2018-ta po troket... Me se do të përballen ekonomikisht qytetarët?

2018-ta po troket... Me se do të përballen ekonomikisht qytetarët?
Duke nisur nga 1 janari i vitit të ardhshëm, qytetarët shqiptarë do të përballen me disa taksa të reja, apo tarifa më të larta të atyre ekzistuese. Duke bërë kështu që të “amortizohet” disi edhe efekti i rritjes së pagave gjatë vitit të kaluar për punonjësit në shtet, apo paga minimale e atyre që punojnë në sektorin privat.

Një taksë e re për pronën. Si për banesat e shtëpive, edhe  për ato që shërbejnë si biznese. Por në të njëjtën kohë edhe tarifa të reja të pagesës së ujit, për të gjithë ata që banojnë në kryeqytetin e vendit dhe që nuk janë pak, por mbi 1 milionë qytetarë të këtij vendi. Apo edhe një taksë e re Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, të mijëra bizneseve të vogla, që deri dje nuk kanë qenë fare të përfshirë në skemën e saj. Këto janë vetëm disa nga risitë me të cilat qytetarët shqiptarë do të përballen në aspektin ekonomik, duke nisur që nga data 1 janar e vitit të ardhshëm, i cili tashmë po troket. Duke bërë kështu që ata të përballen me një vit të ri edhe më të ngarkuar për financat e tyre, krahasuar me atë që po mbyllet tashmë. Kjo, edhe pse gjatë këtij të fundit pati një rritje të pagave në administratën shtetërore në nivelet prej 7 deri në 35 për qind. Apo edhe rritje të pagës minimale të mijëra të tjerëve në sektorin privat, me 10 mijë lekë, duke e çuar atë në nivelin aktual prej 23 mijë lekësh, nga vetëm 22 të tilla që ishin deri në verën e këtij viti. Rritje këto, të cilat gjithsesi detyrimisht shkojnë për tarifat e reja që të punësuarit do të paguajnë në nisje të vitit të ri, 2018.

Konkretisht, taksa e re e pasurive të paluajtshme të shqiptarëve duke nisur që nga mot do të bëhet mbi bazën e vlerës së tregut dhe jo mbi bazë fikse. Bëhet fjalë për një nivel taksimi mbi të deri në vlerën prej 0.25% për ndërtesat me qëllime banimi dhe 0.5% për ato me qëllime biznesi. Duke bërë kështu, që nga xhepi i çdo qytetari i cili disponon në Shqipëri një pasuri të patundshme të dalin më shumë para’ për pagesën e kësaj takse. Të mos harrojmë nga ana tjetër, se qytetari shqiptar do të përballet edhe me nisjen e vënies në zbatim të buxhetit të ri, i cili vetëm dy ditë më parë është botuar në Fletoren Zyrtare, për të marrë kështu fuqi ligjore. Ky buxhet, kujtojmë se përfshin brenda tij një total të ardhurash prej 464.2 miliardë lekë. Shifër kjo që po ta krahasojmë me atë të këtij viti, përkatësisht prej 436.4 miliardë lekësh, figuron të jetë më e lartë, deri në nivelin prej 6.4%. Dhe që flet kësisoj për një pritshmëri pozitive të autoriteteve fiskale në mbledhjen e më shumë parave nga taksat dhe tatimet. Ndoshta kjo ka lidhje edhe me futjen në regjimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) të kategorisë së biznesit të vogël, një masë kjo e përcaktuar tashmë që të aplikohet me paketën e re fiskale 2018. Bëhet fjalë konkretisht për 9 mijë biznese që do të futen brenda kësaj skeme, pasi figurojnë me xhiro mbi 2 milionë lekë në vit. Kurse sa i përket taksës së re të ujit në Tiranë, mësohet se duke nisur që nga 1 janari 2018 ajo do të rritet nga 45 lek/m3 në 65 lekë/m3 për familjarët dhe nga 135 lekë/m3 në 190 lekë/m3 për bizneset.

 

TAKSAT

Një nivel i ri taksimi më i madh për pasuritë e paluajtshme në rang vendi; tarifa të reja për ujin e pijshëm në kryeqytet; apo edhe mbi 9 mijë biznese që futen në regjimin e TVSH-së do nisin të aplikohen që nga 1 janari 2018

 

KOSTOJA

Niveli i jetesës, jo pritshmëri për ndryshim gjatë vitit të ardhshëm

Niveli i jetesës për qytetarët shqiptarë, nuk paraqet ndonjë pritshmëri për ndryshim pozitiv të tij gjatë vitit të ardhshëm. Dhe kjo, pasi kostoja e jetesës së tyre ka për të qenë e njëjtë, për të mos thënë akoma edhe më e shtrenjtë falë disa tarifave shtesë që ata do të kenë në përditshmërinë e tyre. Ndërsa qeveria nga ana e saj, në programin qeverisës ka parashikuar që për vitin e ardhshëm vendi të ketë një rritje ekonomike, të paktën në nivelin e 4%, duke e tejkaluar atë zyrtar prej 3.6% që u deklarua sivjet prej saj.

 

KONCESIONET

“1 Miliard Euro”, nis nga zbatimi programi madhor

“1 Miliardë Euro” është programi madhor i lançuar nga qeveria shqiptare dhe që pritet të nisë nga zbatimi i tij pikërisht duke nisur nga 1 janari i vitit të ardhshëm, 2018. I vënë në dispozicion fillimisht me paratë e biznesit privat, por që do t’i kthehen atij më pas nga shteti në një kohë të vonë, me një shumë të tillë parash është planifikuar që të realizohen një sërë projektesh madhore në fusha të ndryshme të vendit. Para’ këto, të cilat në fund të fundit i përkasin arkës së përbashkët të qytetarëve shqiptarë. Dhe që secili prej tyre i bie t’i paguajë në perspektivë, duke nisur që nga 1 janari i vitit të ardhshëm. Natyrisht, për projekte të cilat do t’i shërbejnë përmirësimit të mirëqenies së tij, por që u merren gjithsesi nga ana tjetër në formë taksash apo detyrimesh të tjera fiskale.

 

LEHTËSIRAT

Nga janari 2018, bizneset online dhjetëra pagesa

Prej janarit të vitit 2018, bizneset të cilat ushtrojnë aktivitetin e tyre në Shqipëri do të mund të kryejnë online dhjetëra pagesa tatimore, duke nisur që nga pagesat e tatim-fitimit, pagesat e tatimit të lojërave të fatit të biznesit, pagesa e tatimit mbi të ardhurat personale, pagesa e taksave kombëtare.

Lajmin e ka bërë të ditur drejtuesja e Agjencisë Kombëtare të Shqipërisë, Mirlinda Karçanaj, në takim me bizneset e vendit, organizuar nga Ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Sonila Qato. “Nga ana tjetër, nisma e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave për kryerjen online të deklaratave doganore po merr formë konkrete dhe shumë shpejt do të gjeni në portal një pjesë të këtyre shërbimeve, ndërkohë që po punojmë ngushtë me institucionin për të mundësuar në formë elektronike të 24 aplikimet për deklarata doganore”, tha Karçanaj. Prej tre vitesh dorëzimi i bilanceve përmbledhëse të bizneseve bëhet përmes portalit e-Albania.

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: