku nga viti 2025.

Ky optimizëm, sigurisht që shoqërohet edhe me lutjen për të patur pak fat, në mënyrë që përgjatë këtyre viteve, zhvillimet ndërkombëtare të mos dalin nga skenari i "normalitetit" aktual. Arritja e këtij objektivi pritet të vijë, për tri arsye kryesore:

Së pari, vullnetit të afishuar për realizimin e një numri reformash të thella strukturore e modernizuese, që kulmuan pikërisht me reformën e madhe në drejtësi.

E dyta, për shkak të stabilitetit të brendshëm politik, standardeve zgjedhore dhe premtimit për ta nxjerrë Shqipërinë nga harta e mbjelljes, kultivimit dhe trafikimit të hashashit, nëpërmjet shpalljes së një luftë pa kompromis ndaj krimit të organizuar.

E trata, për shkak të stabilitetit makroekonomik të vendit, klimës së biznesit dhe investimeve, reformës në administratë dhe forcimit të pozitave tona rajonale, si një faktor stabiliteti në Ballkan.

Ky proces favorizohet edhe nga një konjukturë e favorshme gjeopolitike për ne, për shkak të zhvillimeve në Bruksel pas Brexit-it dhe alarmit euro-atlantik për rritjen e ndikimit rus në rajon.

Përtej pjesës së reformës në drejtësi dhe procesit të integrimit, besoj se janë edhe dy zhvillime të tjera madhore, që pritet të përcaktojnë vitin 2018.

Ky është një vit jo elektoral, e për rrjedhojë partitë politike nuk kanë shumë angazhime në përgatitje të fushatës zgjedhore. Ndaj besoj se energjitë e tyre do të kanalizohen për mazhorancën në rritjen e ritmit të realizimit të objektivave programorë të qeverisjes dhe premtimeve elektorale të bëra. Ndërkohë që për opozitën, fokusi besoj se do të jetë tek aksioni kundër qeverisë, për të riorganizuar dhe rimotivuar strukturat pas humbjes në zgjedhjet e këtij viti, me protesta, mitingje, mbledhje, takime dhe beteja opozitare në Kuvend, në përgatitje të zgjedhjeve të ardhshme lokale të 2019.

Krahas debateve në Parlament për çështjen e reformës së re elektorale, besoj se si PD dhe LSI do të vijojnë përpjekje për të gjetur një formulë sa më të përshtatshme bashkëpunimi, në mënyrë që të arrijnë të maksimizojnë votën e tyre, në përpjekje për të ulur sa më shumë që do të mundin, aksionet dhe kreditet publike të qeverisë. PD-ja duket më e qartë që tani në objektivat dhe rrugën e saj.

Ndërsa LSI-ja, për shkak të rikthimit në opozitë pas 8 vitesh nga pushteti komod që të jep pozicioni i "kingmaker"-it të skenës politike dhe ndryshimit të lidershipit të partisë, do të marrë ende shumë kohë për t’u ripërshtatur në kushtet e reja politike të krijuara tashmë për të.

Partitë e vogla, do të mundohen të konkuldojnë përpjekjet e tyre për një aleancë, që do të ridimensiononte sadopak peshën e tyre reale specifike në treg. Megjithëse do të duhej, nuk pritet që t'ia dalin për t’iu imponuar Parlamentit në çështjen e ligjit të ri zgjedhor. Maksimumi që mund të arrinin me përpjekjen e tyre të re, ndoshta do të ishte gjetja e një formule që do ia rriste përfaqësimin politik në zgjedhjet e ardhshme lokale fillimisht, e më pas, edhe në ato të përgjithshme parlamentare.

Një nga zhvillimet më të mëdha të pritshme për 2018, është edhe mundësia e një boom-i të ri në industrinë e turizmit, për shkak se gjatë 2017 pothuajse të gjitha mediat kryesore prestigjioze ndërkombëtare dhe ato të specializuara në këtë fushë, e kanë përfshirë Shqipërinë në hartën e destinacioneve kryesore botërore. Një mundësi e shkëlqyer për ndryshimin e mëtejshëm të imazhit të vendit, rritjen e të ardhurave dhe fuqizimin e një sektori potent për zhvillimin ekonomik. Përfundimi i investimeve në disa pika kyç të infrastrukturës rrugore do të ishin një mundësi e jashtëzakonshme për këtë industri që mund të shndërrohet në shtyllën kryesore të ekonomisë sonë kombëtare.

Viti i ri gjithmonë bëhet shtysë për projekte dhe objektiva, duke ngjallur edhe shpresa të reja. Jemi munduar që në këto rreshta të shohim gjysmën plot të një gote, së cilës asnjëherë nuk i dihet se çfarë i ka rezervuar fati, në gjysmën tjetër.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: